Agjencia e OKB-së thotë se më shumë se 530 kamionë, 6.700 tonë ushqim kanë hyrë në Gaza që nga armëpushimi, të mjaftueshëm për afërsisht gjysmë milioni njerëz për 2 javë.
Programi Botëror i Ushqimit (PBU) njoftoi të martën se dërgesat e ushqimit për Gazën janë rritur që nga armëpushimi, por ende mbeten shumë poshtë objektivit të agjencisë prej 2.000 tonësh në ditë, duke paralajmëruar se qasja e kufizuar përmes pikave të kalimit kufitar vazhdon të pengojë përpjekjet për të arritur te njerëzit që përballen me uri, veçanërisht në veri.
Duke folur për gazetarët në Zhenevë, zëdhënësja e PBU-së, Abeer Etefa, tha se më shumë se 530 kamionë kanë hyrë në Gaza që nga armëpushimi, duke transportuar rreth 6.700 tonë ushqim, të mjaftueshëm për të ushqyer gjysmë milioni njerëz për dy javë.
Ajo tha se agjencia aktualisht po shpërndan rreth 750 ton ushqim në ditë, më shumë se nivelet para armëpushimit, por “ende shumë poshtë” objektivit të saj prej 2.000 tonësh në ditë, të nevojshëm për të përmbushur nevojat e popullsisë.
PBU-ja ka zgjeruar rrjetin e saj nga pesë në 26 pika aktive shpërndarjeje, kryesisht në jug dhe qendër të Gazës, dhe po punon për të rihapur më shumë pika sa më shumë që kushtet të lejojnë, me objektivin për të arritur në 145 pika.
Etefa tha se agjencia ka kryer një shpërndarje në veri, duke iu referuar një dërgese të vogël të suplementëve ushqimorë dhe shujta për gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijë, si dhe për fëmijët e nënushqyer, megjithëse qasja në veri dhe në qytetin e Gazës mbetet jashtëzakonisht e kufizuar.
Ajo theksoi kërkesën në rritje në qendrat e shpërndarjes, ku “gratë, të moshuarit dhe familjet e drejtuara nga gra” përparësohen. Agjencia gjithashtu vazhdoi të furnizojë bukë të freskët çdo ditë përmes nëntë furrave, me plane për të zgjeruar në 30 kur të dorëzohet më shumë miell gruri.
Sipas zëdhënëses, çmimet në treg po bien gradualisht në Gaza ndërsa hyjnë më shumë furnizime, por ushqimi mbetet “në masë të madhe i paarritshëm” për shumicën e njerëzve, pasi ende është “jashtëzakonisht i shtrenjtë.”
PBU-ja ka filluar shpërndarjen e kuponëve digjitalë për 50.000 njerëz, duke u lejuar atyre të blejnë ushqim të freskët në tregje, tha ajo, duke shtuar: “Plani është të arrijmë 200.000 njerëz, që është rreth 10% e popullsisë së Gazës, më të pambrojturit.”
Zëdhënësja e PBU-së bëri thirrje për hapjen e të gjitha pikave kufitare, duke theksuar se operacionet aktualisht varen nga pikat Karam Shalom dhe Kissufim, të cilat nuk mund të shërbejnë veriun e Gazës.
“Mbajtja e armëpushimit është jetike,” tha ajo. “Është mënyra e vetme që mund të shpëtojmë jetë dhe ta frenojmë urinë në veri.”
