Shprehja “qëndrimi në fronte (ribât)” nënkupton qëndrimin në pozicionet e mbrojtjes dhe të përballjes, dhe është një veprim që synon mbrojtjen e kufijve të tokave të muslimanëve dhe zmbrapsjen e agresionit. Ai përfshin gjithashtu rojën në skaje, përballjen me armiqtë dhe ruajtjen e kufijve të shtetit islam.
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Qëndrimi në ribât për një ditë në rrugën e Allahut është më i mirë se kjo botë dhe gjithçka që gjendet në të.” (Buhariu).
Dhe ka thënë ﷺ:
“Dy sy nuk do t’i prekë zjarri: syri që ka qarë nga frika ndaj Allahut dhe syri që ka kaluar natën duke ruajtur në rrugën e Allahut.” (Tirmidhiu, sahih).
Po ashtu ka thënë ﷺ:
“Kush qëndron një ditë në ribât në rrugën e Allahut, është sikur të kishte agjëruar dhe falur namaz një muaj të Ramazanit; dhe kush vdes duke qenë në ribât, i vazhdohet shpërblimi i veprave të tij, sigurohet nga sprova e varrit dhe i vjen furnizimi, dhe i rrjedhin vazhdimisht shpërblimet e veprave të mira.” (Muslimi).
Ky është ribâti fizik dhe ky është shpërblimi dhe vlera e tij. Mirëpo nuk duhet të harrojmë se ekziston edhe një ribâti moral (shpirtëror), ai që zhvillohet në fronte virtuale, përmes të cilave armiqtë – nga jobesimtarët, ateistët, mëkatarët dhe të tjerë – kanë depërtuar, duke ndikuar shumë tek muslimanët. Qëndrimi dhe mbrojtja në këto fronte virtuale ka gjithashtu shpërblim të madh dhe sevap të shumtë, me lejen e Allahut të Madhëruar.
Prandaj, është detyrë për çdo musliman që ka mundësi, të përpiqet ta mbyllë atë front me aq sa i ka dhënë Allahu prej fuqie dhe aftësie.
Nga këto fronte të pambrojtura, të cilat – sipas asaj që kam vërejtur – duhet të jepet mund shtesë dhe ka boshllëqe të mjaftueshme, janë:
– Kufri dhe ateizmi: ka nevojë për sqarimin e madhështisë së Allahut, bukurive të Islamit dhe dëshmive të jobesimtarëve të drejtë e objektivë.
– Shirku dhe bidatet: ka nevojë për sqarimin e teuhidit, Sunetit të saktë dhe fjalëve të sahabëve fisnikë.
– Lënia e namazit, braktisja e xhamive dhe përhapja e mëkateve të mëdha: ka nevojë për sqarimin e madhështisë së namazit dhe të xhamive, dobive nga adhurimi i Allahut dhe reziku nga familjarizimi me mëkatet e mëdha.
– Pakësimi i turpit te gratë, lakuriqësia dhe mungesa e mbulesës Islame: ka nevojë për sqarimin e vlerës së turpit dhe detyrimit të hixhabit.
– Pëlqimi dhe imitimi i jobesimtarëve në botëkuptime, dukje, prokupime, angazhime: ka nevojë për sqarimin e ndalimit të kësaj dhe për shfaqjen e realitetit të vërtetë të gjendjes së tyre.
Mjete për mbulimin e këtyre fronteve:
1- përgatitja dhe publikimi i videove,
2- përgatitja dhe shpërndarja e imazheve,
3- shkrimi i artikujve,
4- komentet dhe bisedat (dialogët),
5- ose kërkimi i materialeve të dobishme dhe ripublikimi i tyre në mënyrë të vazhdueshme.
📟 Kërkesë e veçantë, urgjente dhe e rëndësishme:
Çdo kush që e lexon këtë shkrim, le të kontribuojë në mbulimin e këtyre fronteve, qoftë edhe në njërin prej tyre; sepse përgjegjësia është e madhe dhe e përbashkët.
Qëndo i paluhatshëm në këtë mejdan
O vëlla që qëndron në këtë front, dije se nevoja për qëndrueshmëri është e përhershme, me publikim të përditshëm, gjatë gjithë jetës. Ndoshta, përmes këtij aktiviteti, ky front i hapur do të mbyllet, por për ty do të mbetet shpërblimi dhe sevapi i vazhdueshëm, me lejen e Allahut të Madhëruar.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij të gjithë.
Bekir Halimi
