9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Paradoksi i gylenistëve të KMSH – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Paradoks
Muslimanët në këto troje kanë jetuar gjithmonë në paqe me ithtarët e feve të tjera dhe arsyet janë të shumta, mes tyre fetare dhe sociale, por nuk është qëllimi këtu të ndalemi në këtë çështje.
Para infiltrimit dhe katapultimit në krye të KMSH-së të drejtuesve të sotëm gylenistë, e njëjta marrëdhënie paqësore shekullore vazhdonte me komunitetet e tjera fetare. Pas uzurpimit të KMSH-së filloi një erë e re, ajo e të ashtuquajturit dialog ndërfetar, i cili e merr nxitjen jo nga realiteti shqiptar, por nga agjendat ndërkombëtare, të cilat për vetë larminë e tyre, dallojnë shumë në synime dhe qëllime. Duke qenë se drejtuesit e sotëm ilegjitimë të KMSH-së, janë ithtarë dhe ushtarë të thekur të mësimeve dhe ideve të Fetullah Gylenit, dialogu ndërfetar këtu tek ne, ka të njëjtat synime dhe qëllime që ka vendosur Gyleni për të. Një nga synimet që shpallet në këtë agjendë dialogu, është paqja dhe bashkëjetesa nën frymën e dialogut dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor mes ithtarëve të feve të ndryshme. Nga një vështrim i shpejtë i aktiviteteve të dialogut që bën KMSH-ja, të bie në sy se më së shumti këto aktivitete janë bërë me katolikët, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se është pikërisht Vatikani, ai i cili, që nga vitet ’60 për arsye të shumta, ekumenike dhe kryesisht misionariste, është promotori i dialogut ndërfetar në botë. Kështu që ajo që kuptohet qartë është se ky lloj dialogu tek ne, më shumë i përgjigjet një agjende ndërkombëtare nga qendra të tilla esktraterritoriale, sesa është një nevojë e brendshme e realitetit shqiptar.
Gylenistët e KMSH-së thonë se një nga qëllimet e dialogut është të merremi vesh me njëri-tjetrin, të kuptojmë dallimet, por më e rëndësishme, pikat e përbashkëta, të cilat duhet të na bashkojnë për të jetuar në paqe mes nesh! Por ndërkohë që ata shpalosin si synim kryesor dhe publik këtë tezë, nuk janë aspak të gatshëm, as të motivuar dhe as e mendojnë sadopak se, para se të dialogojnë me të krishterët, me të cilët janë në paqe, për të jetuar në një paqe akoma më të madhe, iu duhet të dialogojnë me muslimanët e tjerë, me të cilët janë në një “luftë” morale, institucionale dhe fetare për më shumë se një dekadë. Nuk e di se me cilët e ndjejnë veten më afër, me ata që dialogojnë, apo me këta që i injorojnë?!
Shkruesi i këtyre rreshtave ka që në vitin 2007, atëherë kur gylenistët ishin akoma në procesin e infiltrimit dhe katapultimit të pazëshëm brenda strukturave të KMSH-së, që i fton këta njerëz dhe të tjerë në dialog ndërmedhhebor dhe ndërsektar brenda muslimanëve. Para se të jetojmë në paqe me të tjerët, me të cilët kemi shekuj që jetojmë në paqe, na duhet të jetojmë në paqe mes nesh. Dhe paqja mes nesh nuk mund të vendoset duke uzurpuar me metoda makiaveliste institucionin përfaqësues të muslimanëve në këtë vend, dhe as duke bërë veshët e shurdhër nga ankesat, kërkesat, vërejtjet dhe sugjerimet e zërave të shumicës praktikante muslimane në këtë vend.
Si mund të kërkosh dialog për paqe me të tjerët jashtë shtëpisë tënde dhe të refuzosh edhe ta mendosh e të iniciosh dialogun me ata të cilët pretendon se i përfaqëson?!
Si mund të pranosh të ulesh në tavolinën e dialogut me të tjerët si i barabartë, ndërkohë që refuzon me indiferentizëm, shpërfillje dhe arrogancë t’i përgjigjesh njerëzve të komunitetit tënd, duke i trajtuar ata si vartës, të vegjël, madje edhe duke i anatemuar si radikalë e ekstremistë, me të njëjtën gjuhë që i anatemojnë islamofobët?!
Si mund t’iu japësh leksione për demokracinë vartësve të tu imamë, ndërkohë që je vetë i pari ai që nuk e zbaton demokracinë e brendshme që parashikon statuti i KMSH-së, të cilin ti nuk e respekton, por e shkel me të dyja këmbët?!
Lista e paradokseve logjike është e gjatë, por në këtë mes, faji nuk është vetëm i gylenistëve, por edhe i një pjese të madhe të atyre imamëve, që pranojnë të trajtohen si “bishti i kavallit”, siç shprehej para disa vitesh një nga zyrtarët e KMSH-së në sytë e një imami, e që sot edhe vetë bën punën e imamit.
E di që paradokset logjike për gylenistët nuk kanë aspak rëndësi, për aq kohë sa “harmonizimin” e tyre e garanton “shenjtëria” dhe “mehdianizmi” i Fetullah Gylenit.
Gjithsesi historia vazhdon…

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit