Paqja e pamundur nga një shtet krijuar mbi gjak e që ushqehet me gjak
Izraeli mbështet vendimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të pezulluar sulmet ndaj Iranit për dy javë, njoftoi zyra e kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën, më 8 prill.
Megjithatë, Netanyahu veçon një gjë.
“Armëpushimi nuk përfshin Libanin”, tha kryeministri izraelit në një deklaratë.
Benjamin Netanyahu mbështet veprimin e SHBA-së me kusht që Teherani të rihapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit dhe të ndalojë sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe vendeve në rajon.
Deklarata vjen pasi Uashingtoni njoftoi një pezullim dyjavor të sulmeve ndaj Iranit, që synon qetësimin e konfliktit dhe hapjen e hapësirës për negociata.
Izraeli tha gjithashtu se mbështet përpjekjet e SHBA-së për të siguruar që Irani të mos paraqesë më një kërcënim bërthamor, raketor ose “terrorist” për Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe fqinjët e tij arabë.
Ai shtoi se Uashingtoni e informoi Izraelin se mbetet i përkushtuar ndaj qëllimeve të përbashkëta në negociatat e ardhshme.
Irani njoftoi të mërkurën, më 8 prill, se negociatat me SHBA-në do të fillojnë të premten, më 10 prill, në Islamabad.
Dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë konfirmuan më parë se Izraeli kishte rënë dakord për një armëpushim dyjavor dhe një ndalim të bombardimeve ndaj Iranit, ndërsa kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen, njoftoi në rrjetin X se marrëveshja përfshin gjithashtu një ndalim të operacioneve izraelite në Liban.
Ofensiva e Izraelit në Liban deri më tani ka marrë të paktën 1,500 jetë dhe ka zhvendosur rreth 1.2 milion njerëz. Libani u përfshi në konflikt pasi Hezbollahu qëlloi raketa drejt Izraelit në solidaritet me Teheranin, dy ditë pasi Irani sulmoi Izraelin dhe SHBA-në. Sulmi shkaktoi një ofensivë të re tokësore dhe ajrore izraelite.
Duke gjykuar këtë reagim të Netanyahu-t dhe vijimin e sulmeve në Gaza duke shkelur hapur marrëveshjen e armëpushimit, paqja mes Iranit dhe Uashingtonit vështirë se mund t’i rezistojë të gjitha makinacioneve të Izraelit për ta zhbërë atë.
Sepse është një shtet i ndërtuar mbi gjak dhe që ushqehet me gjak! /tesheshi.com/
