10.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Qeveria e Shqipërisë miraton protokollet e aderimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë

Më të lexuarat

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë tha se dhanë zyrtarisht dakordësinë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në NATO të këtyre dy vendeve

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar sot në parim protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë tha se dhanë zyrtarisht dakordësinë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në NATO të këtyre dy vendeve.

“Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre de jure në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Hapi final, përpara se të dy vendet të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO është depozitimi i instrumentit të anëtarësimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në cilësinë e shtetit depozitues të këtij traktati”, tha Xhaçka.

Ajo shtoi se është një zhvillim i rëndësishëm, që forcon akoma më shumë sigurinë në hapësirën euro-atlantike, por sipas saj, që forcon njëkohësisht edhe bashkëpunimin mes NATO dhe Bashkimit Evropian.

“Është një zhvillim që vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus kundër Ukrainës. Fakti që dy vende si Finlanda dhe Suedia, me një traditë të gjatë neutraliteti, ndjejnë sot nevojën të anëtarësohen në NATO flet qartë në njërën anë për nivelin e kërcënimit me të cilin përballet sot e gjithë Evropa e në anën tjetër për besimin që gëzon NATO si një organizatë e aftë të garantojë sigurinë kolektive të çdo vendi anëtar edhe përballë një kërcënimi të këtyre përmasave”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi se Shqipëria e ka mbështetur gjithmonë politikën e dyerve të hapura nga ana e NATO-s, për të gjithë ato vende që plotësojnë kriteret e anëtarësimit. “Por ne shpresojmë që ky moment, zgjerimi do të shërbejë për t’i dhënë një momentum të ri zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s edhe në Ballkanin Perëndimor, e këtu dua të theksoj sidomos rastin e Kosovës, e cila ndan me Aleancën të njëjtat parime e të njëjtat vlera”, u shpreh Xhaçka.

Kujtojmë se disa ditë më parë, ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë i dorëzuan Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, letrat zyrtare të aplikimit për anëtarësim në NATO.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit