14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Pandemia zgjoi botën për rëndësinë e kontakteve njerëzore

Më të lexuarat

Pandemia e bëri botën të kuptojë rëndësinë e kontaktit njerëzor, shkruan The Economist

Larry-n nuk e ka përqafuar njeri që prej 11 muajsh. Llogaritari 62-vjeçar jeton i vetëm në Çikago, qytet i cili hyri në karantinë marsin e kaluar për shkak të COVID-19. Ai ka probleme me zemrën, kështu që ka qëndruar në shtëpi që nga ajo kohë.

Të vetmit njerëz që e kanë prekur kanë qenë infermierët me doreza latex të cilët i masin tensionin e gjakut. Larry e përshkruan veten si një person “shumë i afrueshëm”. Seksi është i bukur, por më shumë se kaq, ai dëshiron një kontakt platonik të zakonshëm: përqafime dhe shtrëngime duarsh. Ai thotë se shtrihet në shtrat, me mall që të ketë dikë për ta përqafuar.

Pandemia ka qenë një provë e vështirë. Ajo ka shkaktuar zbrazëti të lëna nga persona të dashur që nuk i mbijetuan COVID-19, zbrazëti nëpër vendet e punës dhe shkolla dhe mungesën e miqve dhe familjes. Mungojnë edhe gjëra të tjera të vogla. Për të frenuar përhapjen e COVID-19, njerëzit kanë hequr dorë nga shtrëngimet e duarve, përkëdheljet apo përqafimet që ngrohin bashkëveprimet e përditshme. Mungesa e tyre nuk përmendet zakonisht.

E megjithatë, prekja është po aq e nevojshme për mbijetesën njerëzore, sa ushqimi dhe uji, thotë Tiffany Field, drejtoreshë e Touch Research Institute në Miller School of Medicine, pjesë e University of Miami. Shqisa e të prekurit zhvillohet e para dhe është e vetmja shqisë e nevojshme për mbijetesë. Ne mund të jetojmë me humbjen e shikimit ose dëgjimit. Por pa prekjen, e cila na mundëson të kuptojmë stimuj të jashtëm si trysnia, temperatura dhe tekstura, nuk do të mund të ecnim ose të ndjenim dhimbje. Lëkura jonë është mjeti përmes të cilit ecim në botë.

Disa grupe kanë vuajtur prej kohësh nga mungesa e prekjes. Për shekuj me radhë, lebrozët janë konsideruar të paprekshëm. Dalitët, kasta më e ulët në Indi, shiheshin si “njerëz që nuk duhen prekur me dorë”. Izolimi përdoret si dënim nëpër burgje. Në një film para vdekjes së tij në vitin 2015, Peter Collins, një i dënuar kanadez që e kishin mbyllur të vetëm në qeli, tha se e dëshironte aq intensivisht prekjen e një njeriu tjetër, saqë shtirej sikur mizat që i ecnin mbi lëkurë, ishin gishtat e gruas së tij. Por, vetëm me ardhjen e pandemisë dhe të distancimit social në masë, njerëzit anembanë përjetuan çfarë do të thotë të privohesh nga kontakti fizik për një kohë kaq të gjatë.

Njerëzit kanë nevojë për prekje në mënyrë që të krijojnë marrëdhënie të ngushta. Për të përmirësuar shanset për mbijetesë, Homo sapiens evoluoi për të jetuar në grupe. Njerëzit “duhet të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin”, shpjegon Alberto Gallace, psikobiolog në Universitetin Milano-Bicocca. Kjo mund të shpjegojë pse, ashtu si kafshët e tjera shoqërore, edhe njerëzit kanë zhvilluar një sistem neurologjik të modeluar për t’iu përgjigjur prekjeve dashamirëse.

“Stimuli i aplikuar mbi lëkurë me një presion dhe shpejtësi të ulët, pra në thelb, një përkëdhelje, – thotë doktor Gallace, – aktivizon një fibër nervore të posaçme në lëkurë. Stimulimi i kësaj fibre aktivizon pjesë të trurit, përgjegjëse për kënaqësinë, duke lëshuar një sërë hormonesh, përfshirë dopaminën, serotoninën dhe oksitocinën, që qetësojnë ankthin dhe na bëjnë të ndihemi më të lumtur”.

Rëndësia e prekjes fillon shumë herët. Një përmbledhje e literaturës shkencore në vitin 2016, zbuloi se foshnjat që kishin kontakte lëkurë më lëkurë me nënat menjëherë pas lindjes, kishin 32% më shumë gjasa të ushqeheshin me sukses me gji në përpjekjen e parë, sesa foshnjat që nuk kishin kontakt. Disa orë më vonë, këto foshnja kishin funksion më të mirë të zemrës dhe mushkërive dhe nivele më të larta të sheqerit në gjak.

Në një studim në vitin 1986 në Amerikë, foshnjat e lindura para kohe, të cilave u bëhej masazh i rregullt për dhjetë ditë pak kohë pasi kishin lindur, shtuan peshë më shpejt dhe u larguan nga kujdesi intensiv më shpejt sesa foshnjat e lindura para kohe që nuk u bëhej masazh. Zhvillimi i tyre fizik dhe mendor, ishte gjithashtu më i mirë një vit më vonë.

Efektet pozitive shëndetësore të prekjes nuk mbarojnë me kaq. Prekja ul nivelet e kortizolit, hormoni që prodhohet nga trupi në përgjigje të stresit. Përveçse nxit përgjigjen “fight or flight” (lufto ose arratisu), kortizoli pengon “qelizat vrasëse natyrore”, një lloj i qelizave të bardha të gjakut që sulmon viruset dhe bakteret. Prekja gjithashtu mund të rrisë prodhimin e këtyre qelizave në pacientët me HIV dhe kancer, sipas doktorit Field.

Në vitin 2014, studiuesit në Universitetin Carnegie Mellon, vunë re se të rriturit e shëndetshëm që përqafoheshin më shpesh, kishin më pak të ngjarë të ftoheshin, ndoshta sepse përqafime të tilla janë një mënyrë për të komunikuar afeksionin dhe njerëzit që ndiejnë se duhen nga të tjerët, kanë më pak të ngjarë të sëmuren.

Nga ana tjetër, mungesa e prekjes është e dëmshme. Pas kontrollit të faktorëve të tillë si varfëria dhe cilësia e kujdesit mjekësor, studimet e foshnjave treguan se mungesa e prekjes çon në një sërë problemesh me zhvillimin gjatë rritjes, argumenton David J. Linden, profesor i neuroshkencës në Universitetin Johns Hopkins, në librin me titull “Touch”.

Fëmijët që nuk janë përkëdhelur, priren të zhvillojnë aftësi të caktuara njohëse më vonë sesa bashkëmoshatarët e tyre. Mungesa e prekjes mund të nxisë agresionin. Në vitin 2002, doktor Field vërejti se në krahasim me adoleshentët francezë, fëmijët në Amerikë merrnin më pak afeksion fizik dhe ishin më tepër agresivë. Por ata që morën masazhe ditore u bënë më pak agresivë pas pesë ditësh.

Pa kontakt të rregullt fizik, njerëzit mund të bëhen “skin hungry”, një gjendje ku ata përjetojnë më pak prekje sesa dëshirojnë. Disa studime që janë bërë mbi këtë çështje tregojnë se kjo është e dëmshme. Një sondazh i 509 të rriturve nga e gjithë bota në vitin 2014, tregoi se mungesa e prekjes lidhej me vetminë, depresionin, stresin, çrregullimet e humorit dhe ankthit, si dhe çrregullimet sekondare të imunitetit.

Pandemia e shumëfishoi këtë problem

Në një sondazh të 260 amerikanëve që qëndruan në karantinë për një muaj prillin e kaluar, 60% thanë se e dëshironin shumë kontaktin fizik. Ndikimi mund të jetë veçanërisht i mprehtë në vendet ku njerëzit normalisht janë mësuar me prekje të shpeshta.

Në Italinë e Jugut “mbajtja e distancës nga dikush është pothuajse fyese”, thotë Luca Vullo, autori i një libri mbi komunikimin joverbal të italianëve. E megjithatë, edhe italianët vetë janë befasuar nga niveli i pajtueshmërisë me masat e distancimit social. Shumica mbajnë maska ​​dhe ruajnë distancën në radhë.

Në Brazil, nga ana tjetër, Claudia Matarazzo, një trajnere në etikën e mirësjelljes, e cila në vitin 2020 shkroi një udhëzues se si mund të kufizohej kontakti fizik pa u treguar të pasjellshëm, ka hequr dorë nga përpjekja për t’i bindur bashkatdhetarët të zëvendësojnë puthjet me takimet e bërrylave. Përpjekjet e saj nuk janë ndihmuar nga presidenti i vendit Jair Bolsonaro, i cili përqafohet dhe shtrëngon rregullisht duart me mbështetësit. Ai nuk arriti të ruante distancën as kur kishte COVID-19.

Në të kundërt, njerëzit më të rezervuar, mund edhe të mos e vërejnë fare se po shkëmbejnë më pak kontakte fizike. Leonard Lim, i cili punon në fushën e teknologjisë në Singapor, nuk ka takuar askënd ballë për ballë, përveç gruas me të cilën jeton dhe prindërve, që nga shkurti i kaluar. Atij as nuk i shkoi ndër mend se kishte pasur më pak kontakte fizike njerëzore vitin e kaluar, derisa e pyetën nëse e kishte vërejtur mungesën.

Ndjesia e prekjes neglizhohet lehtë. Shqisave të tjera si shikimi dhe dëgjimi, u përkushtohen forma të tëra arti, ndërsa kuzhinierët dhe parfumierët i shërbejnë shijes dhe nuhatjes. Shkencëtarët e lënë pas dore shqisën e të prekurit. Në shekullin XIX, intelektualët europianë e përbuznin prekjen si “një mënyrë perceptimi e vrazhdë dhe e paqytetëruar”, inferiore ndaj shikimit, sipas historianes së kulturës, Konstance Klasen. Në vendet anglofone, tmerri viktorian ndaj trupit të njeriut i ushqeu këto paragjykime. Rregullat sociale kundër prekjes vazhduan në ato vende në shekullin e ardhshëm.

Në vitet 1960, Sidney Jourard, psikologe në Universitetin e Floridës, vëzhgoi sjelljen e çifteve në kafenetë nëpër botë. Gjatë një ore, çiftet në Paris dhe Puerto Riko e prekën njëri-tjetrin përkatësisht 110 dhe 180 herë. Çiftet në Florida u prekën vetëm dy herë. Ata në Londër i shmangën fare kontaktet./Nga Monitor

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit