Disa nga futbollistët më të mirë irlandezë dhe figura të njohura në këtë vend i kanë bërë thirrje kombëtares që të bojkotojë ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Izraelit, e cila pritet të luhet në tetor. Në një letër të hapur drejtuar Federatës Irlandeze të Futbollit (FAI), dërguar nga fushata “Irish Sport for Palestine”, Izraeli u akuzua për “gjenocid” në luftën në Gaza dhe për shkelje të statuteve të UEFA-s dhe FIFA-s.
Në nëntor të vitit 2025, plot 93 për qind e anëtarëve të FAI-së votuan që bordi të ushtrojë presion ndaj UEFA-s për përjashtimin e mundshëm të Izraelit, vendim për të cilin aktivistët thanë se organi drejtues irlandez duhet “ta respektojë dhe ta përfaqësojë”. Megjithatë, Izraeli mohon se ushtria e tij ka kryer gjenocid. Letra, e titulluar “Stop the Match”, u nënshkrua nga futbollistë të kampionatit irlandez, ish-trajneri i kombëtares së meshkujve Brian Kerr dhe dy herë fituesja e çmimit “Futbollistja e Vitit”, Louise Quinn.
Bendi rok irlandez “Fontaines D.C.”, trioja hip-hop “Kneecap” dhe këngëtari e kantautori Christy Moore ishin ndër nënshkruesit e tjerë, së bashku me aktorin e nominuar për Oscar, Stephen Rea. Republika e Irlandës do ta presë Izraelin më 4 tetor në një ndeshje të Ligës së Kombeve.
Letra përfshinte edhe nënshkrimin e kapitenit të klubit të madh lokal Shamrock Rovers dhe presidentit të Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë, Roberto Lopes, i lindur në Dublin, por që do të luajë në Kupën e Botës si përfaqësues i Kepit të Gjelbër. Ai e quajti situatën në territoret palestineze “një katastrofë humanitare që nuk mund të injorohet”.
Megjithatë, kryeministri i Republikës së Irlandës, Micheál Martin, deklaroi se dy ndeshjet e ekipit kundër Izraelit duhet të zhvillohen.
“Ne kemi qenë kritikë dhe shumë të zëshëm lidhur me politikat e qeverisë izraelite, veçanërisht në Gaza. E kemi dënuar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, i cili ishte absolutisht i tmerrshëm. Por sporti bëhet një temë shumë e ndjeshme kur përzihet me politikën”, tha kryeministri irlandez.
Izraeli luan nën organizimin e UEFA-s që nga fillimi i viteve 1980, pasi Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) e përjashtoi në vitet 1970 për shkak të bojkotit nga disa vende të Lindjes së Mesme.
