1. Biografia e autorit
Edh-Dhehebiu është imami, hafidhi dhe historiani Ebu Abdullah Shemsuddin Muhamed bin Ahmed bin Uthman edh-Dhehebi.
Ai u lind në vitin 673h , në Damask.
Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, ishte njeri me dije shumë të gjerë dhe njohuri të thella në shkencat fetare islame: në akide, fikh (jurisprudencë), hadith, kiraete (llojet e leximeve kuranore), usul (baza të jurisprudencës), dhe fusha të tjera, duke i kuptuar të gjitha sipas metodologjisë së selefit.
Ai ishte një autoritet i madh në njohjen e hallallit dhe haramit, imam në hadith dhe në shkencat e tij, imam në shkencën e biografive dhe historisë, i fortë në ndjekjen e sunetit, i ashpër ndaj pasuesve të bidateve, dhe qëndronte në të vërtetën pa u ndikuar nga qortimet e njerëzve.
Ka thënë imam Ibn Haxher el-Askalani:
“Piva ujin e Zemzemit (me qëllim) që të arrija nivelin e Dhehebiut në memorizim.”
Tabakat el-Hufadh, 1 / 522
Ka thënë Ibn Nasiruddin ed-Dimeshki, në biografinë e imam Dhehebiut:
“Ka pasur rreth një mijë e treqind mësues nga të cilët ka dëgjuar dhe ka marrë me ixhaze (zinxhir në transmetime).
Er-Reddu el-Uaafir, fq. 31
Gjithashtu, ka thënë nxënësi i tij, Ibn Kethiri:
“Shejhu, hafidhi i madh, historiani i Islamit, dhe shejhu i muhaddithëve, Shemsuddin Ebu Abdullah edh-Dhehebi, me të u përmbyll zinxhiri i dijetarëve të mëdhenj të hadithit dhe i hafidhëve, Allahu e mëshiroftë.”
El-Bidaje uen-Nihaje, 18 / 500
Veprat e tij
“Mizanu’l-I‘tidal” – Në fushën e kritikës së transmetuesve
“Sijeru A‘lam en-Nubela” – Biografitë e figurave të shquara
“Tarihu’l-Islam” – Historitë e plota të ngjarjeve islame
“Tabakat el-Hufadh” – Klasifikimi i hafidhëve të hadithit
“Tabakat el-Kurra” – Klasifikimi i lexuesve të Kuranit
“Telhis el-Mustedrek” – Përmbledhje e Mustedrekut të imam Hakimit
…dhe shumë libra të tjerë të dobishëm në fushën e dijes islame.
Imam Dhehebiu vdiq dhe u varros në Damask, në vitin 748h.
2.Prezentimi sipërfaqësor i librit
Titulli: Sijeru A’lam en-Nubela
Autori: Shemsuddin edh-Dhehebi
Vëllimet: 30
Numri i biografive: Mbi 5964 biografi
Tema: Biografi dhe Histori
Shtëpia botuese: Er-Risaleh el-‘Alemijeh
Redaktor: Grup dijetarësh janë marrë me redaktimin dhe verifikimin e kësaj vepreje gjigante , ku dallojnë sipas vëllimit, disa vëllime i ka redaktuar Dr. Abdullah et-Turki, Dr. Beshar el-Avad, e disa të tjera shejh Shuajb Arnauti, ku ka qenë mbikqyrës i redaktimeve të një pjese dërmuese të vëllimeve. Ndërsa të gjitha hadithet që janë në libër i ka klasifikuar shejh Shuajbi!
3. Metodologjia e autorit në libër
Imam Dhehebiu përdori një metodë të qartë dhe të qëllimshme në përzgjedhjen e biografive dhe materialit për secilin person.
Ai nuk i përfshiu të gjithë njerëzit e njohur, por vetëm ata që ishin të njohur dhe të rëndësishëm sipas dijes dhe ndikimit të tyre.
Për shembull, ai përfshinte udhëheqës politikë, dijetarë të shquar, juristë, muhaddithë, lexues të Kuranit, poetë dhe filozofë, duke krijuar një përfaqësim të larmishëm të personaliteteve të shquara.
Ai ndërtoi përzgjedhjen mbi peshën e dijes së personave dhe besueshmërinë e lajmeve për ta.
Biografitë ndryshojnë në gjatësi dhe detaje sipas rëndësisë së figurës, por gjithmonë ruajnë strukturën e përgjithshme: Emri, fisi, vendlindja, edukimi, mësuesit, nxënësit, veprat, vlerësimet e dijetarëve, dhe viti i vdekjes.
Ai përdor shembuj konkretë nga veprimtaria e figurave, citime të dijetarëve dhe fragmente nga veprat e tyre, duke përsosur dokumentimin e tyre historik.
Në këtë libër autori aplikon kritikë të detajuar të transmetuesve (En-nakd er-Rixhal) dhe të haditheve, duke u bazuar në fakte dhe zinxhirë të besueshëm.
Libri kombinon shtrirje historike, gjeografike dhe biografike, duke përfshirë personalitete nga të gjitha epokat dhe rajonet e botës islame.
Libri përfshin figurat nga fillimi i Islamit deri në kohën e autorit (shekulli i 7-8h), dhe i mbulon të gjitha zonat e botës islame: nga Andaluzia në perëndim deri në lindje të largët. Kjo shtrirje e bën veprën të veçantë, pasi shumë libra të tjerë historikë ose biografikë përqendroheshin vetëm në rajone të caktuara.
Metoda e imam Dhehebiut në këtë libër është shkencore dhe didaktike, duke pasur qëllimin e qartë për të:
a) Dokumentuar jetën dhe veprat e njerëzve të shquar.
b) Pasqyruar ndikimin e tyre në shoqëri dhe dijeni.
c) Dhënë një udhëzues të qartë për dijetarët e mëvonshëm mbi historinë e dijes islame dhe figurat kryesore.
4.Rëndësia dhe vlera shkencore e librit
Libri ka një vlerë të jashtëzakonshme shkencore dhe historike, dhe është konsideruar një nga veprat më të rëndësishme biografike në traditën islame. Vlerat kryesore shkencore janë:
a) Dokumentim historik dhe biografik
Libri ofron një pasqyrë të detajuar të jetëve dhe veprave të figurave të shquara islame, përfshirë dijetarët, udhëheqësit, poetët dhe filozofët, siq u përmend më sipër.
b) Vlerë në shkencën e haditheve
Imam Dhehebiu kombinon kritikën e figurave (En-nakd er-Rixhal) me historinë, duke bërë që libri të jetë një referencë e rëndësishme për dijetarët e hadithit.
Ai përdor terminologji të qartë dhe të standardizuar për vlerësimin e besueshmërisë së transmetuesve, duke ofruar udhëzime të sakta për verifikimin e haditheve dhe biografive të transmetuesve.
c) Referencë për dijetarët e mëvonshëm
Libri shërben si udhëzim dhe burim kryesor për historianët, dijetarët e haditheve dhe studiuesit e biografive. Ai ka ndihmuar në ruajtjen e dijes së selefit dhe figurave të shquara, duke dhënë udhëzime të qarta mbi jetën, dijen dhe veprat e tyre.
Nga kjo përfitojmë emrat e atyreve që duhet ndjekur gjersa kërkojmë diturinë islame, ngase libri i bën të qartë individët dhe jetën e tyre, gjë që ia lehtëson kërkuesit të diturisë burimet e përfitimit të tij!
ç) Libri është arkiv i çmuar i thënjeve të urta të dijetarëve
Imam Dhehebiu ka ruajtur me kujdes fjalët e tyre të urta, këshillat, mendimet dhe gjykimet shkencore, duke e bërë atë një burim të vlefshëm për njohjen e metodës, mençurisë dhe thellësisë së dijetarëve të Islamit.
d) Është shkollë e dijetarëve për kuptimin e mosmarveshjeve mes tyre
Në këtë libër, lexuesi mëson etikën e dallimeve, mënyrën e debatit shkencor dhe respektin që dijetarët kishin për njëri-tjetrin, pavarësisht kundërshtimeve në mendime. Libri shërben si udhërrëfyes në mirëkuptimin e mendimeve të ndryshime mes dijetarëve dhe në ruajtjen e unitetit përmes dijes dhe edukatës.
5.Fjalët e dijetarëve mbi këtë libër
Imam Ibn Haxher el-Askalani, ka thënë :
“Njerëzit janë mahnitur pas veprës të tij, udhëtuan për ta marrë dhe e përhapën duke e lexuar, kopjuar dhe dëgjuar..”
Ibn Haxheri në “Ed-Durar” , 3/427
Shejh Shaujb Arnauti, ka thënë:
“Ky libër i çmuar, për shkak të cilësive që përmban, të cilat rrallë gjenden në ndonjë tjetër të këtij lloji, ia ka merituar autorit të tij, së bashku me veprën e tij tjetër madhështore ‘Tarih el-Islam’, të quhet Imami i Historianëve.”
Parathënia e tij në ‘Sijeru A’lam en-Nubela’, fq.145-146
E në fund themi:
Libri “Sijeru A‘lam en-Nubela” është një ndër thesaret më të çmuara të trashëgimisë islame, që pasqyron me saktësi historinë, dijen dhe virtytet e personaliteteve që kanë ndërtuar civilizimin islam. Ai nuk është vetëm një libër biografish, por një frymëzues shpirtëror përmes shekujve të dijes, sinqeritetit dhe sakrificës për fenë.
Imam Dhehebiu, me metodologjinë e tij të thellë dhe stilin e tij unik, na la një pasuri të përjetshme që do të mbetet burim frymëzimi për çdo kërkues të dijes, andaj ky është një libër me të cilin ngritet vlera e bibliotekës së çdo secilit, e pa të do të ishin të thata!
/Përmblodhi: Uvejs Ramadani/
