13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Rilindja’ që e ‘vrau’ Shqipërinë

Më të lexuarat

Nga Kim Mehmeti

Është e frikshme kur dëgjon se edhe në Shqipërinë e sotme, nuk mund të organizohen zgjedhje pa vrasje. Dhe se në mëmëdhe ka hajdut dhe mbrojtës votash, se në Shqipëri hajdutin e votave e mbron policia dhe drejtësia, e votuesi është lënë në mëshirën e banditëve, e të të pasurve dhe kriminelëve.

Në Shqipëri ka vrasje gjatë zgjedhjeve sepse atje tri dekada me radhë, shumica e burrështetasve, i mbushnin xhepat dhe e varfëronin popullin, sepse gjatë tetë viteve të fundit, ‘Rilindja’ e vrau shtetin, me çka përfundimesh, mëmëdheu u bë shtet ku shumicës së votuesve nuk u mbetet gjë tjetër përpos se ta shesin varfërinë e tyre dhe ku, politikanët e pandëshkueshëm, bëjnë krimin më të madh – blejnë vota me paratë që ia kanë vjedhur popullit.

Po pra, gjatë tetë viteve të fundit, e sunduar nga aleanca e gjitha ‘qelbësirave’ – ‘Rilindja’, Shqipëria i ngjante një punëtorie hajnash që prodhonin grindje ndërshqiptare dhe intriga, vetëm për ta mbuluar hajninë. Apo i ngjante dhomës së bixhozit, të cilës, nëpërmjet mediave proregjimit, bixhozxhitë ia kishin lëshuar perdet, që populli të mos i shihte ahengjet e tyre nëpër restorantet e Dubait.

Është pra rrëqethëse kur dëgjon se edhe në Shqipërinë e tanishme nuk mund të organizohen zgjedhje pa vrasje dhe ku aktivistët partiak e dhunojnë njëri tjetrin, e institucionet e shtetit, duke qenë në shërbim të regjimit të “Rilindjes”, e vrasin të vërtetën për këto ngjarje tragjike.

Andaj ditët e para 25 prillit në Shqipëri janë të trishta dhe u ngjajnë atyre të para fillimit të betejës përfundimtare mes armiqve të përbetuar. Por nuk duhet harruar se terri i natës, është më i dendur përpara agimit dhe le të besojmë se pas të dielës do gdhijë mundësia për ndërtimin e një Shqipërie ndryshe nga kjo e tri dekadave varfëruese që ajo i jetoi.

Dhe le të shpresojmë se për fatin e Shqipërisë së pas 25 prillit do vendosë një gjeneratë e re politike, e ngjashme me Tomor Alizotin, Ori Nebiajn, Agim Baçin…, të cilët e kanë kuptuar se pushteti dhe pozitat nëpër institucionet shtetërore janë të përkohshme, e atdheu është i përjetshëm dhe andaj, nuk duhet ta flijosh të përjetshmen për hir të kënaqësive të përkohshme.

Pra duhet të shpresojmë se me 25 prill votuesit shqiptarë nuk do e përbuzin vetveten duke e shitur varfërinë e tyre, pra duke ua dhënë votën atyre që ua shpërndajnë lekët e hajdutërisë dhe se, nuk do shkelin mbi dinjitetin e vet, duke u gjunjëzuar përpara kriminelëve nga të cilët duhet ta çlirojnë Shqipërinë.

Dhe zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëria janë shumë të rëndësishme edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë mëmëdheut, sepse ata duan që mëmëdheun e tyre ta sundojë ‘partia’ më e rëndësishme që e mbanë drejtë boshtin e shqiptarisë – nga ‘partia’ e patriotizmit dhe atdhedashurisë.

Dhe duan që Shqipëria të jetë çadër mbrojtëse e shqiptarisë, e jo shtyllë mbështetëse e Beogradit për t’i defaktorizuar shqiptarët. Më në fund, shqiptarët jashtë mëmëdheut e dinë se fati i tyre është proporcional me atë se në duart e kujt është mëmëdheu, e dinë se përderisa në Tiranë rrënohet Teatri Kombëtarë, përderisa Shqipëria do paguaj me qindra miliona euro dënime vetëm shkaku i tekeve të Piktorit, se përderisa mëmëdheu ka burrështetas që më të rëndësishëm e kanë mini-shengenin e Beogradit se sa kufijtë e Kosovës, se përderisa në Tiranë mbillen pemët e gënjeshtrave, nëpër trojet tjera shqiptare do mbijë pasiguria dhe ndjenja e inferioritetit ndaj popujve sllav.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit