10.9 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Raundi i tretë i negociatave Rusi-Ukrainë përfundon me “zhvillime të vogla pozitive”

Më të lexuarat

“Raundi i tretë i negociatave ka përfunduar. Ka zhvillime të vogla pozitive në përmirësimin e logjistikës së korridoreve humanitare”, shkroi në rrjetet sociale Mikhail Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas


Një zyrtar ukrainas ka bërë të ditur se raundi i tretë i negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës ka përfunduar me “zhvillime të vogla pozitive” në përmirësimin e korridoreve humanitare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas ndërprerjes së përpjekjeve të fundjavës për të lëvizur civilët ukrainas nëpër korridore dhe kritikave ndaj përpjekjes ruse për të drejtuar korridoret e tilla drejt vetë Rusisë dhe aleatit të saj, Bjellorusisë, rëndësia për korridoret humanitare është shtuar.

“Raundi i tretë i negociatave ka përfunduar. Ka zhvillime të vogla pozitive në përmirësimin e logjistikës së korridoreve humanitare”, shkroi në rrjetet sociale Mikhail Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas.

Podolyak po ashtu tha se kanë vazhduar konsultimet intensive mbi “bazën e rregulloreve të bllokut politik, si dhe për armëpushimin dhe garancitë e sigurisë”.

Raundi i fundit i negociatave midis Moskës dhe Kievit nisi sot më herët në qytetin bjellorus Brest. Delegacioni i Moskës udhëhiqet nga ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Medinsky, ndërsa ai i Kievit udhëhiqet nga Podolyak.

Pritet që këto negociata të trajtojnë çështje politike dhe ushtarake, si dhe ndihmën humanitare ndërkombëtare.

Moska ka kushte të ndryshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ajo dëshiron që Ukraina të ndryshojë kushtetutën e saj dhe të përjashtojë synimin për t’u bashkuar me ndonjë aleancë dhe që Kievi të njohë si territor rus Krimenë e aneksuar ilegalisht.

Në shkurt të vitit 2019, parlamenti ukrainas miratoi amendamente në kushtetutë që përfshijnë dëshirën e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n.

Ndërkohë, Kiev kërkon që lufta në territorin e tij të përfundojë dhe që trupat ruse të tërhiqen plotësisht nga tokat ukrainase, përfshirë nga rajonet e Krimesë dhe Donbasit.

Raundi i parë i negociatave u zhvillua më 28 shkurt në Gomel të Bjellorusisë pranë kufirit me Ukrainën dhe zgjati rreth pesë orë. Raundi i dytë u zhvillua më 3 mars po ashtu në Brest.

Sot më herët, Rusia njoftoi se do të shpallë një “armëpushim të përkohshëm” nga ora 10 para dite në kryeqytetin ukrainas Kiev, si dhe në qytetet Mariupol, Kharkiv dhe Sumy, me qëllim për të siguruar evakuimin e civilëve.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit