9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Një leksion jete nga ky murator legjendar palestinez

Më të lexuarat

90-vjeçari i Bregut Perëndimor që punon si i ri: kurrë ankimtar dhe krenar me zanatin e tij!

Muratori Yusuf es-Sheikh Husein është një nga mjeshtrit më të famshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar palestinez, i cili edhe në të 90-at e tij punon me të njëjtin entuziazëm dhe ndërton ndërtesa në vendlindjen e tij, Selfit.

Një mjeshtër me plot shtatë dekada përvojë pune, Husein nuk ka ndërmend të pushojë së punuari për sa kohë që i shërben shëndeti dhe nuk e kthen kokën pas faktit se ndërtimi është punë e vështirë fizike.

Në një bisedë me një gazetar të Anadollia-s, ai theksoi se ndihet krenar për punën e nderuar që bën dhe është i kënaqur që i ka futur edhe fëmijët në atë zanat.

“Nuk jam ankuar asnjëherë në jetën time, kam rritur nëntë fëmijë me punë në ndërtim. Së shpejti do të bëhem 90 vjeç, por vazhdoj të punoj sepse nuk dua të varem nga dikush. E fitoj bukën dhe refuzoj çdo mendim për pension, sepse është diçka antishëndet”, tha Husein.

Duke theksuar se puna në ndërtim është profesion, hobi dhe pasion i tij, Husein tha se nuk mund ta imagjinojë veten jashtë asaj pune.

Përveç punës ndërtimore dhe mbikëqyrjes së ndërtimit, Husein kalon gjithashtu orë të tëra në punëtorinë e tij duke dekoruar gurë ndërtimi.

I pyetur për sekretin se si arrin të qëndrojë kaq gjatë në një profesion të vështirë, Huseini tha se Zoti i dha shëndet të mirë, të cilin e ruajti duke mos pirë asnjëherë duhan apo alkool dhe kujdesej për një dietë të shëndetshme, gjumë të rregullt dhe punë aktive.

“Mosha e trupit nuk ka lidhje me shpirtin e njeriut, prandaj nuk më mungon energjia dhe vendosmëria për të punuar”, tha Husein.

Duke theksuar se as nuk e di se sa mijëra ndërtesa ka ndërtuar apo mbikëqyrur gjatë ndërtimit në të gjithë Palestinën, Huseini tha se famën e ka fituar falë profesionalizmit, besnikërisë, ndershmërisë dhe përfundimit në kohë të punëve.

“Takoj shpesh njerëz edhe më të vegjël se unë, të cilët as nuk ecin dot sepse nuk janë të vendosur, u mungon vullneti. Përtacia është një sëmundje që shkatërron zemrën dhe trupin. Nga ana tjetër puna të relakson shpirtin dhe pastron trupin nga çdo sëmundje”, tha Husein. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit