12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Porosi me rastin e fillimit të vitit shkollor

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e të gjitha botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Pa dyshim se dituria është njëra ndër objektivat dhe nevojat kryesore për ngritjen dhe përparimin e individit dhe të shoqërisë. Nevoja për dituri dhe njohuri asnjëherë nuk shuhet; ashtu si ndihet nevoja për ushqim, ashtu është edhe dituria ushqim i mendjes dhe i shpirtit. Zaten, Muhamedi salallahu alejhi ue selem, që kur i zbritën fjalët e para “LEXO” e deri në fund të vdekjes, i qëndroi besnik mësimit dhe ia mësoi umetit besimin e pastër në Allahun e Lartësuar.
Mbi vlerën dhe rëndësinë e diturisë kemi argumente të shumta nga Libri i Allahut, Kurani dhe tradita profetike, Suneti. Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaj: “A janë ata që dinë, njësoj me ata që nuk dinë?!” (Zumer, 9)

Jo, për Allahun! Nuk janë të barabartë. Ai i cili e beson Allahun e Lartësuar me dituri e me udhëzim nuk është i barabartë me atë i cili e beson Allahun me injorancë, epsh, bidate, etj.. Allahu i Lartësuar i ngriti dhe i veçoi kërkuesit e diturisë në shkalla më të larta, sepse janë ata që kanë më së tepërmi frikë dhe respekt, besim dhe besnikëri ndaj Allahut. Në vazhdim le të lexojmë fjalët e Allahut të Lartësuar:
“Vërtet, ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët.” (Fatir, 28)

“Allahu t’i lartësojë ata që besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dija në grada të larta.” (Muxhadele, 11)
“Dhe ata të cilëve u është dhënë dija, shohin se ajo që të shpallet ty (o Muhamed) nga Zoti yt është e vërteta dhe që udhëzon drejt Rrugës së të Gjithëmëshirshmit, Zotëruesit të të gjitha lavdërimeve.” (Sebeë, 6)

Pas këtyre fjalëve të Allahut, le të lexojmë edhe disa fjalë nga Suneti i të Dërguarit të Allahut mbi vlerën dhe rëndësinë e diturisë. Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Kush niset për në rrugë duke kërkuar dije, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet. Vërtet edhe melaqet ia shtrijnë krahët kërkuesit të diturisë nga kënaqësia me veprën e tij. Për dijetarin falje kërkon çdo gjë në qiej dhe në tokë, edhe peshqit në ujë. Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të Pejgamberëve. Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi dinarë e as dërhemë, por kanë lënë për trashëgimi dijen.” (Transmeton Ebu Davudi)

“Kujt i dëshiron Allahu mirë, ia mundëson që ta kuptojë fenë.” (Transmeton Buhariu)

Të nderuar besimtarë!
Jemi në fillim të vitit shkollor. Të hënën fëmijët e popullit tonë do të drejtohen drejt shkollave për t’u ulur në bankat shkollore. I lutemi Allahut Fuqiplotë ta bëjë këtë vit, vit të suksesit, të mirësive, të lumturisë dhe të bereqetit për fëmijët tanë dhe vit të krenarisë dhe të fitores së Islamit dhe të muslimanëve!
Ky vit shkollor do t’i ndriçojë fëmijët e popullit tonë me dituri dhe njohuri. Me dëshirë dhe me kënaqësi, prindërit i drejtojnë fëmijët e tyre drejt shkollave me shpresën dhe dëshirën se do të zbukurohen me mësim, besim dhe moral. Kështu, me këto tri vlera, do të lëvizë rrota e përparimit dhe e ngritjes në shoqërinë tonë dhe do të përcaktohet ardhmëria e Islamit dhe e muslimanëve nëpërmjet gjeneratave të edukuara në frymën e besimit dhe të moralit të pastër islam.

Është më rëndësi të kujtojmë së bashku se shpirti i veprimit edukativo-mësimor, ose motori bazë nga i cili aktivizohen, janë një grup i dalluar dhe i veçuar, i respektuar dhe i nderuar, i dashur dhe i pranuar që ka një pozitë të lartë në fe dhe në shoqëri, pra mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e fëmijëve të popullit tonë. Prindërit me mjaft besim ua kanë besuar mësimdhënësve fëmijët e tyre, më të dashurit e tyre, që ata t’i edukojnë dhe t’i aftësojnë për një të ardhme më të mirë. Mësimdhënësit janë yje që ndriçojnë hapësirën qiellore të shkencës dhe të njohurive të dobishme. Ata janë llambë ndriçuese që shndrit rrugët e errëta. Ata janë misionarë ashtu siç ishin të Dërguarit e Allahut, që u mësonin popujve besimin e drejtë,

Të nderuar mësimdhënës!
Këshilloj veten së pari dhe po ashtu edhe ju, që të mos harroni se mësimdhënia është një detyrë e shenjtë, amanet me përgjegjësi. Nuk duhet lejuar që kjo përgjegjësi të keqpërdoret, të asgjësohet. Nëse ky amanet nuk kryhet me nder, atëherë është treguar tradhti dhe shpërdorim i amanetit. Këta fëmijë janë amanet në supet tuaja. Allahu i Lartësuar thotë:
“O ju që keni besuar! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, as mos e tradhtoni me dashje amanetin (mos shpërdoroni atë që ju është besuar dhe gjithë detyrimet që ju ka caktuar Allahu).” (Enfal, 27)

Duhet të kujtojmë së bashku se dituria, edukata dhe morali janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ato nuk ndahen asnjëherë. Duhet pasur në konsideratë se duke ofruar njohuri, ofrohet edukata dhe mirësjellja. Atyre duhet t’u mësohet morali i shëndoshë, morali i pastër hyjnor, që buron nga feja e pastër. Të edukohen gjeneratat në mesataren që porosit Islami, jo ne shfrenim të pakontrolluar e as në ekstremizëm. Fëmijët të mësohen që të kultivojnë moralin, edukatën, tolerancën, mirëkuptimin, çdo gjë që është në interesin e fëmijëve tanë dhe të popullit tonë. Fëmijëve t’u mësohet se çka është e keqja, imoraliteti, paturpësia, injoranca, etj., me qëllim që të ruhen dhe të mbrohen nga rrymat dhe drejtimet që e luftojnë dijen e dobishme, fenë dhe moralin.

Të nderuar prindër!
Kini frikë Allahun e Lartësuar dhe bëhuni të përgjegjshëm me fëmijët tuaj në edukimin e tyre, mbillni të mirën në shpirtrat e tyre. Çdo herë përpiquni që t’ua ngrini moralin për mësim. Mësojini fëmijët tuaj që t’i respektojnë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët. Mësojini fëmijë tuaj që mësimin ta bëjnë për hir të Allahut të Lartësuar; leximi, mësimi, studimi të jetë vetëm në emër të Allahut.
Nderojini dhe respektojini mësuesit e fëmijëve tuaj, vizitojini nëpër shkolla dhe merrni në konsideratë mundin që bëjnë.

Të nderuar besimtarë!
Dituria është urdhër dhe obligim që i paraprin besimit në Allahun e Lartësuar. Ai thotë: “Dije, pra, se pa dyshim La ilahe il-lallah (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar pos Allahut), dhe kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret.” (Muhamed, 19)

Dituria i paraprin fjalës dhe veprës.
Dituria sjell bereqetin e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Dituria është obligim i të gjithëve dhe kërkohet nga të gjithë.
Dituria kërkon përpjekje, angazhim dhe sakrificë.
Dituria është e lehtë për atë që është serioz dhe i vendosur.
Dituria të rendit në radhët e dëshmitarëve të Allahut të Lartësuar.
Dituria të bën të nderohesh para krijesave të Allahut.

 

Të nderuar besimtarë!
Dituria, shkenca nuk lind me njeriun, por përfitohet në forma dhe mënyra të ndryshme. Atëherë, të gjithë të mobilizohen dhe të krijojnë kushte dhe mundësi që fëmijët tanë të fitojnë dije. Vetëm me dituri muslimanët mund të realizojnë qëllimet e veta.

Allahu im! Të lutemi të na pajisësh me dituri të dobishme.
Allahu im! Ruaji të rinjtë dhe të rejat tona nga devijimi, imoraliteti e injoranca!
Allahu im! Bëje këtë vit shkollor, vit të bereqetit dhe të të mirave!

 

Ulvi Fejzullahu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit