6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

PENGESAT NË KËRKIMIN E DITURISË (Pjesa II) – Hoxhë Muhamed Broja

Më të lexuarat

Siç kemi përmendur më herët, prej gjërave që e cenojnë sinqeritetin në kërkimin e diturisë është dashuria për famë dhe pozitë:¹
Shatibiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Gjëja e fundit që largohet nga zemrat e të devotshmëve është dashuria për famë dhe pozitë.”²
Nëse qëllimi i vetëm i kërkuesit të diturisë është t’i përhapet fama e tij, të njihet emri i tij, të respektohet e nderohet kudo që shkon, të ngritet mbi njerëzit e tjerë, të tjerët të preokupohen me të dhe t’i nënshtrohen atij veçse e ka futur veten në ujëra të rrezikshme ku gjithsesi do të fundoset. Si rezultat i këtij nijeti të keq do të jetë: vetmashtrimi, mendjemadhësia, vetpëlqimi, egoizmi, dashuria për veten dhe adhurimi i vetvetes.³
Këto që përmendëm më lart zakonisht ndodhin në fillim të kërkimit të diturisë apo nga ana e atyre që kanë mësuar pak nga dija fetare. Ndërsa, kush e njeh Allahun me emrat dhe cilësitë e Tij, e kupton realitetin e dijes fetare, thellohet në të, e jetëson atë në vetveten dhe jetën e përditshme do të largohet nga synimet e ulëta, qëllimet e këqia dhe dashuria për famë e pozitë tek njerëzit.
Maverdiu, Allahu e mëshiroftë ka thënë:
“Rrallë gjen dikë që i ka hyrë vetja në qejf me diturinë që ka nxënë, që mburret me atë që ka arritur prej saj, përveçse vëren se i tilli posedon dituri të paktë dhe neglizhon nxënien e saj. Kjo, ngase ai nuk e ka kuptuar rangun dhe pozitën e tij dhe mendon se me fillimin e nxënies së diturisë ka arritur ta përthekojë shumicën e saj. Ndërsa, ai i cili me tërë qenien e tij është drejtuar kah ajo dhe ka mësuar shumë, e kupton sa larg është caku i saj, sa e pamundur është të arrihet fundi i saj dhe rrjedhimisht kjo e pengon nga vetpëlqimi.”⁴
Imam Sha’biu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dija është tre pëllëmbë:⁵ Kushdo që arrin të parën, do ta mbajë hundën përpjetë (do të bëhet mendjemadh) dhe do të mendojë se e ka arritur atë. Kushdo që e arrin të dytën, do të ndiejë përbuzje ndaj vetvetes dhe do ta dijë se ai nuk e ka arritur atë. Sa i përket të tretës, sa larg e larg është ajo, askush nuk mund ta arrijë atë kurrë.”⁶


1-Disa dijetarë, këtë çështje e kanë përmendur si pengesa e radhës në kërkimin e diturisë për shkak të rëndësisë së veçantë që ka. Shih librin: Mealim fi tariki talebil ilm fq. 20. Zakonisht kjo çështje ka të bëjë me kërkuesin e diturisë fetare.
2-Mealim fi tariki talebil ilm fq. 20.
3-Muntalekat talibil ilm fq. 89.
4-Edebud-dunja ved-din fq. 73.
5-Me fjalën pëllëmbë këtu është për qëllim: Largësia nga maja e pëlqerit deri te maja e gishtit të vogël të dorës, të hapur e të shtrirë mirë, që merret si masë gjatësie.
6-Po aty.

Shkroi dr.Muhamed Broja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit