Organizata “Reporterët pa Kufij” (RSF) ka reaguar fuqishëm ndaj sulmeve ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat morën jetën e pesë gazetarëve, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mblidhet urgjentisht për të ndaluar këtë që e cilësoi si “masakër”.
Në deklaratën e publikuar nga RSF, theksohet se pesë gazetarë u vranë gjatë bombardimit të ushtrisë izraelite mbi spitalin “Nasser” në qytetin Khan Younis. “Izraeli i shënjestroi qëllimisht gazetarët”, thuhet në njoftim, duke dënuar ashpër sulmet ndaj përfaqësuesve të medias.
Drejtori i përgjithshëm i RSF-së, Thibaut Bruttin, kujtoi se më shumë se 200 gazetarë janë vrarë nga forcat izraelite në Gaza vetëm gjatë dy viteve të fundit. Ai theksoi se, ndonëse e drejta ndërkombëtare garanton mbrojtjen e gazetarëve dhe dhjetë vjet pas miratimit të Rezolutës 2222 të KS-OKB-së që sanksionon këtë mbrojtje, ushtria izraelite vazhdon ta shpërfillë hapur.
Bruttin kërkoi t’i jepet fund pandëshkueshmërisë ndaj krimeve kundër gazetarëve, duke pyetur: “Sa larg do të shkojë ushtria izraelite në përpjekjen e saj për të shtypur gradualisht informacionin në Gaza?”.
Raportet e para nga vendngjarja tregojnë se 20 persona humbën jetën, mes tyre pesë gazetarë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë bombardimit në katin e katërt të spitalit “Nasser”. Pavarësisht bilancit tragjik, ushtria izraelite, e cila mori përgjegjësinë për sulmin, pretendoi se nuk kishte shënjestruar gazetarët.
Mes viktimave ishin: fotoreporteri i Reuters, Hossam al-Masri; kameramani i Al Jazeera, Mohammed Salameh; gazetarja Maryam Abu Deqqa, bashkëpunëtore e Independent Arabia dhe Associated Press; gazetari i NBC News, Moaz Abu Taha; si dhe gazetari Ahmed Abu Aziz.
