25 C
Pristina
Tuesday, June 28, 2022

“Përafrimi i lidhjeve SHBA-Greqi pjesë e luftës për frenimin e rritjes së Turqisë si fuqi rajonale”

Më të lexuarat

Analistët thonë se SHBA-të dhe Greqia kanë frikë se lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht sigurinë transatlantike dhe ka përforcuar ndikimin e Turqisë

Armët, paratë dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta ushtarake, ishin disa nga tiparet kryesore të angazhimeve të fundit dypalëshe midis SHBA-së dhe Greqisë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Washingtoni ka siguruar tri baza të tjera në Greqi këtë muaj, përveç atyre që tashmë i ka dhe finalizoi marrëveshjet për t’i dhënë Athinës sisteme të armëve më të avancuara, duke hequr dorë nga qëndrimi i supozuar neutral ndaj rivalitetit të gjatë midis Turqisë dhe Greqisë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden priti kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis në Washington javën e kaluar, me ç’rast kryeministri grek riktheu pretendimet e vjetra kundër Ankarasë në fjalimin e tij në Kongresin Amerikan.

Analistët i shohin këto hapa si reflektim të frikës se lufta Rusi-Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht arkitekturën e sigurisë transatlantike duke betonuar pozitën e Turqisë si një fuqi legjitime rajonale.

“Rritja e Turqisë si një fuqi rajonale autonome është faktori kryesor në intensifikimin e këtij bashkëpunim SHBA-Greqi”, tha Hasan Koni, studiues i studimeve strategjike në Universitetin Kulturor të Stambollit.

“Doktrina Mavi Vatan e Turqisë ose Atdheu i Kaltër dhe rrjedhimisht aftësitë në rritje të Marinës Turke si dhe roli vendimtar i vendit në konfliktet në Libi dhe Karabak, ka pasur një ndikim të thellë tek vendimmarrësit grekë”, shpjegoi ai.

Aparati amerikan i sigurisë ka pranuar se balanca e fuqisë në rajon po zhvendoset drejt Turqisë dhe duhet “të kontrollohet duke fuqizuar Greqinë”, tha ai, duke shtuar se shtytja e Washingtonit për më shumë baza greke synon “frenimin e Turqisë”.

– Mesazhet dhe sinjalet

Arda Mevlutoglu, ekspert për çështjet e mbrojtjes tha se rinovimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Ndërsjellë të Mbrojtjes (MDCA) dhe rritja e bashkëpunimit ushtarak mund të shihet si një “miratim amerikan për ambiciet e Greqisë në rajon”.

Shtrirja ushtarake e SHBA-së në Greqi dhe stërvitjet e përbashkëta me grekët në Trakinë Lindore nuk përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Turqinë, por “konteksti dhe koha e këtij aktiviteti ushtarak dërgojnë një mesazh të drejtpërdrejtë” për Ankaranë, shtoi ai.

Këtë pikëpamje e ndau edhe Sine Ozkarasahin, analiste në institutin e mendimit EDAM në Stamboll.

“Ndërsa këto stërvitje nuk përbëjnë kërcënim të menjëhershëm, ato dërgojnë sinjale negative në Turqi, e cila u la jashtë gjatë stërvitjeve që ndodhën pikërisht në pragun e saj”, tha ajo.

Ozkarasahin shpjegoi se përpjekjet e SHBA-së për të kontrolluar më shumë baza në Greqi ishin pjesë e strategjisë së saj të re për rajonin më të gjerë të Mesdheut Lindor dhe Ballkanin.

Ajo paralajmëroi se rinovimi i MDCA dhe veprimet pasuese mund të “prishnin ekuilibrin tashmë të brishtë të fuqive midis Turqisë dhe Greqisë”.

“Historikisht, SHBA-ja luajti një rol amortizues midis dy anëtarëve të NATO-s duke ulur përshkallëzimet gjatë situatave tensionuese. Ky ndërmjetësim ishte kritik për kohezionin e aleancës”, tha Ozkarasahin.

“Një përçarje e tillë do të kishte implikime për marrëdhëniet dypalëshe turko-greke dhe gjithashtu do të ndikonte në sigurinë rajonale në zona kritike të kontestimit, si Mesdheu Lindor dhe krahu lindor i NATO-s”, shtoi ajo.

Këshilla e saj për Washingtonin ishte “të ruante ekuilibrin e fuqisë midis Ankarasë dhe Athinës” dhe të merrte hapa për të “dëshmuar paanshmërinë e saj”.

Një mundësi e tillë qëndron në një marrëveshje të mundshme për shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi, shtoi ajo, duke iu referuar një marrëveshjeje për të cilën qeveria e Bidenit ka treguar së fundmi se mund të realizohet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit