Për ndjenjat e Hatixhes, kur Pejgamberi ﷺ i thotë:
“Zoti yt të përshëndet me selam!”
Për ndjenjat e Ubej ibn Ka’bit, kur Pejgamberi ﷺ i thotë:
“Allahu më ka urdhëruar të ta lexoj ty Kur’anin!”
Dhe Ubeji pyet: “A më përmendi Allahu me emër?”
Ai i thotë: “Po, të përmendi me emër!”
Për ndjenjat e Sa’d ibn Ebi Vekasit në ditën e Uhudit, kur Pejgamberi ﷺ i thotë:
“Gjuaj! Të flijoj për ty babanë dhe nënën time!”
Për ndjenjat e Ali ibn Ebi Talibit, kur Pejgamberi ﷺ i thotë:
“Ti je për mua si Haruni për Musain, veçse pas meje nuk ka profet!”
Për ndjenjat e Bilal ibn Rebahut, kur Pejgamberi ﷺ i thotë:
“E kam dëgjuar zhurmën e hapave të tua në Xhenet!”
Për ndjenjat e Ebu Bekrit, kur në shpellë Pejgamberi ﷺ i thotë:
“O Ebu Bekr, çfarë mendon për dy veta, i treti i të cilëve është Allahu!”
Për ndjenjat e Abdullah ibn Mes’udit, kur sahabët qeshin me hollësinë e këmbëve të tij, dhe Pejgamberi ﷺ thotë:
“A po qeshni me hollësinë e këmbëve të tij? Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ato në peshore janë më të rënda se mali Uhud!”
Për ndjenjat e Uthman ibn Affanit, kur sahabët dhanë besën e Ridvanit dhe ai ishte në Mekë, dhe Pejgamberi ﷺ vendosi dorën e tij duke thënë:
“Kjo është dora e Uthmanit!”
Për ndjenjat e Selman Farisiut, kur Pejgamberi ﷺ thotë:
“Selmani është prej nesh, nga familja jonë!”
Për ndjenjat e Umer ibn Hatabit, kur Pejgamberi ﷺ i thotë:
“Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, shejtani nuk të has në një rrugë pa marrë një tjetër!”
Për ndjenjat e Muadh ibn Xhebelit, kur Pejgamberi ﷺ i thotë:
“O Muadh, pasha Allahun, unë të dua!”
Për ndjenjat e Suhejbit Rumit, kur erdhi nga Meka duke lënë pasurinë e tij dhe Pejgamberi ﷺ i thotë:
“Fitim i madh ishte tregtia jote, o Ebu Jahja!”
Për ndjenjat e Fatimes, kur Pejgamberi ﷺ thotë:
“Vajza ime është pjesë e imja; më shqetëson ajo që e shqetëson dhe më lëndon ajo që e lëndon!”
Për ndjenjat e Ebu Ubejde ibn Xherrahi, kur Pejgamberi ﷺ thotë:
“Çdo popull ka një besnik, dhe besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde!”
Për ndjenjat e Sa’d ibn Muadhit, kur gjykoi për hebrenjtë e Benu Kurejdhës dhe Pejgamberi ﷺ i tha:
“Ke gjykuar me gjykimin e Allahut nga mbi shtatë qiej!”
Për ndjenjat e Sumajes, Jaserit dhe Ammarit, kur Pejgamberi ﷺ u tha:
“Durim, o familja e Jaserit, vendi juaj është Xheneti!”
Për ndjenjat e Hasan ibn Thabitit, që përdorte poezinë për fenë, dhe Pejgamberi ﷺ i tha:
“Përgjigju për mua, satirizoji ata dhe Shpirti i Shenjtë është me ty!”
Për ndjenjat e Ukashës, kur Profeti ﷺ tha:
“70 mijë nga umeti im do të hyjnë në Xhenet pa llogari dhe pa dënim!”
Ai tha: “Lutu për mua që të jem prej tyre!”
Pejgamberi ﷺ tha: “Ti je prej tyre!”
Për ndjenjat e Ebu Musa el-Esh’ariut, kur lexonte Kur’an dhe Pejgamberi ﷺ i tha:
“O Ebu Musa, të është dhënë një zë si nga zërat e familjes së Davudit!”
Për ndjenjat e ensarëve, kur u pikëlluan sepse Pejgamberi ﷺ ua dha plaçkën e luftës të tjerëve, dhe ai u tha:
“A nuk jeni të kënaqur që njerëzit kthehen me dele e deve, ndërsa ju ktheheni me të Dërguarin e Allahut?”
Dhe për ndjenjat tona…
kur Pejgamberi ﷺ tha për ne:
“Vëllezërit e mi janë ata që besojnë në mua, pa më parë!”
Ed-hem Sherkavij
Përktheu: Bekir Halimi
