Zbuloni aftësitë tuaja: Secilit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar

Më të lexuarat

ZBULONI AFTËSITË TUAJA

Aliu b. Ebu Talibi, radijallahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“Përpiquni, sepse secilit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar.”
(Buhariu, nr. 494; Muslimi, nr. 2647)

Një nga themelet e suksesit njerëzor është njohja e aftësive vetjake, zbulimi i llojit të inteligjencës që na dallon, sepse pikërisht aty qëndron potenciali ynë më i madh.

INTELIGJENCAT E SHUMËFISHTA

Shkruan: prof. Abdullah Nasup

Teoria e inteligjencave të shumëfishta ka ndryshuar shumë koncepte edukativo-arsimore që më herët konsideroheshin të padiskutueshme.

Howard Gardner, krijuesi i kësaj teorie, e konsideron inteligjencën si një grup aftësish që i mundësojnë individit zgjidhjen e problemeve dhe e ndihmojnë në jetë. Kuptimi i tij për inteligjencën devijon nga kuptimi tradicional, sepse i jep asaj një domethënie më të gjerë dhe më praktike. Sipas tij, inteligjenca është aftësia për të krijuar produkte të dobishme ose për të ofruar shërbime që kanë vlerë në kulturën në të cilën jeton njeriu.

Me këtë përkufizim, Gardner e nxjerr inteligjencën nga korniza abstrakte e të kuptuarit dhe e shndërron atë në mënyrë praktike të punës dhe të sjelljes së përditshme. Për këtë arsye ai i jep përparësi përkufizimeve operative që edukatorëve u mundësojnë një pasqyrë më të qartë mbi qëllimet dhe kuptimin e punës së tyre.

Gardner thekson se ka ardhur koha të braktiset nocioni i vetëm i inteligjencës që matet me koeficient inteligjence dhe që vëmendja të përqendrohet te mënyra natyrore se si njerëzit zhvillojnë aftësitë e nevojshme për mënyrën e tyre të jetesës. Si shembull ai përmend detarët në det të hapur, të cilët, mes shumë drejtimesh, gjejnë rrugën falë orientimit sipas yjeve, aftësisë për të kuptuar instrumentet e lundrimit që tregojnë drejtimin e lëvizjes, etj. Për ta, fjala “inteligjencë” nënkupton pa dyshim aftësinë e mbijetesës.

Llojet e inteligjencës përfshijnë: inteligjencën gjuhësore, logjiko-matematike, inteligjencën hapësinore, trupore-kinestetike, muzikore-ritmike, ndërpersonale (shoqërore), intrapersonale (personale), inteligjencën natyrore dhe inteligjencën ekzistenciale.

Teoria e inteligjencave të shumëfishta, sipas Gardnerit, nuk është teori e një lloji të vetëm inteligjence që synon të përcaktojë një inteligjencë të përbashkët për të gjithë njerëzit, por teori e disa llojeve inteligjence. Ajo bazohet në faktin se çdo person posedon aftësi në të gjitha llojet e inteligjencës, por se këto inteligjenca veprojnë së bashku në një mënyrë unike për secilin individ. Inteligjenca mund të jetë shumë e zhvilluar në disa fusha, mesatarisht e zhvilluar në disa të tjera, dhe relativisht dobët e zhvilluar në fushat e mbetura.

Në bazë të kësaj, përfundojmë se shumica e njerëzve mund të zhvillojnë çdo lloj inteligjence dhe ta çojnë atë në një nivel përkatës kompetence, nëse u ofrohen nxitja e duhur, dijenia dhe trajnimi.

HADITHI PROFETIK DHE INTELIGJENCAT E SHUMËFISHTA

Shtrohet pyetja: cila është lidhja ndërmjet teorisë së inteligjencave të shumëfishta dhe hadithit:
“Secilit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar?” (Buhariu)

Këtë lidhje mund ta gjejmë në kuptimin e besimit në kader dhe në detyrimin tonë për të jetuar në përputhje me rregullat e Allahut. Për ta shpjeguar këtë më hollësisht, është e nevojshme të shohim tekstin e plotë të hadithit, i cili thotë:

Aliu, radijallahu anhu, tregon:
“Ishim në një xhenaze në Bekiu-l-Garkad, kur na erdhi i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, u ul dhe ne u ulëm rreth tij. Ai kishte me vete një shkop me të cilin filloi të gërvishtte tokën, pastaj tha: ‘Nuk ka asnjë prej jush që të mos ketë vendin e tij të caktuar ose në Xhenet ose në Xhehenem.’
U tha: ‘O i Dërguari i Allahut, a të mbështetemi atëherë në atë që na është caktuar?’
Ai tha: ‘Përpiquni, sepse secilit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar.’”

Hadithi sqaron se Allahu, me dijen e Tij absolute, e njeh rrugën e njeriut, por ia ka fshehur atij dijen se për çfarë është krijuar, në mënyrë që askush prej nesh të mos e dijë me siguri fatin e tij dhe për këtë arsye të përpiqet dhe të veprojë.

ZHVILLIMI I POTENCIALIT

Hadithi “Secilit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar” tregon se Allahu i ka dhënë secilit potencial, por edhe motivim të brendshëm që ai potencial të realizohet. Prandaj, të bërit e asaj që përputhet me aftësitë dhe interesat natyrore të njeriut aktivizon ndjenjën e kënaqësisë dhe arritjes, gjë që shton motivimin për përparim.

Motivimi rritet kur vendosim qëllime të qarta dhe reale, të përshtatura me mundësitë tona. Përparimi i vazhdueshëm dhe puna e pandërprerë janë kyçe për zhvillim. Çdo përparim, sado i vogël, e rrit ndjenjën e kompetencës dhe forcon vullnetin për të vazhduar.

ZBULIMI I AFTËSIVE VETJAKE

Çdo njeri është i veçantë. Në secilin prej nesh fshihen potenciale dhe dhunti që ndonjëherë as vetë nuk e dimë se i posedojmë. Shpesh kërkojmë lumturinë dhe suksesin duke u përpjekur të jetojmë jetën e të tjerëve, duke ndjekur pritshmëritë e huaja, pa e kuptuar se forca dhe frymëzimi i vërtetë qëndrojnë në zbulimin e aftësive tona.

Zbulimi i aftësive vetjake do të thotë të njohim atë në të cilën jemi natyrshëm të mirë, atë që na mbush dhe na jep ndjenjë kënaqësie kur e bëjmë. Ky është rruga drejt një jete autentike, ku nuk kopjojmë të tjerët, por krijojmë rrugën tonë.

Çdo person posedon lloje të ndryshme inteligjence dhe talente: disa janë vizuale dhe kreative, disa logjike dhe analitike, disa shoqërore, e disa trupore-kinestetike. Njohja e këtyre aftësive është hapi i parë drejt suksesit dhe lumturisë.

Mos harroni: çdo aftësi është dhuratë, por ajo nuk vlen nëse nuk përdoret. Kur t’i njihni pikat tuaja të forta dhe të filloni t’i zhvilloni, ndjenja e vetëbesimit dhe e arritjes do të rritet. Çdo fitore e vogël në këtë rrugë do t’ju forcojë për të vazhduar më tej, për të kërkuar më shumë dhe për të jetuar një jetë të mbushur me kuptim.

Mbani mend: secilit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar. Qëllimi dhe potenciali juaj janë tashmë brenda jush; tani mbetet vetëm t’i zbuloni dhe të jetoni me zemër të plotë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit