7.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Përplasen në Kuvend për KEK-un

Më të lexuarat

Partitë opozitare në Kosovë paraqitën një varg kritikash në adresë të ministrit të Zhvillimit, Besim Beqaj, lidhur me procesin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike, i njohur me shkurtesën KEDS. Gjatë seancës plenare të së enjtes të Kuvendit të Kosovës, në të cilën ministri i Zhvillimit Ekonomik, u thirr në interpelancë për këtë çështje, deputetët kërkuan sqarime lidhur me çmimin e shitjes, numrin e ofertuesve në tender dhe furnizimin e sigurt me energji elektrike.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që kërkoi interpelancën, Visar Ymeri, tha procesi i privatizimit të Shpërndarjes dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike, duhet të ndalohet, pasi, sipas tij, është komplet jolegjitim dhe jotransparent. “Energjia dhe infrastruktura e saj është çështje e sovranitetit, e ajo prek politikat shtetërore, popullin kolektivisht dhe secilin qytetar veç e veç. T’ia lëmë këtë në dorë një kompanie private, pa kurrfarë rëndësie se nga vjen, është të ia lëmë në dorë shtetin tonë, mundësinë tonë për zhvillim dhe mirëqenien tonë si qytetarë”, tha Ymeri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim beqaj tha se Qeveria është e përkushtuar për zhvillimin e sektorit energjetik, sektor i cili duhet të zbatojë tri synime themelore, siç janë: furnizimi i sigurt dhe i rregullt me energji elektrike, prodhimi me kosto të përballueshme dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së ambientit. “Janë paraparë investime rreth 200 milionë euro, të cilat janë kontribut i drejtpërdrejtë për përmirësimin e infrastrukturës në distribucion dhe furnizim me energji elektrike”, theksoi Beqaj.

Ndërkaq, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, akuzoi ministrin Beqaj dhe kryeministrin Thaçi, se po abuzojnë me çmimin e shitjes, duke i kërcënuar ata se për këtë çështje një ditë do të përfundojnë në burg. “Shitja e Distribucionit të KEK-ut dhe shtet-ndërtimi nuk shkojnë bashkë. Qytetarëve tanë ua çel derën mysafiri ose inkasanti i KEK-ut. Pra, miqtë ose shteti. Por, tash e tutje miqtë do të vijnë, kurse shteti vjen i privatizuar, shteti vjen i shitur prej njerëzve të shitur, sepse kaq keq dhe kaq lirë KEK-un mund ta shesin vetëm njerëzit e shitur”.

“Këta njerëz të shitur nuk e kanë vendin në Qeveri, por e kanë vendin në burg për krimin që ia bënë shoqërisë dhe pronës publike. Kryeministri Thaçi dhe ministri Beqaj janë paçavure në duart e huaja, të cilët tashmë më shumë fëlliqin sesa pastrojnë për shkak të ndyrësisë që i ka mbuluar”, u shpreh Kurti.

Por, kryeministri Hashim Thaçi, i është kundërpërgjigjur duke i quajtur këto britma dhe klithma të disa personave. “Këtu po dëgjohen britma prej atyre që kanë mallkuar edhe vendimin e autostradës prej Vërmice në drejtim të Merdarës, gjithashtu britma të paargumentuara fare për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’. Kjo çështje e dështuar së shari, e së akuzuari është harruar dhe tashmë pretendohet që me britma dhe mllefe të njëjta të barten në çështje tjera”, u kundërpërgjigj Thaçi.

Edhe deputetë nga Lidhja Demokratike të Kosovës, thanë se që nga fillimi i privatizimit, ky proces ka qenë i mbuluar me jo transparencë. Për këtë Teuta Sahatçia, nga kjo parti, kërkoi nga Ministria e Zhvillimit të sjellë në Kuvend kopjen e kontratës. “Vlerësimin e pronave të distribucionit, tokat, ndërtesat, trafo-stacionet dhe pronat tjera. Shtrirjen e linjave, vlerësimin teknik dhe financiar, investimet që janë bërë në këtë rrjet që nga viti 2000 e deri më sot, si dhe vlerën e borxheve të vjetra dhe planin e menaxhimit”, tha Sahatçia.

Ndërkaq, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e quajti fyes dhe skandaloz procesin e privatizimit të KEDS-it. “Do të bëjmë çmos ta pengojmë këtë proces – është jashtëzakonisht i dëmshëm. Do të provojmë që Kosova të fitojë nga ky proces, dhe në fund të fundit do të mundohemi që mos të dënohemi edhe një herë në vitet që vijnë”, pohoi Gjini.

Oferta prej 26.3 milionë eurosh, e ofruar nga konsorciumi turk “Limak& Çalik”, është shpallur më e mira, nga autoritetet kompetente, muajin e kaluar, në garën për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike. /Rel/.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit