22.7 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Richard Falk – Refuzimi për të mbështetur armëpushimin nga Perëndimi është një miratim i sulmit gjenocidal të Izraelit në Gaza

Më të lexuarat

nga Richard Falk.

Në linjë të komentimeve emocionalisht të ngarkuara mbi sulmin më 7 tetor të luftëtarëve palestinezë kundër Izraelit dhe sulmin e pasuar izraelit mbi Gazën, mediat dhe udhëheqësit politikë duket se kanë harruar se nga perspektiva e ligjit ndërkombëtar, Gaza mbetet një territor i pushtuar nën Konventën e Katërt të Gjenevës (Gjeneva IV).

Megjithatë, edhe pse Izraeli në mënyrë unilaterale shpalli “tërheqjen” nga Gaza në vitin 2005 – tërheqjen e trupave të tij, zhdukjen e 21 ndërtesave dhe dërgimin e 8,000 kolonistëve (paksa të kompensuar nga çdo familje e paligjshme e kolonistëve me qindra mijë dollarë kompensim) – kjo nuk ka përfunduar obligimet e Izraelit nën ligjin ndërkombëtar.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara ka arritur në këtë konkluzion mbi bazën e faktit që tërheqja e Izraelit nuk ka përfunduar realitetet ekzistenciale të kontrollit izraelit mbi Gaza, as nuk ka lejuar territorin të gëzojë përfitimet e zhvillimit politik autonom.

Në fakt, ky proces përfshinte një ristrukturim intruziv të forcave ushtarake dhe policore të pushtimit në kufijtë e Gazës, përfshirë kontrollin total mbi hyrjen dhe daljen e palestinezëve dhe mallrave në kalimet kufitare, si dhe dominancën ekskluzive të vazhdueshme mbi hapësirën ajrore dhe detare të Gazës.

Kjo strukturë e pushtimit pas vitit 2005 u përmirësua me hyrjet e shpeshta izraelite, përfshirë vrasjen e figurave politike dhe ushtarake të Hamasit, rrufeja e frikshme e avionëve të sulmit izraelit që kalonin mbi Gazën dhe operacionet ushtarake të mëdha në vitet 2008-09, 2012, 2014 dhe 2021, gjatë të cilave Izraeli kreu shumë krime lufte.

Gjithashtu, që nga viti 2007, një bllokadë e ashpër dhe dënuese ka lënë popullsinë e varfër të Gazës përballë normës më të lartë të papunësisë në botë dhe një përvojë të përbashkët të zvogëlimit të ekonomisë që i kanos jetën.

Dëmet e pushtimit të Izraelit mbi Gazën janë dokumentuar më së miri në raportin e Goldstone të OKB-së në vitin 2009, ku rekomandimet e politikave nuk u zbatuan për shkak të presioneve politike të ushtruara në emër të Izraelit.

Kjo përvojë tipike e mohimit të politikave të rekomanduara nga kombet e bashkuara është praktika e rregullt e Izraelit, ndaj kësaj praktike asnjëherë nuk është propozuar ndonjë veprim e as nuk janë dhënë dënime si përgjigje ndaj shkeljeve, rrjedhimisht kjo praktikë është përsëritur herë pas here në vazhdimësi, dhe mu kjo gjë shpjegon zhgënjimin palestinez me OKB-në dhe ligjin ndërkombëtar.

Përgjigje disproporcionale

Çështja e statusit ligjor të Gazës është jashtëzakonisht e rëndësishme për hakmarrjen pa dallim dhe është sulm joproporcional, e cila edhe pse dihet qartazi është justifikuar nga Izraeli dhe mbështetësit e tij si hakmarrje e kërkuar duke ndjekur qëllimin e shkatërrimit të Hamasit.

Operacioni i luftëtarëve palestinezë të 7 tetorit brenda Izraelit, që shkaktoi më shumë se 1,400 vdekje izraelite dhe kapjen e rreth 200 pengjeve, ishte në vetvete një krim i veçantë lufte.

As sulmi i luftëtarëve palestinezë dhe as përgjigja e Izraelit nuk janë të lira nga kufizimet e ligjit dhe moralit. Me fjalë të thjeshta, krimet e kryera nuk u japin pandëshkueshmëri ligjore krimeve hakmarrëse izraelite të luftës.

Pika qendrore e humbur deri më tani në diskursin publik është kjo: ashtu si fraksionet e armatosura palestineze nuk kishin autoritet për të kryer krime lufte sepse ishin provokuar intensivisht nga dekada të tëra veprimesh kriminale izraelite, as Izraeli nuk ka autoritetin të veprojë jashtë kufizimeve të ligj kur hakmerret.

Korniza e duhur ndërkombëtare e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Hamasit – pavarësisht se është vendimtare për interpretimin e çështjeve ligjore, morale dhe politike në lojë – ka munguar në mënyrë të dukshme në shumicën e trajtimeve mediatike dhe qëndrimeve politike të liderëve politikë me ndikim perëndimorë.

Izraeli ka përdorur gjuhën më nxitëse dhe më të gjerë për të justifikuar përgjigjet e tij hakmarrëse. Ky ekstremizëm i paligjshëm izraelit është miratuar në mënyrë të butë nga qeveritë në SHBA, Francë, Gjermani dhe MB. Deklarata të tilla neglizhojnë të përmendin detyrimin e fuqisë pushtuese për të administruar territoret nën kontrollin e saj në mënyra që i japin përparësi mbrojtjes dhe mirëqenies së popullatës civile të pushtuar. Okupatori gëzon të drejtën reciproke për të ruajtur sigurinë e tij në mënyra që respektojnë dhe mbrojnë joluftëtarët.

Nga një këndvështrim i tillë, është konceptualisht mashtruese dhe normativisht e papranueshme që Izraeli t’i shpallë luftë një territori të pushtuar, sikur autoriteti administrativ indigjen të ishte një qeveri e huaj armike – por kjo është pikërisht ajo që ka bërë Izraeli, duke përfshirë pretendimet për vetëmbrojtje që nuk i përshtaten situatës së pushtimit luftarak.

Rrethimi gjenocidal

Izraeli i ka shpallur një luftë totale Gazës, duke imponuar një rrethim gjenocidal që ka ndërprerë furnizimet me ushqim, energji elektrike dhe karburant, duke mos vendosur asnjë masë për të përjashtuar civilët – shumica e të cilëve nuk kanë asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me aktivitetet ushtarake të Hamasit.

Neni 55 i Gjeneva IV përcakton detyrën e Izraelit si fuqi pushtuese për të siguruar që njerëzit që jetojnë në territorin që “pushton” të kenë ushqim, ujë dhe ilaçe të mjaftueshme. Por hakmarrja pa dallim e Izraelit ka përfshirë bombardime të përsëritura ajrore gjatë natës në zona të banuara, së bashku me shënjestrimin e ndaluar të spitaleve, shkollave dhe ndërtesave të OKB-së, ku shumë palestinezë kanë kërkuar strehim në këto kushte të jashtëzakonshme.

Një urdhër evakuimi 24-orësh i është drejtuar 1.1 milionë palestinezëve që jetojnë në Gazën veriore, pa sigurimin e kohës së arsyeshme për të rregulluar një largim kaq të rrezikshëm nga vendet e banimit afatgjatë, ky proces u përkeqësua nga mungesa e një vendi të sigurt dhe të banueshëm për palestinezët. Rreziqet shkojnë duke u intensifikuar për civilët në Gaza – dhe vuajtjet e tyre përkeqësohen gjithashtu. Një masë e tillë përbën dënim kolektiv ekstrem, i cili është i ndaluar me nenin 33 të Gjeneva IV. Ajo ka më pak të bëjë me sigurinë sesa me dëbimin e palestinezëve nga Gaza, duke zbatuar kështu vizionet e fundit të lojës së qeverisë së koalicionit ekstremist të Izraelit.

Është e rëndësishme të theksohet se Michael Lynk, raportuesi special i OKB-së për Palestinën, i paraqiti agjencisë një raport të detajuar se pse autoriteti i Izraelit si fuqi pushtuese duhet të ndërpritet, duke pasur parasysh dështimin e tij për të respektuar ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut në fuqi.

Ky rekomandim u injorua nga OKB-ja, por Asambleja e Përgjithshme ishte mjaft e shqetësuar nga modeli i sjelljes së Izraelit në Palestinën e pushtuar, saqë kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e vazhdueshme të statusit të Izraelit si fuqi pushtuese brenda kornizës së Gjeneva IV. Çështja aktualisht është në shqyrtim nga gjykata.

Nëse Perëndimi vazhdon të mbështesë standardet e dyfishta të shfaqura gjatë katastrofës humanitare që po shpaloset në Gaza, kjo do të shërbejë si një kujtesë se bota postkoloniale ruan një etikë të racizmit orientalist kur bëhet fjalë për trajtimin e çështjeve të paqes dhe drejtësisë në Lindjen e Mesme.

Duke dështuar të avokojnë për një armëpushim, shtetet perëndimore i kanë dhënë dritën jeshile agjendës së ndëshkimit kolektiv të Izraelit, e cila mund të jetë vetë mbulesë groteske për qëllimin përfundimtar të regjimit për shpronësimin masiv dhe spastrimin etnik të popullit palestinez.

E shkruar nga Richard Falk.

Richard Falk është një profesor amerikan emeritus i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Princeton dhe Kryetar i Bordit Administrues të Monitoruesit Euro-Mesdhetar për të Drejtat e Njeriut.

Solli në Shqip Abdurahman Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit