7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Rezoluta e PE-së për Turqinë vë në siklet Ballkanin

Më të lexuarat

Votimi i projekt-rezolutës së Parlamentit Evropian (PE) për pezullimin e përkohshëm të negociatave të Turqisë për anëtarësim duket se do të ndikojë edhe në shtetet e Ballkanit

Votimi i projekt-rezolutës së Parlamentit Evropian (PE) për pezullimin e përkohshëm të negociatave të Turqisë për anëtarësim duket se do të ndikojë edhe në shtetet e Ballkanit, veçanërisht kur merren parasysh deklaratat që pasuan në lidhje krizën e refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Deklaratat e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan pas rezolutës së PE-së për Turqinë zunë hapësirë të madhe në mediet e shteteve të rajonit ndërkohë që pa u vërejtur nuk ngeli as paraqitja e këtyre deklaratave në shumë organe mediatike si “kërcënim”.

Të shqetësuara nga “hapja e kufijve” të Turqisë pas deklaratave të presidentit Erdoğan për natyrën e krizës së refugjatëve, shtetet e Ballkanit në deklaratat e tyre kanë cilësuar se rezoluta e PE-së “nuk është as në interes të BE-së”.

Ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Evropiane Davor Ivo Stier theksoi në deklaratën e tij pas rezolutës së PE-së për Turqinë se pezullimi i negociatave me Turqinë nuk është në interes as të Kroacisë, as të BE-së, duke e shprehur më tej nevojën për ruajtjen e marrëdhënieve konstruktive dhe të balancuara mes BE-së dhe Turqisë.

Deklarata e tillë e shpejtë e Kroacisë si shtet në “Rrugën Ballkanike”, të cilën refugjatët e shfrytëzojnë për të arritur në shtetet e Evropës Perëndimore me shpresën për një jetë më të mirë, e shfaqi nevojën për ndjekjen e një politike më të balancuar dhe më racionale ndaj Turqisë, kundër një vale të re të mundshme të refugjatëve.

“Serbia e gatshme t’i mbrojë kufijtë”

Edhe Serbia, si shtet tjetër në “Rrugën Ballkanike”, nuk ngeli e heshtur ndaj zhvillimeve të fundit në linjën BE-Turqi. Ministri serb i Punës, Punësimit dhe Çështjeve Sociale Aleksandar Vulin tërhoqi vëmendjen se në rast të anulimit të marrëveshjes mes Turqisë dhe BE-së për refugjatët mund të ketë rritje në numrin e refugjatëve, duke shtuar se në një gjendje të tillë Serbia është e gatshme t’i mbrojë kufijtë.

Vulin theksoi se Serbia do t’i rrisë masat e sigurisë dhe do të bëjë ndryshime të nevojshme ligjore për mbrojtjen e kufijve në rast të një vale të mundshme të refugjatëve. Ai tha se Serbia, edhe pse mbase nuk mundet të ndikojë në politkën botërore, ajo do të mund t’i mbrojë kufijtë e saj.

Ndërkaq, në deklaratën nga Presidenca e Maqedonisë rikujtohet se që nga gushti i vitit 2015 është shpallur gjendje krize për shkak të vales së madhe të refugjatëve. Në deklaratë thuhet se “Menaxhimi i krizës u caktua për mbrojtjen e kufijve dhe korridoreve. Ka gjendje gatishmërie për reagim ndaj rreziqeve nga rritja e mundshme e numrit të refugjatëve dhe për skenare të reja”.

Vendimi do të ndikojë në mënyrë indirekte edhe në Ballkan

Megjithëse jo në mënyrë direkte, rezoluta e PE-së për Turqinë do të ndikojë në mënyrë indirekte në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nëse ndalimi apo pezullimi i negociatave mes BE-së dhe Turqisë do të rezultojë me një valë të re të refugjatëve, mbase shtetet që do të ndikohen më së shumti do të jenë shtetet që përshkohen nga “Rruga Ballkanike”.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, që shfrytëzohen si rrugë transitore nga refugjatët që kanë ikur nga shtetet e përfshira nga konfliktet në Azi dhe Afrikë, duket se do t’i kthehen ditëve të vjetra në rast se përballen me një valë të re të refugjatëve.

Që nga vera e vitit 2015 e deri në mbylljen e korridorit ballkanik në muajin mars në Ballkan kanë kaluar mbi një milionë refugjatë, proces ky në të cilin u përjetuan kohëra të vështira. Pamjaftueshmëria e qendrave të refugjatëve nëpër shtete dhe mungesa e mundësive shkaktoi drama humanitare, ndërkohë që zënkat thuajse të përditshme mes policisë dhe refugjatëve u bënë nga incidentet më të rëndësishme që u panë gjatë këtij procesi.

Derisa shtetet filluan me mbylljen e kufijve me gardhe prej teli dhe pozicionimin e ushtarëve dhe policëve në këto zona kundër valës së madhe të refugjatëve, vëmendje si problem tjetër i madh në krizën e refugjatëve tërhoqën edhe trafikantët me njerëz të cilët u aktivizuan pas mbylljes së kufijve.

Presidenti i Maqedonisë Ivanov: “20-30 milionë refugjatë potencialë”

Sado që të jetë zvogëluar numri i refugjatëve pas mbylljes së “Rrugës Ballkanike”, kalimet ilegale ende vazhdojnë.

Edhe pse kufiri dikur tejet i përfolur mes Greqisë dhe Maqedonisë pushoi së qenit temë diskutimi pas shpërndarjes së refugjatëve nëpër kampe në Greqi, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov vazhdoi të alarmojë për një valë të re dhe më të madhe të refugjatëve.

Ivanov, i cili më parë kishte deklaruar se do të ndodhë valë e re e refugjatëve dhe miliona refugjatë sërish do të mund të kalojnë në Evropë përmes “Rrugës Ballkanike”, së fundmi, në deklaratën e tij gjatë takimeve në Bullgari tha se ky numër mund të jetë rreth 20-30 milionë.

Nëse merren parasysh zënkat, dramat humanitare, masat e sigurisë dhe krizat edhe pse në rutën e Ballkanit kishin kaluar “vetëm” një milion refugjatë nga vera e vitit të kaluar deri në muajin mars të këtij viti, nuk është e vështirë të supozohet se si do të ndikoheshin shtetet në këtë korridor nga një valë e re më e madhe potenciale.

Prandaj, nëse rezoluta e PE-së për Turqinë do të ndikojë në marrëveshjen mes BE-së dhe Turqisë për refugjatët dhe “hapjen e dyerve” të Turqisë, shtetet e Ballkanit do të ngarkohen me kriza të reja. Rrjedhimisht, dëshira e shteteve në fjalë për marrëdhënie konstruktive dhe të balancuara mes BE-së dhe Turqisë nuk është për t’u habitur.

Shtetet e vogla të Ballkanit që mbase janë ndër vendet më të prekura nga kriza e refugjatëve, tani më “të djegur nga qumështi, dëshirojnë t’i fryejnë edhe kosit”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit