11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Respekt ndaj së pavërtetës?!

Më të lexuarat

Justinian Topulli

Epoka moderne, e cila karakterizohej nga dominimi i kultit të shkencës dhe arsyes së hyjnizuar njerëzore, pretendonte në mënyrë të padrejtë se kishte monopolin e së vërtetës përfundimtare për njeriun, jetën dhe botën, duke marrë kështu rolin e Zotit në tokë. Edhe pse sot në postmodernitet, ky kult është dobësuar dhe shumë nga ithtarët e tij kanë hequr dorë nga pretendimi i zotërimit të së vërtetës finale, në hapësirën e lirive që i është lënë religjionit, shumë prej njerëzve vazhdojnë të besojnë se besimi fetar është një çështje e ndërgjegjes dhe e shijeve individuale, të ndikuara padyshim nga kultura, tradita, historia dhe shoqëria. Kështu që në përzgjedhjen e tyre, nuk ka vend për gjykim racional e shkencor, aq më tepër për një gjykim të bazuar në dijen hyjnore të besimit monoteist. Pra, sipas këtij qëndrimi mjaft të përhapur, nuk ka një të vërtetë absolute për çështjen e besimit, por ajo qenka relative, subjektive, apo thjesht një e vërtetë individuale dhe klanore, jashtë çdo analize vërtetësie për të, ku çdokush mund të besojë çfarë të dojë dhe si të dojë dhe ndërkohë, askush nuk ka të drejtën ta kritikojë atë, përndryshe -sipas disave- cenoka edhe bashkëjetesën fetare dhe respektin për lirinë individuale të ndërgjegjes!

Ndërkohë, përkundrejt kësaj mendësie pagane – që të kujton tolerancën politeiste romake ndaj të gjitha kulteve dhe intolerancën e saj karshi Krishterimit që i kundërvihej politeizmit – qëndron përballë e Vërteta, që përcillet nga monoteizmi i të gjithë profetëve të Zotit. Kjo e Vërtetë, veç të cilës nuk ka tjetër, sepse vjen nga vetë Krijuesi i botës, na tregon qartësisht se ka besime të sakta dhe të pasakta. Dhe besim i saktë është ai besim që mbështetet te dija, përndryshe nuk do të kish dallim mes atij që beson në një Krijues, e atij që beson në dy a më shumë krijues dhe atij që nuk beson në asnjë Krijues. Të gjithë këta mund të thonë se besimi është çështje ndërgjegjeje, dhe nuk ka vend për polemika logjike, kritika apo saktësime, kështu që askush nuk ka të drejtë t’i thotë tjetrit se ti e ke gabim besimin ose mosbesimin tënd!

Kurani na tregon vazhdimisht, në historitë që përcjell, se të gjithë profetët e Zotit, pa përjashtim, janë kundërshtuar dhe luftuar nga popujt e tyre, jo sepse ata predikonin besimin dhe adhurimin e një Zoti, por për shkak se kritikonin dhe shpallnin si të pavërtetë çdo besim dhe praktikë që kishte në të elementë të politeizmit dhe idhujtarisë. Përkundrejt kësaj vendosmërie të paepur të profetëve, politeistët iu kërkonin atyre së paku të pranonin kompromisin e mosndërhyrjes te besimi i tjetrit dhe respektimin e idhujve dhe kulteve të tyre. Kjo kërkesë shpesh e dhunshme apo edhe joshëse, gjente justifikimin e vet tek tradita, trashëgimia e të parëve dhe numri i madh i njerëzve që e ndiqnin. Ky kompromis ofronte si shkëmbim paqen sociale dhe mos zhbërjen e unitetit shoqëror mes njerëzve; të njëjtën gjë bën edhe rendi i sotëm politeist i shekullarizmit, që i “bashkon” njerëzit duke i lënë të përçarë në “të vërtetat” e tyre. Mirëpo, përkundrejt kësaj “paqeje sociale” duhej të sakrifikohej e Vërteta Hyjnore dhe profetët do të duhet të zgjidhnin mes obligimit për të kumtuar të Vërtetën dhe për t’iu bindur Dërguesit të tyre, apo pajtimit me gjendjen dhe traditat politeiste të njerëzve. Rrugë të mesme nuk kishte. Dhe padyshim, dihet që profetët zgjodhën Krijuesin, të Vërtetën, zgjodhën atë për të cilën sakrifikuan veten dhe që ishte kauza madhore e jetës së tyre. Kjo, sepse nuk mund të ketë kompromis mes të jetuarit me Krijuesin e të Vërtetën që vjen prej Tij, dhe krijesave të Tij që refuzojnë të jenë të bindur, mirënjohës dhe adhurues vetëm ndaj Tij. Kjo zgjedhje është në fakt edhe një nga dallimet thelbësore mes jetës së mundimshme me të cilën u përballën profetët dhe jetës së rehatshme të shumë prej ndjekësve të tyre, ku këta të fundit kanë pranuar “rehatinë e kompromisit social” me të pavërtetat në çështjen e besimit, duke u bërë kështu pengesë në përhapjen e së vërtetës, në vend që të ishin promotorët e saj.

Bashkëjetesa fizike në këtë botë, mes ithtarëve të besimit të vërtetë dhe atij të pavërtetë, është pjesë e jetës dhe e sprovës njerëzore dhe vetë Krijuesi është Ai, që e ka de-legjitimuar ndërhyrjen njerëzore për zhdukjen e dhunshme të këtij realiteti human, por kjo nuk do të thotë kurrsesi se ka për të pasur ndonjëherë kompromis religjioz për të Vërtetën, mes ithtarëve të saj dhe refuzuesve. Krijuesi ynë e thotë qartësisht se cili është kompromisi i vetëm mes njerëzve për çështjen e Tij dhe të besimit; në formë urdhërore Ai i drejtohet Profetit të Tij të fundit duke i thënë:
“Thuaju: “O ithtarë të Librit! Ejani në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe mes jush: “Të mos adhurojmë asnjë tjetër përveç Allahut e të mos i bëjmë Atij shok në adhurim dhe të mos e konsiderojmë njëri-tjetrin si zota veç Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, thuaju: “Dëshmoni se ne jemi myslimanë!” (Kurani 3: 64)
Ata myslimanë, qofshin këta edhe klerikë, që ndalojnë tek pjesa e ajetit të mësipërm “Ejani në një fjalë të përbashkët…”, duke kërkuar me këtë kompromisin religjioz ose pranimin dhe justifikimin e besimeve të tjera dhe duke mos bërë dallim mes bashkëjetesës së domosdoshme jetike në këtë botë dhe ndarjes për shkak të së Vërtetës, kam frikë se preken nga paralajmërimi Kuranor i fshehjes së të Vërtetës, që thotë: “Mbi ata që i fshehin argumentet e qarta dhe udhëzimin që Ne shpallëm, pasi Ne ua sqaruam ato njerëzve në Libër, do të bjerë mallkimi i Allahut dhe mallkimi i mallkuesve.” (Kurani 2: 159)

Një besimtar i vërtetë mysliman, që ndjek Kuranin, Profetin Muhamed (alejhi salatu ue selam) dhe mbarë profetët e tjerë, e pranon bashkëjetesën në këtë botë me ateistët dhe ithtarët e besimeve të tjera, qofshin me fe ose pa fe, dhe nuk iu cenon atyre jetën, pasurinë dhe nderin, por njëkohësisht, ai kritikon dhe hedh poshtë me argumente të pavërtetën që ata mbartin dhe i fton ata, pa i dhunuar, të pranojnë të Vërtetën e Krijuesit dhe ta bëjnë atë pjesë të jetës së tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit