6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Për t’i pajtuar miqtë e grindur, mjafton vetëm një hap

Më të lexuarat

Shkruan: Shejh Ali Tantavi

Me një rast,midis meje dhe mikut tim ndodhi një keqkuptim dhe një grindje të vogël, kështu që ia kthyem shpinën dhe nuk folëm me njëri-tjetrin, as nuk u pamë, as nuk e vizituam njëri-tjetrin. Disa njerëz “me qëllime të mira”, u përpoqën të na pajtonin dhe të ndërmjetësonin midis nesh, kështu që ata shkuan tek ai dhe i treguan lajme për mua, dhe pastaj erdhën tek unë dhe më sollën lajme për të. Ndërmjetësimi i tyre dha fryte, ata arritën që dy miq t’i shndërronin në armiq, kështu që midis nesh u shkëput çdo lidhje, edhe pse për tridhjetë vjet ishim miq të pandashëm.

Ndërprerja e lidhjeve vëllazërore dhe miqësore, për mua ishte e gjatë dhe e vështirë, kështu që një ditë, në një moment frymëzimi të veçantë dhe ndjenje të dhembshurisë, mora një vendim të rëndësishëm. Në realitet, shkova tek ai dhe trokita në derën e shtëpisë së tij. Kur më pa gruaja e tij, nuk u besonte syve të saj, dhe kur ajo hyri dhe i tha se kush ishte te dera, ai nuk u besoi veshëve, kështu që i habitur doli të më takonte.

E përshëndeta me përshëndetjen më të bukur, me të cilën e përshëndetja në ditët e dashurisë sonë vëllazërore, të afërsisë dhe miqësisë sonë, dhe e përsërita atë përshëndetje disa herë, duke e detyruar të përgjigjej në të njëjtën mënyrë. Pastaj ai më ftoi të hyja në shtëpi, dhe kur hyra unë nuk e lashë të zgjasë konfuzioni i tij, kështu që i thashë duke qeshur: “Kam ardhur që të pajtohemi!”

Pas kësaj, i përmendëm të gjitha ato që ndodhen, duke i bërë njëri-tjetrit vërejtje dhe kritika të caktuara, dhe kështu e hoqëm pluhurin nga miqësia jonë,e cila u kthye ashtu siç kishte qenë gjithë ato tridhjetë vjet.

Prandaj, unë besoj se tek 3 / 4 (tre të katërtat) e miqve të grindur, nëse ata do të bënin të njëjtën gjë që bëra unë, kontesti dhe mosmarrëveshja do të zhdukeshin, kurse miqësia dhe afërsia do të ktheheshin siç kanë qenë.

Vizita është një gjë fisnike dhe madhështore, dhe ajo është në gjendje ta zhdukë edhe armiqësinë midis vëllezërve, të cilët kanë pasur epilog gjyqësor.

Pasha Allahun, kjo është vetëm një hap me të cilin do ta arrini dashurinë e sinqertë vëllazërore dhe do ta riktheni miqësinë e humbur.

Prandaj mos hezitoni dhe mos hiqni dorë kurrë nga ai hap.

Përkthim: Miftar Ajdini

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit