- Biografia e autorit
Ai është Ebu Xhafer, Muhamed bin Xherir bin Jezid bin Kethir bin Galib et-Taberi.
Ai ishte nga qyteti Amol, që ishte qyteti më i madh i krahinës së Taberistanit, atëkohë ndodhej përgjatë bregdetit jugor të Detit Kaspik, në atë që sot është veriu i Iranit.
Lindi në fund të vitit 224 hixhri, dhe është thënë gjithashtu: në fillim të vitit 225 hixhri.
Taberiu u rrit në një ambient të mirë edukimi dhe kujdesi që nga fëmijëria e hershme. Ai vetë ka përmendur këtë duke thënë:
“E mësova Kuranin përmendësh në moshën shtatëvjeçare, u prija njerëzve në namaz kur isha tetë vjeç, dhe fillova të shkruaj hadithin në moshën nëntëvjeçare. Babai im pa në ëndërr sikur unë isha përpara të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe kisha me vete një qese të mbushur me gurë, me të cilët po hidhja para tij. Një njeri që interpretonte ëndrra i tha atij: ‘Kur të rritet, ky djalë do të jetë këshilltar në fenë e tij dhe do të mbrojë sheriatin e fesë.’ Pas kësaj, babai im u përkushtua të më ndihmonte në kërkimin e dijes, ndërsa unë isha ende një fëmijë i vogël.”
Mu‘xhem el-Udeba, 6/2446
Ai filloi të shkruante hadith në vendlindjen e tij, pastaj në qytetin Rej dhe rrethinat e tij, më pas udhëtoi në Bagdad, Basra, Kufe, pastaj në Fustat të Egjiptit, më vonë u kthye në Sham, pastaj përsëri në Egjipt, dhe në fund u vendos në Bagdad, ku edhe ndërroi jetë.
Hatib el-Bagdadi ka thënë:
“Ibn Xheriri ishte një prej imamëve, gjykimi i tij merrej si argument dhe ktheheshin tek mendimi i tij për shkak të diturisë dhe virtytit të tij. Ai kishte mbledhur nga dijet atë që askush nga bashkëkohësit e tij nuk e kishte. Ishte memorizues i Librit të Allahut, i njohur në leximet (kiraetet), i thelluar në kuptimet e tij, jurist në gjykimet e Kuranit, i dijshëm në sunet dhe rrugët e transmetimit të tij, të sakta e të dobëta, dhe i dalluar në njohjen e ‘Naskhut e Mensukhut’ (abroguesve dhe të abroguarve), në fjalët e sahabëve, tabiinëve dhe dijetarëve pas tyre për çështjet e hallallit dhe haramit.”
Tarih el-Bagdad, 2/161
Imam Dhehebiu ka thënë:
“Imami dijetar, muxhtehidi, dijetari i epokës, Ebu Xhafer et-Taberi, zotëruesi i veprave madhështore. Ai ishte një prej personaliteteve të rralla të kohës për nga dituria, inteligjenca dhe numri i madh i shkrimeve. Sytë rrallëherë kanë parë dikë si ai.”
Sijer A‘lam en-Nubela, 4/267
Ai ka shkruar shumë vepra madhështore e të mrekullueshme, ndër më të rëndësishmet prej tyre janë:
- Libri i tefsirit: “Xhami‘ul-Bejan”
- Libri i historisë: “Et-Tarih” që përfshin ngjarjet historike deri në kohën e tij.
- Libri “Tarihur-Rixhal” për sahabët, tabiinët dhe dijetarët e tjerë që ai vetë i kishte takuar.
- Libri “El-Kira’at” që trajton llojet e leximeve (kiraetet), zbritjet e ajeteve dhe numrin e tyre.
E shumë vepra të tjera madhështore!
Imam Taberiu ndërroi jetë në vitin 310 hixhri. Ai u varros në shtëpinë e tij, në Ruhbet Jakub, që ndodhej në Bagdad.
- Prezantimi i librit
Titulli: “Xhami’ul-Bejan an Ta’vil Ajil-Ku’ran” (Përmbledhje e sqarimeve mbi komentimin e ajeteve të Kuranit)
Autori: Ibn Xherir et-Taberi
Tema: Komentim i Kuranit
Vëllimet: 20
Shtëpia botuese: Dar Ibn Xheuzi
Redaktor: Ebu Amr Ahmed el-Uekil
- Metodologjia e autorit në libër
- a) Tefsir i bazuar në transmetime (tefsir bil-ma’thur)
Kjo është një nga tiparet më të spikatura të këtij tefsiri. Imam Taberiu fillon shpjegimin e ajetit duke grumbulluar transmetime me sened të saktë deri te Pejgamberi ﷺ, nga shokët dhe nga tabi’inët. Shpeshherë ai përmend edhe kuptimin që nxjerr nga këto transmetime dhe atë që e preferon, pastaj përmend transmetimet që mund ta kundërshtojnë këtë mendim, nëse ka të tilla. Kështu, preferenca e tij bazohet kryesisht mbi fuqinë e transmetimeve, dhe kjo është metoda më e fortë e imam Taberiut për të zgjedhur kuptimet që nxjerr.
Shejhul Islam Ibn Tejmije, e ka lavdëruar këtë tefsir. Kur u pyet për interpretimet që janë më afër me Kuranin dhe Sunnetin, ai tha:
“Sa për tefsiret që janë në duart e njerëzve, më i sakti është Tefsiri i Muhamed bin Xherir et-Taberiut, sepse ai përmend qëndrimet e selefëve me senede të sigurta, nuk përhap bidate dhe nuk transmeton nga të akuzuarit, siç janë Mukatil bin Bekir dhe el-Kalbi.”
Mexhmu’ el-Fetava e Shejhul-Islamit, 13/385
- b) Tefsiri i bazuar në gjuhë (tefsir bil-lugah)
Në parathënien e tefsirit të tij, imam Taberiu thotë se një nga mënyrat e shpjegimit të Kuranit është njohuria e tij sipas dijes së njerëzve të gjuhës ku u zbrit Kurani. Për këtë arsye, ai mbështetej shumë në interpretimin gjuhësor. Këtë e mundësonte njohuria e tij e thellë e gjuhës arabe, dhe kuptimi i tij i hollësishëm i fjalëve, formave dhe strukturave të tyre. Ai gjithashtu përfitoi nga dijetarët e gjuhës që e paraprinë në shpjegimin e fjalëve të Kuranit, si Jahja bin Zijad el-Ferra’, Ebu Ubejde Ma’mer bin el-Methna, Sa’id bin Mes’ada el-Ahfesh, etj.
Imam Taberiu nuk lejonte interpretimin e fjalëve të Allahut përtej kuptimit të tyre më të zakonshëm dhe më të njohur midis arabëve, përveç nëse kishte argument të qartë që tregon ndryshe.
Ai gjithashtu e përdorte gjuhën si kriter për të preferuar një lexim mbi një tjetër, siç do të shihet më tej.
- c) Përdorimi i shpeshët i dëshmive sheriatike
Imam Taberiu përdorte shpesh poezi për të sqaruar kuptimin e ajetit, duke ditur se poezia është “divani i arabëve”, pra burimi kryesor i gjuhës dhe kulturës së tyre. Ai ndoqi shembullin e dijetarit të madh dhe ‘përkthyesit’ të Kuranit, Abdullah bin Abbasit ﷺ, i cili thoshte: “Kur të lexoni diçka nga Kurani dhe nuk dini interpretimin e saj, kërkojeni kuptimin tek poezia, sepse ajo është divani i arabëve.” Shu’ab el-Iman, 1683
Dhe gjithashtu thoshte: “Nëse më pyesni për gjuhën e Kuranit, kërkojeni në poezi, sepse poezia është divani i arabëve.” El-Xhami’ el-Ehlak er-Ravi ve Adab es-Sami’, 2/198.
Imam Taberiu përvetësoi thesaret e këtij “divani” dhe burimi i tij i pasur shpërtheu në interpretimin e tij të veçantë, duke ofruar shpjegime të thella dhe të gjera mbi kuptimet e fjalëve dhe shprehjeve.
ç) Preferenca mes leximeve të Kuranit
Imam Taberiu ishte një nga dijetarët e shquar, i njohur gjerësisht dhe me ekspertizë të thellë në të gjitha fushat e dijes islame, i cili mes tjerash i trajtoi të gjitha llojet e leximit të Kuranit, duke preferuar disa mbi disa të tjera tjera sipas vlefshmërisë së senedeve dhe njohjes së tij gjuhësore. Ai shpesh përdorte shprehje si: “Ky lloj leximi është më i afërt të jetë i saktë” ose “Leximi që nuk e lejoj përveç tij është ky”.
Nga nxënësit e imam Taberiut, ishte Ibn Muxhahidi, i njohur si një nga të shtatë dijetarët e (kiraeteve) llojeve të leximit të Kuranit. Gjithashtu, nga ai kanë transmetuar dijetarë të tjerë të shquar si Ibnul-Xhezeriu, i cili e përmend dhe e lavdëron imam Taberiun si imam muxhtehid.
Nga kjo dituri e thellë qe kishte imam Taberiu mbi Kiraetet, vijon pastaj edhe komenti specifik i disa ajeteve në bazë të kiraeteve të ndryshme.
- d) Shmangia e interpretimit me mendim personal (ra’j)
Me “mendim personal ” kuptohet fjala pa argument, e lindur nga epshi personal, qoftë ky argument transmetues apo i arsyeshëm. Imam Taberu e shmangte këtë qasje dhe e shpjegon vetë kuptimin e “interpretimit me ra’j” në parathënien e tij.
- dh) Përkrahja e metodës së selefëve
Imam Taberiu ishte një nga dijetarët e shquar të Ehlu Sunnetit, dhe besimi i tij ishte ai i selefëve, tërësisht dhe në detaje. Ai i mundi me argumente të qarta prijësit e mu’tezilve në tefsir dhe hodhi poshtë kundërshtimet e tyre të gabuara, duke mbështetur metodën e selefit.
- e) Përmendja e Israilijateve
Imam Taberiu transmetoi shumë tregime nga Israilijatet, kritikoi disa prej tyre dhe për shumicën u kufizua në përmendjen e senedit. Tefsiri i tij, megjithëse përmban Israilijate, është ndër më pak të ngarkuarit me tregime dhe israilijate të Pasuesve të Librit (Ehlul Kitabit) krahasuar me shumë libra të tjerë të tefsireve.
ë) Metoda e komentimit në çdo sure
Kur fillon shpjegimin e një sureje, imam Taberiu ndjek një rend të qëndrueshëm: Përmend emrin e sures dhe nëse është mekase apo medinase, tregon numrin e ajeteve dhe nëse ka mendime të ndryshme për to, fillon me komentimin e ajeteve, një nga një, përmend leximet e ndryshme (kiraetet) dhe tregon cila është më e saktë sipas argumenteve gjuhësore ose transmetimeve, shpjegon kuptimin gjuhësor të fjalëve të veçanta, përmend fjalët e selefëve (sahabëve dhe tabiinëve) me zinxhir transmetimi, bën krahasim midis mendimeve dhe zgjedh më të fortin me shprehje siç thamë më parë, përdor poezi arabe për të sqaruar kuptimin e një fjale ose shprehjeje, përfundon shpjegimin e pjesës me përmbledhjen e kuptimit që e sheh më të saktin.
- Rëndësia dhe vlera shkencore e librit
Tefsiri i Taberiut është i pari, më i miri dhe më i gjeri ndër të gjitha tefsiret, me njohuri të thella në shkencat që lidhen me Kuranin, për shkak të kujdesit të tij të veçantë ndaj leximeve kuranore dhe aspekteve gjuhësore. Përveç kësaj, ai përcjell rrëfimet e tefsirit me zinxhirët e transmetimit nga selefët, Allahu i mëshiroftë.
- Vlerësimet e dijetarëve për librin
Imam Neveviu ka thënë:
“Umeti është pajtuar se nuk është shkruar ndonjë tefsir si ai i Taberiut.
Imam Sujtiu ka thënë:
“Libri i tij është më fisniku dhe më madhështori ndër tefsiret, sepse ai trajton drejtimin e mendimeve, zgjedhjen e disa mbi të tjerat, analizën gramatikore dhe nxjerrjen e përfundimeve juridike e gjuhësore. Me këtë ai i tejkalon tefsiret e të parëve.”
Ndërsa Isfaraijniu ka thënë:
“Po të udhëtonte njeriu deri në Kinë për ta fituar një kopje të Tefsirit të Ibn Xherir et-Taberiut, nuk do të ishte udhëtim i tepërt.”
Tabakatul-Mufessirin i Sujtiut, fq. 31
Në përfundim themi:
Tefsiri i imam Ibn Xherir et-Taberiut është shtylla kryesore e tefsirit në islam dhe burim themelor për çdo dijetar pas tij. Ai bashkoi në veprën e tij shkencat e gjuhës, të hadithit, të fikhut dhe të akides, duke e bërë këtë libër enciklopedinë më të plotë në shpjegimin e fjalës së Allahut.
Ky tefsir mbetet modeli më i plotë i tefsirit me transmetim (bil-me’thur), i cili ruan metodën e selefëve në kuptimin e Kuranit, dhe për këtë arsye dijetarët e umetit janë pajtuar se nuk është shkruar ndonjë tefsir që ta arrijë në vlerë, thellësi dhe saktësi.
Prandaj, kush kërkon të njohë Kuranin sipas kuptimit të gjeneratave të para, le t’i kthehet Tefsirit të Taberiut, i cili do të mbetet përherë një udhërrëfyes i sigurt në rrugën e dijes dhe të kuptimit të drejtë të Librit të Allahut.
Përmblodhi: Uvejs Ramadani
