Përmendja e Allahut qetësia që nuk shuhet

Më të lexuarat

Ka një dritë që shfaqet në shpirt sa herë përmendet Allahu. Ajo nuk shihet me sy, por ndjehet thellë, në qetësinë që pushton zemrën, në frymën që ngadalësohet, në mendimet që bien në vendin e tyre. Është dritë që i zbut plagët e ditës dhe i jep shpirtit ndjesinë e strehës.

“Ata që besuan dhe zemrat e tyre gjejnë qetësi në përmendjen e Allahut; vërtet, vetëm me përmendjen e Allahut gjejnë qetësi zemrat.”
(Er-Ra’d, 28)

Përmendja e Zotit nuk është thjesht fjalë që kalon nëpër buzë, por frymëmarrja e shpirtit që kujton Burimin e çdo të mire. Ajo është si një dritare e vogël që e hap njeriu mes zhurmës së botës, për të marrë ajrin e qetësisë që i mungon.

Profeti ﷺ i tha Muadh ibn Xhebelit, kur ai e pyeti për veprën më të dashur tek Allahu:

“Të vdesësh ndërsa gjuha jote është ende e lagur me përmendjen e Allahut.”

Ç’bukuri e thellë në këto fjalë! Sikur të na thoshte: mos e lini shpirtin të thahet nga harresa. Mbajeni të lagësht me kujtim, që edhe në çastin e fundit të mos ndaheni nga Ai që ju dha jetën.

Dhe në një hadith tjetër, Zoti i Madhëruar thotë:

“Unë jam sipas mendimit që robi im ka për Mua, dhe jam me të kur Ai më përmend…”

Çfarë ngushëllimi më të madh mund të ketë për njeriun? Të dish se çdo herë që e përmend Krijuesin, Ai është pranë teje me mëshirë, me mbrojtje, me afërsi që nuk njihet nga bota.

Përmendja e Allahut është rruga që të nxjerr nga tronditja e kësaj bote dhe të kthen në ekuilibrin e shpirtit. Është strehimi më i qetë, më i pastër dhe më fisnik që njeh njeriu.

📖 Nga reflektimet mbi librin “El-Xhamiu es-Sahih fi el-ethkar uel-ed’ijeh”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit