17.7 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

OKB dhe BE reagojnë për “vendimin e banesave të reja nga Izraeli”

Më të lexuarat

Kombet e Bashkuara duke shprehur shqetësimin për vendimin rreth ndërtimit të 2,500 banesave ilegale në territoret palestineze nën okupimin e Izraelit, ka njoftuar se sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres nuk ka një plan tjetër B përveç se alternativës për zgjidhjen me dy shtete, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ve, Stephane Dujarriç, në konferencën e përditshme për shtyp i është përgjigjur pyetjes së gazetarit të AA-së në lidhje me vendimin e “Izraelit për ndërtimin e shtëpive të reja pavarësisht vendimit të Këshillit të Sigurisë së OKB-së.”

Duke u shprehur se “veprimet e njëanshme të Izraelit që pengojnë paqen janë shqetësuese”, Dujarriç ka vënë në dukje se edhe Sekretari i Përgjithshëm Antonio Geterres është i shqetësuar nga ky vendim i Izraelit. Ai ka shtuar se “sekretari i përgjithshëm nuk ka një plan tjetër B përveç se alternativës për zgjidhjen me dy shtete.”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu me një vendim të marrë ditën e diel në Këshillin e Ministrave kishte hequr të gjitha kushtet që ndalojnë zgjerimin e njësive të vendbanimeve hebreje në Jerusalemin Lindor dhe në Bregun Perëndimor.

Është hera e dytë që Izraeli merr një vendim në lidhje me këtë çështje që pas marrjes zyrtarisht të detyrës më 20 janar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili mbështet ndërtimet e banesave në vendbanimet hebreje në Jerusalemin Lindor dhe në Bregun Perëndimor.

Më parë Komiteti i Planifikimit dhe Ndërtimit në Bashkinë e Jerusalemit i lidhur me Izraelin kishte dhënë miratimin për ndërtimin e 566 objekteve të reja në Jerusalemin Lindor. Kryetari i Komitetit të Planifikimit dhe Ndërtimit në Bashkinë e Jerusalemit, Meir Turgeman ka theksuar se ky vendim ishte planifikuar më parë, por se ishte shtyrë deri në fillimin zyrtarisht të detyrës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Gjithashtu edhe Trump gjatë fushatës zgjedhore ishte shprehur se “njësitë e vendbanimeve që Izraeli ndërton në territoret palestineze, nuk përbëjnë problem për negociatat e paqes.”

BE kritikon ashpër Izraelin për ndërtimet ilegale

Komisionerja e lartë për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka kritikuar vazhdimin e ndërtimit të vendbanimeve ilegale të Izraelit në tokat e pushtuara palestineze.

“Është zhgënjyese që Izraeli insiston në politikën e tij të diskutueshme të ndërtimit të vendbanimeve ilegale, pavarësisht të gjitha shqetësimeve dhe paralajmërimeve që vijnë nga të gjitha nivelet e bashkësisë ndërkombëtare. E theksoj se ndërtimi i këtyre vendbanimeve izraelite është akt i paligjshëm sipas të drejtës ndërkombëtare dhe rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Mogherini.

Duke theksuar se Bashkimi Evropian mban një qëndrim krejtësisht të kundërt nga Izraeli sa i përket ndërtimit të këtyre vendbanimeve të paligjshme, Mogherini i bëri thirrje të gjitha palëve që të kuptojnë se zgjidhja e krizës dhe arritja e paqes së qëndrueshme mund të arrihet vetëm në bazë të modelit me dy shtete dhe të sillen në përputhje me rrethanat.

Liga Arabe dënon vendimin për ndërtimin e shtëpive të reja në Jerusalemin Lindor

Në kumtesën e Ligës Arabe thuhet se ky vendim në mënyrë të hapur provokon bashkësinë ndërkombëtare.

“Miratimi i ndërtimit të shtëpive të reja synon të testojë vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërkohë që paraqet shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Liga Arabe ka apeluar deri tek bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë masat e nevojshme si dhe të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në mënyrë që të ndalojë ndërtimin e kolonive të reja hebreje në territorin palestinez.

Liga thekson se vendimi izraelit ëshë kundërpërgjigje e qeverisë ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u miratua dhjetorin e kaluar, e cila bën thirrje për t’i dhënë fund ndërtimit të vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit