20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Qëndresa ndaj pushtetit faraonik – Gerdi Demneri

Më të lexuarat

Përballja e Musait me magjistarët dhe pranimi i mesazhit profetik prej këtyre të fundit la shenjë te dëshmuesit e kësaj ngjarjeje. Prej izraelitëve, pas shpalljes së besimit nga ana e magjistarëve, “600,000 mijë vetë u shndërruan në ndjekës të Musait” (Ibën Xherir et-Tabari). Edhe pse Faraoni i vrau magjistarët duke ua copëtuar fillimisht gjymtyrët dhe duke i kryqëzuar më pas, ai e la të lirë Musain nga frika e efektit që do të kishte te njerëzit persekutimi apo vrasja e tij.

Megjithatë, ai vazhdoi persekutimin e izraelitëve me shpresën se terrorizimi i tyre do ta dobësonte në mënyrë të tërthortë Musain. Këtë strategji Faraoni vendosi ta ndjekë pas konsultimit me rrethin e tij të afërt, i cili i shprehu fillimisht shqetësimin për lirinë e Musait: “Elita e popullit të Faraonit tha: A po e lë të lirë Musain dhe popullin e tij që të shkaktojnë korruptim në tokë dhe të të braktisin, ty dhe hyjnizimin tënd?!” (El-A’araf 7, 127).

Korruptimi të cilit i druhej elita ishte përhapja e mesazhit profetik tek egjiptasit dhe “ndryshimi i fesë së tyre, sepse duke ua korruptuar fenë popullit të Faraonit, izraelitët do të arrinin të merrnin pushtetin” (Fakhr ed-Din er-Razi). Sa i takon hyjnizimit të Faraonit, Ibën Abbasi ka thënë se “Faraoni ishte një njeri që adhurohej dhe nuk adhuronte kënd” (Ibën Xherir et-Tabari).Përgjigja e Faraonit ndaj shqetësimeve të elitës përreth tij ishte: “Do t’ua masakrojmë fëmijët dhe do t’ua lëmë gjallë gratë e tyre. Pa dyshim ne jemi përmbi ta gjunjëzues” (El-A’araf 7, 127).

Cilësia e përkthyer si ‘gjunjëzues’, me të cilën Faraoni vlerësoi veten dhe rrethin e tij të afërt, në arabisht është shumësi i fjalës “kahir” që mbart kuptimet e “mposhtjes, mbizotërimit, dhe nënshtrimit” të dikujt (William E. Lane). “El-Kahir” — Gjunjëzuesi — është një nga cilësitë e Zotit: “Ai është Gjunjëzuesi, përmbi robërit e Tij” (El-En’am 6, 61). Fakti që Faraoni shprehet për veten e tij me një epitet të përdorur në Kuran për të përshkruar Zotin është tregues i pretendimit të tij për t’u hyjnizuar. Këtë ai e shprehu kur e kërcënoi Musain: “Nëse do të konsiderosh si hyjni dikë tjetër përveç meje do të të bëj prej të burgosurve!” (Esh-Shu’ara 26, 29), dhe kur iu drejtua rrethit të tij të afërt me fjalët: “O ju të elitës, nuk di të keni hyjni tjetër përveç meje” (El-Kasas 28, 38).

Zoti e cilëson Faraonin dhe pushtetin e tij, e për rrjedhojë çdo pushtetar dhe pushtet që shfaq tiparet e tij, si korruptues. Në ajetin e katërt të sures Kasas, Ai e përshkruan kështu sundimin e Faraonit përpara shfaqjes së Musait me mesazhin profetik: “Faraoni e lartësoi veten e tij në tokë dhe banorët e saj i përçau në grupe. Njërin prej tyre e shtypi duke ua therur bijtë dhe duke u lënë gjallë gratë. Ai ishte vërtet prej korruptuesve”.

Musai u kërkoi izraelitëve të bënin durim ndaj persekutimit dhe masakrave qe kryente Faraoni nëpërmjet ushtarëve të tij: “Kërkoni ndihmë prej Allahut dhe bëni durim! Nuk ka dyshim se toka është e Allahut, ia lë trashëgim atë kujt të dojë prej robërve të tij. E përfundimi i lëvdueshëm i takon të vetëdijshmëve për Zotin” (El-A’araf 7, 128).

Izraelitët shfaqën një lloj padurimi me persekutimin kur ai nuk u ndal, jo vetëm pas përqafimit të mesazhit të Musait, por edhe pas mposhtjes në mënyrë publike të magjistarëve: “Ishim të persekutuar përpara se të vije e u persekutuam edhe pas ardhjes tënde. Ai u përgjigj: Ka mundësi që Zoti juaj ta asgjësojë armikun tuaj dhe t’ju bëjë trashëgimtarë në tokë, që të shohë si do të veproni“ (El-A’araf 7, 129).

Nxjerrja në pah e kësaj ndjesie të brendshme është një ligjësi hyjnore që përsëritet në mënyrë të rregullt në mesin e besimtarëve, të cilët presin të shohin ngadhënjimin e besimit. Sipas perceptimit njerëzor, ndihma dhe shenjat e Zotit duket sikur vonojnë, kurse ato shfaqen në momentin që përmbushen të gjitha kushtet e ciklit të ligjësisë hyjnore, të cilat përcaktojnë ardhjen e ndihmës së Zotit: “A mos menduat se do të hyni në parajsë pa kaluar sprova të ngjashme me ata që kanë qenë përpara jush?! Ata u goditën me vështirësi e vuajtje dhe u tronditën aq sa, Profeti dhe ata që besuan bashkë me të, të thonë: Kur po vjen ndihma e Allahut?! Por ja, ndihma e Allahut është vërtet afër!” (El-Bekarah 2, 214).

Në ajetin 137 të sures A’araf, Zoti tregon shpërblimin e izraelitëve për durimin e treguar, në përmbushje të premtimit të Tij të mëparshëm: “Ne i trashëguam popullit që konsiderohej si i dobët tokat e bekuara në lindje dhe në perëndim. Premtimi sublim i Zotit tënd për bijtë e Izraelit u bë realitet sepse ata qëndruan me durim, ndërsa Ne rrafshuam ndërtesat që Faraoni dhe populli i tij ngrinin dhe lartësonin”.

Në situata të tjera nga ajo e izraelitëve, besimtarët mund të përballen me forma të ndryshme të ushtrimit të dhunës nga pushteti me tipare faraonike. Nëse persekutimi policor është një formë e hapur agresioni, dhuna e dimensioneve të tjera të pushtetit faraonik, atij politik, ekonomik dhe mediatik, shfaqet në forma më të buta, por njësoj denatyruese dhe shpërfytyruese. Qëllimi i tyre është i njëjti: korruptimi i shpirtit njerëzor. Nëse korruptimi politik shfaqet me dhënien e një posti, dhe ai ekonomik me përfitimin e të mirave materiale, korruptimi i propagandës mediatike synon shtrembërimin e të vërtetës për qëllimin dhe kuptimin e jetës, e cila është e ngulitur në thelb të shpirtit.

Mbrojtja e preferuar e pushtetit korruptues është akuzimi i kumtuesit të mesazhit profetik për korruptimin e njerëzve nëpërmjet ideve që mbartin fjalët e shpalljes hyjnore. Kështu, rrethi i ngushtë i Faraonit e nxiti atë të shtypte që në zanafillë përhapjen e mesazhit të Musait, duke i sugjeruar edhe justifikimin për këtë veprim: “A po e lë të lirë Musain dhe popullin e tij që të shkaktojnë korruptim në tokë dhe të të braktisin, ty dhe hyjnizimin tënd?!” (El-A’araf 7, 127). Këtë sugjerim të elitës Faraoni e përvetësoi dhe e përçoi në popull, teksa e paralajmëroi për rrezikun që po i vinte prej Musait dhe i kërkoi miratimin për ta vrarë atë: “Lejomëni ta vras Musain dhe le t’i lutet Zotit të tij! Unë kam frikë se mos jua ndërron fenë, ose shkakton korruptim në tokë”. (Ghafir 40, 26).

Propaganda mediatike nuk mbeti mbrapa në shpërndarjen e ideve korruptuese, të gatuara në korridoret e majës së pushtetit politik, në bashkëpunim me rrethin e ngushtë. Por, sado i fuqishëm efekti korruptues i magjisë mediatike, e vënë në funksion të pushtetit politik dhe elitës së korruptuar, Zoti e prish megjepsjen e shkaktuar prej saj me vërtetësinë e mesazhit profetik: “E kur erdhën magjistarët, Musai u tha: Vërvitni çfarë keni për të vërvitur! Kur magjistarët vërvitën, Musai tha: Ajo që sollët është magji, Allahu ka për ta zhvleftësuar atë! Pa dyshim, Allahu nuk i jep vlerë veprës së korruptuesve!” (Junus 10, 80–82)

Zoti u premtoi izraelitëve, dhe nëpërmjet shembullit të tyre çdo bashkësie që ndjek rrugën të cilën ata përvijuan, se durimi dhe besimi i sigurt te shenjat e Zotit shpërblehet me shndërrimin e të palëkundurve në udhëheqës. Udhëheqës jo të korruptuesve dhe të të korruptuarve, por të atyre që janë të vetëdijshëm për Zotin, duke i bërë mëkëmbës të çështjes së Zotit në tokë. Ajeti 24 i sures Sexhde e përshkruan kështu rrugëtimin e udhëheqësve në mesin e izraelitëve: “Ne përgatitëm nga mesi i tyre udhëheqës, të cilët udhëhoqën sipas urdhrit Tonë, sepse ata treguan durim dhe bindje të sigurt në shenjat Tona”.

Musai e mbyll fjalën e tij inkurajuese për izraelitët duke u premtuar se përfundimi i lëvdueshëm u takon atyre që janë të vetëdijshëm për Zotin. Edhe nëse ndodh që të mos arrijnë të mbizotërojnë në tokë, shpërblimi i tyre në botën tjetër është i sigurt: “Ajo është bota e përtejme, të cilën e kemi përgatitur për ata që nuk synojnë arrogancën, dhe as korruptimin, në tokë. E përfundimi i lëvdueshëm i takon atyre që janë të vetëdijshëm për Zotin” (El-Kasas 28, 83).

Sa i takon fundit të korruptuesve, të cilët korruptojnë shpirtrat e njerëzve dhe tokën, historia e ka dëshmuar vazhdimisht se si përfundojnë. Për ata që lexojnë, meditojnë dhe kuptojnë, përkujtimi i Zotit mjafton: “Faraoni dhe populli i tij i mohuan shenjat e Zotit — ndërkohë që ishin të sigurt në vetvete për vërtetësinë e tyre — me padrejtësi dhe arrogancë. Prandaj, shih si ishte përfundimi i korruptuesve!” (Ibrahim 27, 14).

Përgatiti: Gerdi Demneri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit