Kur të nxjerr të cekët, të varfër e banal, sinqeriteti, mirësia dhe finesa e një vajze me dritën e sapondezur të besimit në zemër
Si të ishin në koordinim me njëri-tjetrin, kjo dyshe me prestigj të diskutueshëm në jetën publike shqiptare është ripërfshirë në një furi sulmi dhe përçmimi jo thjesht ndaj një besimi, si ai islam në Shqipëri, një besim shumice, por më shumë ndaj bashkëqytetarëve të tyre muslimanë me të cilët ndajnë aspekte të ndryshme të jetës së tyre të përditshme.
Po të vihet re, nuk kanë ndonjë akuzë ndaj tyre, pra nuk kanë për çfarë t’i akuzojnë; nuk u adresojnë ndonjë të keqe shoqërore, si fjala vjen krimin, korrupsionin, hajdutërinë, gënjeshtrën, mungesën e moralit, cënimin e pasurisë apo nderit, mosrespektimin e ligjit apo shtetit, sjelljen e keqe a diç kërcënuese për ata personalisht e për të tjerë, jo, thjesht jua urrejnë besimin. Në këtë pikë janë dhe më keq se komunistët, pasi kish ndër ata njerëz të pushtetit të kuq në atë kohë te të cilët në raportet ndërnjerëzore prevalonte qytetaria dhe edukata mbi ideologjinë. Që do të thotë se për hir të një qytetarie dhe edukate harronin luftën e klasave ndaj atyre me njollë, hem duke i toleruar e hem duke i ndihmuar. Ishin pikwrisht ata njerëz pushteti me brum qytetarie e jo ardhur nga periferitë me statusin e “njeriut të ri” në shërbim të partisë. Blushi e Nano as këtë qytetari e edukatë nuk e kanë, duke u vetëklasifikuar si njerëz si të ligj, porsi “njeriu i ri” i asaj kohe, me urrejtjen e mllefin ndaj atyre prej të cilëve as nuk u ka ardhur e as nuk u vjen ndonjë e keqe.
Fjala vjen, cila është e keqja shoqërore që vjen nga imamët? Apo cila është ajo e keqe që ka ardhur nga besimtarët e Rrugës së Kavajës? As njëri e as tjetri nuk janë në gjendje të artikulojnë atë që e ofrojnë si definicion, me një subjektivitet që nuk kalon nw asnjë filtër etik, aq më pak argumentim faktik.
Dhe në këtë shfrim të tyre që përbën dhe një rast studimi për atë që i mundon këto dy shpirtëra, mendjet e të cilëve kanë një rrëshqitje shqetësuese në planin empatik, ia beh një vajzë e lajmeve rozë, ardhur nga trualli besimor e kultural nga vjen dhe Ben Blushi, duke jua thyer turinjtë që të dyve me pak rreshta. Quhet Aleksia Peleshi, e bija e Niko Peleshit.
Mesazhi i saj i para disa ditëve në Instagram, ku shpjegon në mënyrën më brilante të mundshme takimin me Islamin, kalimin në këtë besim, duhet të përfshihet si një rrëfim monumental në historinë Islamit shqiptar.
Pas fenomenit Leonard Vangjeli të fundit të viteve ‘90, ikur tragjikisht në moshë të re, një i konvertuar i furishëm në ftesën për Islam deri te nivele të larta shoqërore, duke u bërë shkas për pranimin e Islamit nga shumë emra të njohur në rininë e saj kohe, kumtimi i Islamit nga e bija Niko Peleshit ka vlerën e një ngjarjeje në jetën islame shqiptare.
Për këtë arsye, fjalët e saj si një traktat besimi, janë të denja dhe për të qenë temë hutbeje në mimberet e xhamive, me ndikim shkundës dhe për besimtarë të përgjumur në afsh besimi.
Pak më shumë se 15 rreshta ka shkruar ajo, por në aq ajo bën hi e pluhur gjithë ç’shkruajnë e gjithë ç’thonë Blushi e Nano, thënë ndryshe, i bën për turp të Zotit.
Ajo u zhbën shpatën e pretenduar të përhapjes së Islamit, u zhbën skllavërinë e pretenduar të femrës, u zhbën prapambetjen e pretenduar kulturale, u zhbën sa e sa e broçkulla me një valencë të turpshme dhe të papranueshme urrejtje ndaj atyre që u thonë mirëmëngjes e mirëmbrëma, sinqerisht e paqësisht.
Me fjalë të thjeshta e të zgjedhura, të cilat kullojnë sinqeritet e një paqe shpirtërore në kufijtë e mrekullisë, Aleksia Peleshi e kumton Islamin ashtu siç ata nuk duan ta dëgjojnë(ose lexojnë), me një gjuhë aq të qartë, aq fine, aq përkëdhelëse, aq njerëzore, në daç dhe me një thellësi që i shpërfaq super të cekët ata, Blush & Nano & Co, sa vetëm fuqisë dhe pushtetit të Zotit mbi çdo zemër, shpirt e mendje mund t’i atribuohet madhështia e 15 rreshtave të asaj vajze ndaj varfërisë dhe banalitetit të dy kinse intelektualëve pak të thuhet të mërzitshëm tashmë duke fyellit me një vrimë, apo dhe legenit.
Ndaj, ata ose ithtarët e mbrapshtisë së tyre mentale, por dhe ata besimtarë që mund t’i kaplojë dëshpërimi për një çast prej marrëzive të tyre, le të lexojnë e rilexojnë një traktateve më të shkëlyera njerëzore të shpalosjes së Islamit, në vetëm 15 e kusur rreshta, ofruar me një skalitje mjeshtërore nga një vajzë në lulen e moshës, pa asgjë islame deri më tani në jetën e saj, as në traditë e trashëgimi, shpjeguar kjo vetëm me dritën e Zotit, të cilën Ai e ndez aty ku do, te ai shpirt që ka sinqeritet e mirësi, përkundër çdo ligjësie shoqërore apo sociale.
Ngushtë ngushtë, Aleksia Peleshi duket se e ka shkruar këtë mesazh, këtë traktat isampërçues dhe për këtë dyshe hiç simpatike, Ben Blushi e Mustafa Nano.
“Ky vit ka qenë një pikë kthese në jetën time, për një arsye të thjeshtë: E forcova imanin tim më shumë se kurrë më parë. Kam kërkuar Islamin për pesë vjet, duke u rrotulluar rreth tij, duke iu afruar dhe duke u tërhequr, por tani e ndiej se po vendoset në zemrën time si në shtëpi. Nuk zbriti mbi mua në një moment të vetëm ndriçimi; më duhej të ‘punoja’ për të. U luta, lexova, dyshova, u vura në pikëpyetje, rashë dhe u ngrita përsëri, por gjithmonë, gjithmonë, e gjeta veten duke u kthyer tek Allahu.
Këtë vit kalova më shumë kohë vetëm sesa kam kaluar ndonjëherë. Jetova vetëm, eca vetëm, udhëtova vetëm, u ula vetëm, megjithatë kurrë nuk u ndjeva e vetmuar. E dini pse? Sepse ndjeva praninë e Allahut pranë meje në çdo hap, çdo lot, çdo moment heshtjeje.
Me siguri e keni vënë re se përballem me shumë paragjykime dhe islamofobi, si nga njerëzit që nuk më njohin, ashtu edhe nga ata që janë më afër zemrës sime. Por kjo më shtyn vetëm të vazhdoj të flas për bukurinë e Islamit dhe sa shumë më ka dhënë, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.
Nuk e kam dashur, respektuar dhe nderuar kurrë veten më shumë se tani. Allahu më ka ndihmuar të gjej veten më shumë se çdo gjë në këtë botë.
Elhamdulilah!
Ju mbaj të gjithëve në duatë e mia!”.
