28.8 C
Pristina
Sunday, June 16, 2024

Pagjumësia e Nekibe Kelmendit

Më të lexuarat

Pagjumësia e Nekibe Kelmendit

Tërë natën rri mbi këtë libër të shenjtë,
Lexoj shkronjë mbas shkronje, fjalë për fjalë.
Balli më është rënduar, sytë më janë ënjtë,
Lotët pa pushim derdhin mërzinë valë mbi valë.
Duart më janë mpirë e nuk i ndiej
A janë pjesë e imja a veç më janë ngjitur,
Por, prapë më ndihmojnë faqet e librit t’i kthej
Lëvizen nga një Forcë e përndritur.
Faqeve të librit më shpërndahen lotët
Rrjedhin mbi germa, fjalët ndrisin shumë,
Prandaj nuk kam si të fle, madje as të kotem,
Nuk mund ta lë këtë spërndritje për një gjumë.
Lotët që më rrjedhin rrëke mbi fjalët e shenjta
Janë më të kthjellët sesa vesa mbi lendinë.
Janë lot nëne që burojnë nga dhembja
Dhe përpiqen ta përmbytin me dashuri gjithësinë.
Lotët e mi rrjedhin dhe nuk do të shteren,
Lotët e një nëne fatmjerë nuk shterojnë,
Nëse sytë e saj lemerinë panë, ata kurrë nuk teren,
Si murana vdekjen, dhembjen e shënjojnë.
Ah këta sytë e mi atë natë hatanë e panë
Kastriotin, Kushtrimin e Bajramin** kur m’i morën,
Nuk di s’i s’m’u verbuan, nuk di si nuk u thanë
Siç nuk e di as sa vrushkuj lotësh nxorën.
Këta sy mbeten këtu si kroje që nuk thahen
Dhe si pasqyra, ku reflektohet drita qiellore.
Fjalët e shenjta në lotët e mi kur të mos lahen
Vdekjes do t’i them: pse mua të parën nuk më more?!

6 dhjetor 2015

*Avokate, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe politikane e njohur shqiptare nga Kosova.
** Natën e 24 marsit 1999, bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin, me të dy bijtë, Kastriotin dhe Kushtrimin, forcat policore serbe i kanë arrestuar në shtëpinë e tyre dhe po atë natë, pa asnjë proces gjyqësor, i kanë ekzekutuar në dalje të Prishtinës dhe i kanë lënë aty të pavarrosur.
*** Nekibja më ka treguar se, pas vrasjes së dy djemve dhe të të shoqit, javët e para të tragjedisë ajo e ka kaluar kohën duke lexuar Kur’anin fëmëlartë, ku gjente qetësinë, për ta ruajtur durimin dhe mendjen e kthjellët.

Milazim KRASNIQI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit