20.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Policët i rrahin njerëzit dhe gënjejnë në gjyq dhe nuk e rrezikojnë vendin e punës

Më të lexuarat

Dosje të brendshme të Departamentit të Policisë së New Yorkut (NYPD) tregojnë se qindra oficerë që kanë kryer krimet më serioze – që nga gënjeshtrat para jurive në gjyq deri në sulmet fizike kundër njerëzve të pafajshëm – i kanë mbajtur vendet e punës, pensionet dhe pushtetin e tmerrshëm mbi jetën e njujorkezëve.

Dokumentet sekrete të siguruara nga BuzzFeed News zbulojnë se nga 2011 deri më 2015 të paktën 319 punonjës të NYPD që kryen shkelje serioze të mjaftueshme për t’u pushuar nga puna, u mbajtën në detyrë.

Shumë nga oficerët gënjyen, mashtruan, vodhën apo sulmuan banorët e qytetit. Të paktën 50 punonjës gënjyen në raportet zyrtare, nën betim apo gjatë hetimeve të kontrollit të brendshëm. 38 u shpallën fajtorë nga gjykata e policisë për teprim force, përfshirje në sherr apo për shtënie me armë në mënyrë të panevojshme. 57 rezultuan fajtorë për ngarje makine nën influencë alkooli ose droge. 71 ishin fajtorë për fiksim gjobash. Një oficer, Jarrett Dill, kërcënoi të vriste dikë. Një tjetër, Roberson Tunis, ngacmoi seksualisht dhe preku në mënyrë të papërshtatshme një koleg. Disa ishin fajtorë për shkelje më të vogla, si për shembull përgojimi i eprorëve.

Të paktën dy duzina nga këta efektivë punonin në shkolla. Andreë Bailey u shpall fajtor për kapjen e një studenteje nga kofsha dhe puthje në faqe teksa ajo ishte në makinën e tij. Në parkingun e një shkolle, kur duhej të ishte në shërbim, Lester Robinson puthi një grua, hoqi këmishën dhe nisi të hiqte edhe pantallonat. Ndërsa Juan Garcia, jashtë shërbimi, i shiti ilegalisht ilaçe recete një oficeri nën mbulim.

Në çdo rast, komisioneri i policisë, i cili ka fjalën e fundit në vendimet disiplinore, firmosi “pushim me kusht”, një dënim me pak pasoja reale. Oficeri vazhdon të qëndrojë në punë me pagën e zakonshme. Mund të marrin më pak për orë shtesë dhe nuk gradohen gjatë kësaj periudhe, e cila zakonisht zgjat një vit. Kur mbaron viti, mbaron edhe dënimi.

Sot shumë prej tyre vazhdojnë të patrullojnë rrugët, arrestojnë njerëz, i fusin në burg dhe dëshmojnë në proceset penale. Por të arrestuar kanë pak mundësi të mësojnë për rekordet e oficerit. Kështu që janë të detyruar të përballen me vendime që mund t’u ndryshojnë jetën –nëse duhet të kundërshtojnë akuzat në gjyq apo të pranojnë fajin për dënim më të butë – pa e ditur, për shembull, që oficeri që i arrestoi është një gënjeshtar i dënuar, informacion të cilin juria e gjyqit mund ta shohë si të rëndësishëm.

Raportimi i BuzzFeed News bazohet në qindra faqe nga dosje të brendshme të policisë, të cilat, si të gjithat rekordet kriminale, departamentet i mbajnë të fshehta, duke cituar një ligj shteti polemizues mbi “të dhënat e personelit”. Materialet u dhanë nga një burim që kërkoi të mbetej anonim. Më pas ato u verifkuar nga më tepër se 100 telefonata me të punësuar të NYPD, vizita në shtëpitë e oficerëve, intervista me prokurorët dhe avokatët mbrojtës dhe shqyrtim i mijëra faqeve të rekordeve gjyqësore.

Gjatë muajve të ardhshëm, BuzzFeed News planifikon të publikojë një database me informacion rreth oficerëve dhe punonjësve civilë që kanë marrë pushim me kusht nga puna.

Dosjet nuk përfshijnë të gjithë oficerët kanë marrë pushim me kusht gjatë viteve në fjalë. Sipas NYPD, nga më tepër se 50 mijë njerëz që punojnë për departamentin, të paktën 777 oficerë dhe një numër i patreguar punonjësish të tjerë e kanë marrë këtë dënim gjatë pesë viteve në fjalë. Gjatë të njëjtës periudhë, 463 oficerë u detyruan të largoheshin ose dhanë dorëheqjen teksa kishin pezull akuza disiplinore.

Por dokumentet e pushimeve me kusht janë janë pa diskutim treguesi më i mirë i kësaj praktike deri tani. Ato ngrenë perden që fsheh një nga sekretet më të ruajtur të NYPD, duke ofruar rekordin më të madh të mundshëm që tregon se oficerët, pavarësisht kryerjes së shkejeve serioze, vazhdojnë të ushtrojnë pushtet të jashtëzakonshëm mbi njujorkezët.

New York është njëri nga të vetmet shtete, bashkë me Delaëare e California, që ka një ligj që mbron specifikisht rekorded e shkeljeve të policisë nga publiku, sipas një studimit të kryer më 2015 nga WNYC. Në vitet e fundit, NYPD e ka forcuar interpretimin e rreptë ligjor bazuar mbi këto ligje, pavarësisht presionit në rritje nga publiku për më tepër transparencë rreth shkeljeve të policisë.

Burimet bënë të ditur për BuzzFeed News se pushimi me kusht përdoret edhe për të ndëshkuar arbitrarisht të tjerë oficerë, për raportim shkeljeje apo thjesht se e gjejnë eprorin në ditë të keqe.

“Nëse dhjetë policë bëjnë saktësisht të njëjtën gjë të keqe, dënimi është i ndryshëm çdo herë. Nëse ankohesh, e ke të kotë”, thotë Diane Davis, një ish-hetuese e kontrollit të brendshëm, e cila më vonë paditi departamentin për diskriminim racial.

Bill Bratton dhe Ray Kelly, komisionerët e NYPD që drejtuan departamentin gjatë viteve në fjalë, refuzuan të flisnin për BuzzFeed News. Komisioneri aktual, James O’Neill, e ka marrë detyrën më 2016.

BuzzFeed News tentoi të kontaktonte çdo të punësuar të NYPD të përmendur me emër në këtë histori, me telefonata dhe letra në shtëpi. Vendndodhja e disave nuk mund të gjehej më, kështu që dërguam lista emrash në sindikatën e tyre dhe në NYPD, me kërkesën që këto organizma të njoftonin oficerët për mundësinë për të komentuar. Shumica e oficerëve nuk u përgjigj.

Përgatiti: SYRI.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit