18.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

“Paradoksi i përgjumjes revolucionare” – Ergys Mërtiri

Më të lexuarat

“Paradoksi i përgjumjes revolucionare”
Ergys Mërtiri

Studiuesit e sistemeve dhe strukturave sociale si Luhmman e Parsons kanë shpjeguar hollësisht se përse një sistem nuk mund të rrëzohet, dhe sesi ai rishpik vetveten për t’iu përgjigjur rrethanave ku vepron, por ky debat është ende shumë larg në Shqipëri. Ata që kërkojnë përmbysje të tilla nuk kanë marrë mundimin të shpjegojnë fillimisht as se çfarë kuptojnë me sistem, si do ta rrëzojnë atë dhe çfarë alternative ofrojnë në vend të tij. Në fakt, dehja e një aventure revolucionare nuk ndjen nevojë për arsye. Mjaftojnë dy-tre klishe, dhe gjithçka bëhet e mundshme. Revolucioni është një produkt që gëlltitet i ngrohtë, i sapo dalë nga furra e politikës romantike të një populli pa përvojë në demokraci.

Paradoksi që do të trajtojmë këtu është se shqiptarët janë një popull që nuk ngrihet në protesta, ndërkohë që elitat e tyre shfaqin masivisht pikëpamje revolucionare. Këtu ka një mospërputhje thelbësore që vjen, jo vetëm nga fakti që elitat nuk gëzojnë autoritet, por edhe për shkak se vetë pikëpamjet e tyre revolucionare, më shumë i shërbejnë apatisë shoqërore, sesa zgjimit të popullit në revolta kundër politikave të mbrapshta. Edhe në ato pak momente kur shfaqet një klimë revolte, steka e kërkesave ngrihet aq shumë, sa gjithçka shkatërrohet, pasi bëhet e parealizueshme. E ndërsa shoqëria nuk tundet të lëvizë për të ndryshuar gjendjen në sferën e së mundshmes, elitat e saj nuk hezitojnë të hidhen me zjarr në prehërin e utopive.

Të dyja prirjet i ndihmojnë për mrekulli statuquo-së së krizës aktuale duke vrarë çdo formë të reagimit shoqëror që mund të sjellë ndryshime. Kapërcimi nga përgjumja në ëndërrën revolucionare, duket se janë dy mënyra të kundërta të të fjeturit, të cilat pamundësojnë çdo aktivizëm dhe çdo lëvizje shoqërore a politike me këmbë në tokë.

Paradoksalisht mund të konstatojmë gjithashtu se realiteti që këto elita duan të përmbysin, është produkt i mënyrës së të menduarit që ato promovojnë. Fakti që ato artikulojnë pikëpamje që kërkojnë rrëzimin e sistemit, nuk do të thotë se ato e dëmtojnë atë. Përkundrazi, ato e ushqejnë dhe mbajnë në këmbë sistemin. Vetë utopizmi dhe paqartësia e retorikës së tyre i ndihmon atij, duke penguar mjetet për ta transformuar atë nga brenda.

Aq e vërtetë është kjo sa vetë Rama, personi numër një i sistemit politik ekzistues, as u shqetësua fare nga retorika antiestablishment e artikuluar gjatë protestës së studentëve. Përkundrazi, ai e përkrahu atë dhe madje u shpreh i gatshëm të rreshtohet edhe vetë në anën e tyre. Të gjitha bateritë e qeverisë u shkarkuan kundër “politizimit” të protestës. Ajo bëri çmos për ta penguar protestën që të shndërrohet në një lëvizje antiqeveritare, e cila mund ta vinte vërtetë në vështirësi, duke e sulmuar nga brenda sistemit. Qeveria mirëpriti krahëhapur aspektin antiestablishment të protestës, ndërsa luftoi me çdo mjet aspektin antiqeveritar të saj.

Fragment nga shkrimi “Politika shqiptare si art i të pamundshmes”, Revista Medius nr 5


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit