9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

OBLIGIMI YNË SI MUSLIMANË NË KËTO KOHË

Më të lexuarat

OBLIGIMI YNË Në këto kohë të pakohë, siç shprehet populli, që për muslimanët sjellin vetëm mjerime e fatkeqësi, detyra jonë kryesore është të përpiqemi të ndryshojmë këtë gjendje që pothuajse e ka përhumbur tërë umetin nga Islami i vërtetë. Jo vetëm dijetarëve e studentëve, por edhe tërë muslimanëve të tjerë u mbetet që në mundësitë e tyre të bëjnë diç në këtë drejtim. Dera e daljes nga kjo gjendje është e personifikuar në dituri dhe punë, në të kundërtën, dija pa punë nuk e ndërron realitetin aspak, ndërkohë edhe puna pa dituri më shumë shkatërron sesa ndërton.

Me dituri nuk kam për qëllim gjëra dytësore a sjellje edukative. Jo. Dua të them dijen prej së cilës buron besimi i pastër dhe bindja e fortë, që, në njërën anë, e detyrojnë (pozitivisht) zemrën të parapëlqejë Allahun, të Dërguarin dhe fenë e Tij kundrejt çdo gjëje, dhe, në anën tjetër, shërben si shtytëse e motiv për të punuar e për të sakrifikuar për fenë, qoftë edhe me pasuri e jetë. Një gjë e tillë nuk arrihet pa pasur dije që reflekton Islamin e vërtetë, bindjen e plotë në vërtetësinë e njëzimit të Allahut për të kaluar më pas në njohjen e rreziqeve, armiqve dhe atyre që kërcënojnë umetin islam, me të gjitha format e luftës, frontale e ideore.
Nëse për muslimanët (e rëndomtë) është obligim nxënia dhe pajisja me dije, shkrimtarëve dhe botuesve u mbetet përgjegjësia e përhapjes dhe publikimit të librave islamë, që e lidhin njeriun me Zotin e vet dhe që ofrojnë zgjidhje të çdo problemi duke mos u marrë imtësisht me një aspekt e duke lënë pas dore një tjetër. Ata assesi nuk do të duhej të publikonin libra vetëm për të përfituar nga ato që i “kërkon” tregu, kurse atë anë që është jashtëzakonisht e rëndësishme në fe ta trajtojnë pa ndonjë theks të veçantë.

Të jemi të qartë, ne nuk konsiderojmë se librat për masën e gjerë të popullit janë të pavlerë. Larg saj. Themi se duhet bërë një baraspeshim dhe ekuilibër botimesh, në mënyrë që asnjë anë e fesë të mos mbetet e zbrazët për shkak të favorizimit të një pjese të caktuar. Nuk është racionale që një librari islame të jetë e tejmbushur me libra për xhinët, magjinë, fallin, astrologjinë, devotshmërinë, lutjet, veprat e mira, çështje dytësore të jurisprudencës etj., ndërkohë, prapë në mënyrë joracionale, has librari që pothuajse tërësisht është e zhveshur nga librat e përgjithshëm që trajtojnë dhe shtjellojnë aspekte të rëndësishme të Islamit, si: dispozitat e legjislacionit politik sipas këndvështrimit islam, diskutime rreth fraksioneve e ideologjive të përhapura në vendet tona, bie fjala, sekularizmi, demokracia, socializmi, si dhe parti e lëvizje që kanë deklaruar mohimin e tyre. Po ashtu, duhet folur edhe për xhihadin, jo në aspektin e obligimit të tij, ngase kjo është e njohur, gjë që nuk do koment, por në aspektin e luftimit të pushtetarëve renegatë, të cilët, jo vetëm që vetë kanë braktisur fenë dhe kanë përvetësuar sisteme antifetare, por edhe njerëzve ua imponojnë ato. Edhe librat që shtjellojnë mënyrat e rikthimit të kalifatit islam (qeverisjes islame) janë të kësaj natyre, dhe, nëse dikush ndalet dhe bën një krahasim në mes librave të këtij aspekti dhe librave të përmendur më lart, do të gjejë hendek shumë të madh. Më e keqja është se edhe shitja e librave të karakterit të parë bëhet shumë më shumë sesa e këtyre të fundit.

Shkrimtarët dhe botuesit mund të arsyetohen me faktin se njerëzit u shmangen librave me tematikë të sipërpërmendur, por pyesim: Që kur autori që dashka të botojë e të publikojë punime të tij, iu nënshtruaka qejfeve dhe tekave njerëzore. Nëse është një mospërfillje e librave të tillë, siç thonë, atëherë edhe mbi supet e tyre rëndon një pjesë e fajit ngase ua kanë përfillur dëshirat duke mos ua sqaruar nevojën e ekuilibrit dhe drejtpeshimit të mosrënies së njerëzve në grackën e kufizimit dhe tkurrjes ligjore të Islamit vetëm në lutje, në ndonjë aspekt edukativ apo në ndonjë adet.
Sot, mjerisht, te disa njerëz Islami është i kufizuar në forma të ndryshme. Dikush kufizohet vetëm në namaz e agjërim, disa në formë të veçantë lutjesh, të tjerë vetëm në aspektin moral e jo në atë normativ, disave u intereson vetëm veshja dhe dukja, ndërkohë të tjerëve u interesojnë vetëm çështje dytësore të fikhut apo hadithit. Rrjedhimisht, nëse sot u flet njerëzve për Islamin si fe e përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse, nëse flet për disa çështje të rëndësishme që burojnë nga besimi në njëzimin e Allahut dhe në Ditën e Llogarisë, si: Gjykimi me ligjin e Zotit, nëse debaton për nevojën e kthimit të shtetit dhe kalifatit islam, nëse cilëson të pafe lëvizje të sotme politike, fjala vjen, sekularizmin, do të të gjykojnë si njeri që flet për një fe që s’ka të bëjë me “fenë islame” (të tyren: të qejfeve e tekave).
-Kjo është politikë, e fesë s’i takon të ndërhyjë në çështjet politike, – të këshillojnë. Të tillëve, po t’iu kushtohej ligjërata e xhumasë, derset (mësimet) e xhamive dhe librat (fletushkat) e thjeshta, sigurisht se nuk do të kishin qëndrime të kësisojta. Mu për këtë, ne, shkrimtarë e botues, s’duhet marrë pjesë në devijimin e fesë e lajthitjen e njerëzve, si dhe ndarjen e saj në grupe nëpërmjet prezantimit të fesë sipas kërkesave të lexuesve dhe dinamikës së tregut. Në të kundërtën, vetë ne do të bëheshim protagonistët e realizimit të një synimi të madh të sekularistëve: izolimin e fesë nga jeta. Arsyetimi tjetër i autorëve dhe botuesve se këto gjëra kanë nevojë për një diapazon të gjerë të diturisë dhe se gabimi në to nuk është i lehtë, gjë për të cilën pajtohemi, është me vend ngase sot shumica e autorëve nuk janë të denjë për shkrime. Kështu, këto gjëra do të duhej të zgjonin nga gjumi dijetarët dhe mendimtarët që të mos zbehet roli i tyre në ndërrimin e këtij realiteti të hidhur. Në kuadër të diskutimit për dijen dhe përhapjen e saj, elitës arsimuese, duke filluar nga mësuesit e cikleve të ulëta e deri te profesorët universitarë, iu ngarkohet barra kryesore për njerëzit e paarsimuar ose në arsimim e sipër. Ky obligim ose kjo barrë do të duhej përqendruar në:
1) Përpilimin e planprogrameve mësimore që janë në shërbim të fesë islame. Nuk duhet të jenë vetëm shkencore, ngase shkenca e sotme, që identifikohet si laike, megjithatë nuk bie ndesh me të vërtetat fetare, po qe se do të hulumtohej imtësisht. Si të mos përputhet me fenë islame kur që të dyja burim kanë Allahun?! Zbulimet shkencore janë pjesë e krijimtarisë së Allahut, ndaj as që mund të imagjinohet dot mospërputhje me fenë, përveç nëse të dhënat e saj janë supozime. Sa të shumta janë të dhënat shkencore që shërbejnë si dëshmi për besimin në Allahun dhe për rrëzimin e teorive ateiste, të cilat nuk kalojnë dot kufirin “racional” (eksperimentet shkencore). Hartuesit e planprogrameve përkatëse duhet të jenë vigjilentë e shumë të kujdesshëm në këtë aspekt dhe t’i kenë parasysh këshillat që dhamë, jo formalisht, por me plot kuptimin e fjalës.
2) Zhveshjen e njësive mësimore nga elementet e afetarizmit, devijimit dhe lajthitjes shpirtërore. Jo rrallë udhëzimet që vihen për këto lëndë janë nga njerëz jofetarë. Mësuesi musliman lëndën mësimore duhet ta zhvillojë në përputhje me realitetin duke ua bërë të qartë nxënësve këto devijime. Ai nuk duhet ngelur vetëm si mësues i lëndës, përkundrazi, lëndën shkencore duhet ndërlidhur me fenë islame në mënyrë që edhe ai, me kontributin e tij shumë të çmuar, të jetë pjesë e karvanit të thirrësve në rrugën e Allahut të Madhëruar.
3) Moslëshimin e asnjë rasti pa shfrytëzuar për sqarimin e botëkuptimeve islame, vërtetimin e parimeve të Islamit dhe prezantimin e edukatës së fesë sonë te nxënësit e tij. Realizimi i këtyre pikave do të arrihej lehtë po qe se kjo elitë intelektuale do të ishte në nivel të duhur shkencor-fetar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit