Nga mpirja shpirtërore te madhërimi hyjnor! – Hoxhë Uvejs Ramadani

Më të lexuarat

Në kohën e fundit, fjala haram është përmendur aq shumë, saqë për shumë zemra është bërë e zakonshme dhe e pafuqishme për të lëvizur ndjeshmërinë e brendshme. Flasim shpesh për haramin, e kategorizojmë në “haram të madh” apo “haram të vogël”, e masim me kandarin tonë, por realiteti është se fjala haram nuk na lëkund më, nuk na e dridh zemrën siç duhet, e as që lë shenja në të.
Ndaj edhe gjejmë veten duke rënë vazhdimisht, pa pyetur për peshën e mëkatit, e pastaj ndjejmë boshllëk, braktisje, një zbrazëti që nuk mbushet dot as me ibadet, as me ligjërata, sepse rrënja e problemit është mungesa e madhërimit.

Për ta kutpuar qartë gjendjen e brendshme, duhet të zhvishemi nga të gjitha kamoflimet që ia kemi mveshur zemrës sonë, e të flasim në heshtje me brendësinë e saj, për ta nxjerr në pah realititetin e saj, me koordinatat e gabuara të së cilës, vazhdimisht po e shohim veten duke rënë sa më thellë në humnerën e harameve!

Pra si fillim:
Pse harami nuk ka më ndikim në zemrat tona?

Nuk gjeta përgjigje tjetër pos asaj se, ne nuk e kemi kuptuar qartë se çfarë përfaqëson harami në thelb. Nuk është thjesht “një vepër e ndaluar”, është thyerje e urdhrit të Atij që të krijoi, kundërshtim i ligjit të Atij që të jep jetën, furnizimin, shëndetin, dritën e syve, ngrohjen e diellit të ditës, dhe paqen e rahatinë e errësirë së natës, është njëllosja e komunikimit me Zotin që Mëshiron ditën dhe natën, e pret të të takojë ditën dhe natën.

Allahu i Lartësuar thotë:

وَمَا قَدَرُوا اللَّهَ حَقَّ قَدْرِهِ
“Ata nuk e çmuan Allahun ashtu siç i takon që të çmohet…” (Ez-Zumer : 67)

Kur nuk e çmojmë Allahun ashtu siç i takoj Atij, as harami nuk mund të ketë peshë, as mëkati që bëjmë nuk na vjen i rëndë, sepse zemra ka humbur kuptimin e burimit të ndalesës.

Sahabët nuk e shikonin mëkatin, shikonin Madhështinë e Allahut!

Ibn Mes’udi, radijAllahu anhu, thoshte:
“Besimtari e sheh mëkatin si një mal që i rri sipër, duke menduar se do t’i bjerë. Kurse hipokriti e sheh mëkatin si mizën që i ulet në hundë, edhe e largon me dorë.” (Tirmidhiu, 2497)

Sahabët nuk pyesnin: A është i madh apo i vogël mëkati. Ata pyesnin, A e do Allahu këtë vepër apo jo! A është i kënaqur Allahu me këtë vepër apo jo!

Prandaj edhe qëndronin larg haramit, edhe kur ishte diçka e vogël, sepse çështja për ta nuk ishte madhësia e mëkatit, por madhështia e Atij që po e kundërshtonin.

Harami nuk na vret në zemer sepse nuk kemi frikë të vërtetë ndaj Allahut, ngase ne nuk e njohim Allahu siç duhet dhe sa duhet!

Njollat e mëkateve në zemër janë si zinxhirët, çdo mëkat është një unazë që lidhet me tjetrën, derisa zemra bëhet rob i tyre.

Ka thënë Pejgamberi ‎ﷺ:
“Vërtet, robi kur bën një mëkat, i vendoset në zemrën e tij një njollë e zezë. Nëse ai tërhiqet, kërkon falje dhe pendohet, zemra i pastrohet. Por nëse kthehet (përsërit mëkatin), shtohet ajo njollë derisa ta mbulojë tërë zemrën. Dhe kjo është ‘errësira’ (Er-Ran) për të cilën Allahu ka thënë: ‘Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan.” (Tirmidhiu, 3334 dhe Nesaiu, 10179)

Ndaj njeriu bie vazhdimisht në haram, edhe pse dëgjon ligjërata, dhe prezenton në ndeja të ndryshme me vëllezër, sepse nuk ka më frikë të thellë ndaj Allahut!
Harami nuk ka ndikim sepse nuk e njohim dënimin e tij të vërtetë.
Dënimi i mëkatit nuk është vetëm ajo që na pret në Ahiret. Dënimi fillon këtu, në këtë botë.
Fillon me largimin nga mëshira e Allahut, të zbehet fytyra, të humbet ndjesia ndaj adhurimeve, edhe më e rënda, të humbet ndjesia ndaj Atij që po i mëkaton.
E a ka dënim më të madh, sesa mos ta madhërosh Allahun ashtu si i takon Atij?!

Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë:
Mëkati të krijon errësirë, trishtim, humbje force, dobësi, dhe të largon nga rruga e drejtë.”

Poashtu, dikush nga selefi ka thënë:
“Shikova se zemra ime ngurtësohej, andaj e braktisa mëkatin, dhe zemra ime u zbut.”

Pra njeriu kur bie në haram, nuk po humb vetëm shpërblime, por po humb veten, shpirtin, ngrohtësinë e adhurimit, kënaqësinë e besimit, dritën e zemrës.

Nëse duam të shërohemi, duhet ta rikthejmë madhështinë e Allahut në zemër

Nuk mjafton të dimë se diçka është haram, kjo nuk të ndryshon.
Njeriu ndryshon kur e kupton:
– Kush është Ai që të ndaloi?
– Pse të ndaloi?
– Çfarë humb ti me çdo mëkat?
– Çfarë dënimi shpirtëror po futet në zemrën tënde?

Allahut i mjafton një vepër e vogël që ti e bëre për Të, për të të ngritur.
Por i mjafton edhe një mëkat që ti e ke përbuzur, dhe e ke nënvlerësuar, për të të poshtëruar.

Në duhet ti kemi shembull gjeneratën më të mirë që ka jetuar në sipërfaqen e tokës, e në këtë konutacion e shohim sahabiun e nderuar Hudhejfe ibn Jemanin, që Allahu dëshmoi në Kuran se është i kënaqur me të dhe punët e tij, se çfarë brenge ka pasur, dhe çka realisht e ka shqetësuar zemrën e tij:

Tha Hudhejfeja, radijAllahu anhu:
“Njerëzit e pyesnin të Dërguarin e Allahut ﷺ për hajrin, ndërsa unë e pyesja për sherrin, nga frika se ajo mund të më kapë.” (Buhariu, 3606)

Mes tjerash, Allahu na e tregon Veten e Tij në Kuran me Emra që zemrës i japin siguri:
El-Vedud – Ai që i do robërit e Vet.
Er-Rahman – Ai që mëshiron pa kufi robërit e Vet.

Pra, kur robi bën mëkate, në realitet ai nuk po kundërshton vetëm një urdhër, ai po e hidhëron Atë që e do më shumë se sa ai e do vetveten.
Ai po zemëron më të Mëshirshmin ndaj të cilit vrapon sa herë i dhemb zemra.
Ai po largon veten prej atij që çdo ditë e fton drejt faljes.

Sa e rëndë është që njeriu t’i kundërvihet El-Vedudit, i Cili e do, t’i kundërvihet Er-Rahmanit, i Cili e mëshiron, t’i kundërvihet El-Gaffarit, që është gati ta falë pa kufi.

Problemi ynë nuk është te harami.
Problemi ynë është se nuk e kemi njohur Allahun me madhështinë që i takon.
Dhe kur madhështia e Tij humbet prej zemrës, mëkatet bëhen lojë, pendimi bëhet formal, ibadeti bëhet rutinë, dhe njeriu e gjen veten të fundosur, edhe pse e di të vërtetën.

Ndaj, për të shpëtuar:
Rikthe madhështinë e Allahut në zemër, dhe harami do të fundoset vetvetiu.
Rikthe frikën e sinqertë, dhe shijet e mëkateve do të thahen.
Rikthe dashurinë ndaj Allahut, dhe çdo ndalesë do të kthehet në nder e jo barrë.

Sepse ai që e njeh Zotin e tij, asnjë haram nuk e sheh të vogël.
Dhe ai që e ka madhëruar Allahun me madhështinë që i përket Atij, asnjë mëkat nuk e sfidon atë.

Për fund, kujto fjalën e Allahut dhe mishërohu me të:
إِنْ تَجْتَنِبُوا كَبَائِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنْكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَنُدْخِلْكُمْ مُدْخَلًا كَرِيمًا

“Nëse lagoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalueshme, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm.” (El-Nisa : 31)

Poashtu, thotë Pejgamberi ‎ﷺ:
“…Me të vërtetë, çdo mbret ka zonën e vettë ndaluar, ndërsa zona e ndaluar e Allahut janë haramet….” (Muttefekun alejhi)

Poashtu tha ﷺ :
“Kije frikë Allahun kudo që të jesh” (Tirmidhiu, 1987)

Poashtu tha ﷺ :
“Ruaje Allahun, Allahu të ruan ty! Ruaje Allahun, do të ta mbajë krahun!” (Tirmidhiu, 2516)

Uvejs Ramadani
Medine, 11 Dhjetor 2025

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit