Nga mamuthi, te Zogu i Zi dhe lepuri

Më të lexuarat

Nga mamuthi, te Zogu i Zi dhe lepuri

Ervin Hatibi
Fundi i verës 2010 në Shqipërinë e mediave dhe politikës, e pruri Zodiakun nën shenjën e lepurit. Shfletimi i të përditshmeve e bëri të pamundur të mos lexoje tituj të mëdhenj që merrnin hov në faqe të para, duke iu sjellë rrotull deri në shterim gjithë fjalëve të urta të mundshme me lepur të shqipes artizanale: “Korrupsioni i lejeve të ndërtimit i fut Edvinit lepurin në bark”, (22-08-2010/Gazeta 55); “Lepuri i korrupsionit fle në familjen e Kryeministrit”, (26-08-2010/Shqip); “Bogdani-Ramës: Dil nga vrima e lepurit dhe ballafaqohu me akuzat për korrupsion”. (31-08-2010/ Gazeta 55); “Xhaçka: Berisha, ferra që fsheh lepurin e korrupsionit”. (26-08-2010/ Gazeta Shqiptare); “Vokshi: Rama frikë nga denoncimet, kërcënon se vetëm ai dhe lepujt duhet të merren me biznes në Shqipëri”, (25-08-2010/Gazeta 55), etj., etj..
Gjithë kjo larmi e gëzueshme, gati fëminore, që ilustroi gjatë gjithë gushtit e në vijim faqet e para dhe debatin publik në Shqipëri, i detyrohet një personazhi nga bota baroke e biznesit tiranas, të njohur prej të interesuarve me pseudonimin Tan Lep(u)ri, i cili u përfol si i lidhur me grupe të politizuara të korrupsionit ekonomik në vend. Nofka rinore e biznesmenit, shumëzuar shfrenueshëm nën prozhektorë mediatikë nga zëdhënës të dy kampeve kryesore partiake, u përdor fillimisht për të shpotitur vetëm personin e mbiquajtur ashtu dhe partnerë të tij të supozuar ndër politikanë të majtë. Por fill pas kundërsulmit të këtyre të fundit, nofka e fajësuar u rimor për të goditur të djathtët, si të qe ndonjë shënjues arketipal për korrupsionin politiko-ekonomik. Funksioni i ri i fjalës e kapërceu kronikën, i humbi lidhjet me ndonjë person konkret të mbiquajtur rastësisht Lepuri, dhe me konsensus u kthye provizorisht në një simbol të lidhjes së elitës politike me krimin ekonomik, në një vegël akuze e sulmi retorik ndaj korrupsionit të kundërshtarit, kushdo që të ishte ky.
Dimë se kafshët që zgjidhen e stërviten për sulm, fizikisht apo figurativisht, janë gjithçka tjetër përveç kësaj që po i hyjmë në hak këtu, si nga rrezikshmëria, ashtu edhe nga pesha. Për më tepër, kafshët e sulmit plotësojnë si kategori edhe një kriter gati të pakapërcyeshëm ushqimor, pra më tepër të hanë sesa mund t’i hash (përjashto këtu zonat ku operon horoskopi kinez); (përjashto prej liste edhe dashin, që me brirët e insistimin në sherr, i jepte emrin një lloj havani me kokë të hekurt, përdorur dikur për të shpërthyer porta a mure kështjellash). Me këto dijeni parsysh, ka diçka që nuk shkon pastaj në një konflikt të ashpër, ku palët godasin njëra-tjetrën me lepur. Për ta thënë ndryshe, bile për të thënë se edhe ne të tjerët dimë fjalë të urta popullore, konflikti paraqet dy palë që “godasin me pambuk” njëra-tjetrën, me të njëjtën gjë të bardhë e të butë.
*
Spektakli ndërpartiak që zëvendëson përballjen ideologjike, programative midis kampeve, ka nevojë të dëshpëruar për personazhe e incidente e batuta të reja si çdo lloj tjetër seriali i përditshëm që konkurron për vëmendje; ndërkaq, ekipeve të skenaristëve në të dyja kampet rasti në fjalë nuk u ofroi vetëm trukun e rradhës për më tepër argëtim se dje, por njëkohësisht, duke e stërpropozuar lepurin për javë me rradhë në koreografi nga më evokueset, ata patën rast të ricaktojnë nivelin e dëshiruar parashkollor për debatin publik dhe të zbrazin sa mundin nga mprehtësia dukurinë e lidhjeve korruptive politikë-biznes, duke e barazlarguar në të njëjtën maskotë trivialiteti. Figura e repertorit të folklorit qytetas, rrjedhur padashje në kronikën mediatike, funksionalizuar më pas për luftën e ftohtë kundër korrupsionit – dukurisë më të përfolur nga propaganda e përditshme, tregon asgjë më shumë se një lloj përmbajtje, një lloj hezitimi, një lloj mëshire për veten përmes butësisë në sulmin ndaj tjetrit. Figura, krejt duke ndjekur hullinë që i kanë hapur në shekuj përrallat, vulnerabilizon kundërshtarin, e bën të kontrollueshëm, por kjo fill pasi e ke pranuar edhe mbi vete të njëjtën çehre të brishtë vulnerabilizmi. Lepuri empatik hyn midis dy supefuqive si një cak detante kështu, në një parodi shtantazhi MAD (Mutually Assured Destruction), veshur me pellushin S(acher)-M(asoch).
 *
Mungesa ulëritëse e kafshëve dinjitoze për sulm në konfliktin e kësaj fundvere, patjetër që do të bëjë përshtypje ndër spektatorët, dhe ja si e nënvizon këtë mungesë në një artikull shkrimtari e komentatori Kiço Blushi:Ndërsa në Spanjë po diskutohet ndalimi me ligj i ndeshjeve tradicionale me dema, në Shqipëri po promovohet një sport i ri, i paparë dhe samëska fantazmagorik: përditë e përnatë po shohim e dëgjojmë nëpër ekrane, gazeta e foltore kacafytje mes lepujsh dhe lepurushesh partiakë të hakërryer si kurrë ndonjëherë. …  As nuk rrihen dhe as nuk zihen për fyti e për qimesh lepujt tanë të telekomanduar që shfaqen në publik me ngulmin të provojnë dhe të na bindin se korrupsionin në këtë vend e paskan bërë ata vetë, natyrisht jo luanët dhe as ujqërit, dmth shefat e tyre …  (Rapsodi pa lavdi për luftën me lepuj e lepurushe, 08-09-10/Gazeta Shqiptare)Por ende më domethënës për të rrëfyer mungesën e kafshëve të duhura në tropet e politikës së sotme tiranase më duket ky pasazh nga kolumnisti Artan Lame:Saliu vërtet është mësues i keq, por është nxënës i shkëlqyer ama. Kuptoi se, në donte ta shihte edhe një herë vehten në pushtet, këtë mund ta bënte vetëm duke lënë mënjanë kalin e ngordhur të lirive dhe duke i hipur kalit të furishmë të anti-korrupsionit. As që vlen të kujtoj këtu lumenjtë e fjalëve për Mamuthin e Korrupsionit, për Cacin e Zi, për Metullahun, për Mafjen e Kuqe, për dreqin e për të birin. E pra ky kalë që e solli në pushtet në vitin 2005, u braktis prej tij menjëherë, që një ditë më pas, për t’ju futur nën të, barkut të lopës së pushtetit dhe për t’ja shtrydhur e ndukur gjinjtë me të dyja duart”. (Lopa e korrupsionit dhe kali i anti-korrupsionit, 29-09-10/ Gazeta Shqip)Komentatori i njohur brenda pak togfjalëshash na prezanton gati gjithë teknikat klasike në voodoo-n e rikrijimit të kundërshtarit politik në Shqipëri, që nga kafshërimi i tij (Mamuthi), kriminalizimi (Korrupsioni, Mafia), patronizimi reduktues/ zhburrërimi (nga Anastas në Caci) demonizimi/kripto-racizmi (Caci i Zi), orientalizimi/islamizimi si cen (nga Ilir Meta në Metullah) dhe patjetër, përgjakja e kundërshtarit me pak konspiracion apo “gjenealogji” komuniste (Mafia e Kuqe). Komentatori ama nënvizon se, gjithsesi kjo është teknika e vjetër: sot nuk po flitet më, të paktën, për mamuthë. Ndonëse nuk e përmend në artikull lepurin gjëkundi, sërish Lame rendit vetë nja dy kafshë të tjera të buta, “kalin” dhe “lopën e korrupsionit”, duke dhënë në vetë të parë dëshmi të ndërrimit të përgjithshëm të koleksionit zoo-politik në ligjërimin e sotëm.
Nëse vite më parë kishim në publik mamuthë, merimanga e hijena apo bisha komuniste, sot me lepurin, apo me lopën matriarkale të korrupsionit e kalin jemi padyshim në një epokë të re politike. Zbutja e kafshëve, edhe pse e pashoqëruar detyrimisht me zbutje toni në debat, shndërrimi i tyre në shtëpiake e të padëmshme, na e bie vetë termin domestikim, negativisht, për të shpjeguar çka ndodhur me politikanët e djeshëm të ndjeshëm ndaj korrupsionit e krimit ekonomik. Përderisa oksimoroni i lepurit zgjidhet për të goditur korrupsionin e kundërshtarit, e si vallë ky kundërshtari do jetë kaq i keq sa mos të të përgjigjet me të njëtën monedhë, po aq butësisht, siç edhe ndodhi në fakt me palët, që gjatë gjithë debatit zgjodhën të shohin po lepurin tek njëra-tjetra?!
*
Kalimi gjithsesi evolutiv nga Mamuthi i Korrupsionit (i premtuar për zhdukje që në emër) tek Lopa e Lepuri i Korrupsionit nuk është e thënë të tregojë se patjetër edhe korrupsioni është bërë më i vogël apo më i butë, po të paktën është bërë më familjar dhe aspak i frikshëm. Ajo çka mund të kuptojmë pa drojë është, si minimum, trajektorja nga skenari i pyllit drejt një mjedisi politik metaforash më pak agresive, më pranë qendrave të banuara.
Por megjithatë, pasi ka përmendur edhe “Fermën e Kafshëve”, shkrimtari Kiço Blushi i shkon pranë një përfundimi më kritik:“E pra, morali i kësaj fabule me lepura e lepurushe të politikës është fare i qartë: kur janë kaq të babëzitur, dmth kaq të korruptuar lepurushët partiakë, si mund të fajësohen ujqërit, dhelpërat, derrat apo qoftë edhe krokodilët e Strazburgut?!”.
Për sa i takon vështrimit formalist të spektaklit politik, ujqit nuk na interesojnë këtu; çështja është e qartë dhe duhet të mjaftohemi vetëm me ç’po nxjerrin zyrtarisht prej kapeleve prestidigjiatorët në foltoret me emblema partiake, se ajo çka përcakton gjuhën politike në vend është rezultat direkt i faunës që ata autorizojnë për qarkullim me ligjërimin e tyre normativ, institucional. Sa kohë ata citojnë kafshë të buta, s’ka panik në tregje, nuk ia vlen të mbushësh shtëpinë me zahire, lufta civile është larg, jeta e natës vijon. Por interesant është fakti se, e vetmja kafshë ogurzezë që ende po përmendet politikisht prej politikanësh në vend është krokodili, sipas emrit të restorantit frëng ku u takuan nën presion ndërkombëtar dy kryepartiakët shqiptarë, që të shtrëngoheshin drejt një marrëveshjeje. Krijesa në fjalë është ekzotike dhe përfaqëson një rrezik të huaj e irracional, atë tradicionalin që vjen prej fuqive të mëdha, të cilat janë të vetmet që u prishin pushtetmbajtësve dekorin e idilit ekologjik në vend.
*
Pika historike ku filloi kalimi në imazheri më paqësore kafshësh për debat besohet të ishte një konflikt i pak viteve më parë midis të majtës dhe të djathtës, mbi një nga ato çështjet që periodikisht bëjnë gjithë dallimin mes tyre: prishja apo ruajtja e një mbikalimi automobilistik tek vendi i mbiquajtur Zogu i Zi në Tiranë. Për javë me rradhë, përfaqësues të të dyja kampeve, gjatë debateve pro a kundër shkatërrimit, e gjetën veten duke u kërkuar fundin po ashtu gjithë degëzimeve kuptimore të zogut, për të ndërtuar fabula juridike a për shpotitur oponentin me to. Duke shkërbyer termat shtëpiake të edukimit seksual për të mitur, nuk mundën të mungojnë as dykuptimshmëritë turbulluese në përmendjen e zogut prej politikanëve të përfshirë në debate të mediatizuara. Kështu, nuk do të harrohet dot nënqeshja profesionale e një kryetari të thinjur partie kur qortoi oponentët në një emision televiziv live me diçka si, “po ju mbeti zogu në gojë, more!”. Debati i qendërzuar mbi një zog toponimie, që u ul papritmas në fushëbetejat partiake për fonde publike, pasuroi komunikimin midis palëve me përmasa të panjohura fëminore, lojcake e seksualizante njëherësh. Përveç thjeshtimit të zakonshëm paternalist, edukativ, argëtues, performuar para një publiku që do mbajtur në limitet e politikes, diskutimi mbi zogun pati aftësi të pashmangshme pafajësuese e zbutëse edhe tek vetë diskutuesit partiakë. Në përmasën e tij më të errët, po ashtu, zogu inauguroi në anën tjetër, qoftë edhe pornografikisht, një komunalitet “ndryshe”, një afëri më intime brenda kastës partiake.
*
Për të imunizuar veten nga sulme të mundshme dehumanizuese apo nga zhvillime të paparashikuara metaforike, kampet politike në Shqipëri duket se kanë filtra të fortë; e kjo që kur nisi loja politike në vend, kështu që në asnjë libër historie e në asnjë listë elektorale nuk do të gjeni dot politikanë me mbiemra të tillë si Kau, Peshku, Derraj, Bilbili, Shqarthi e Çakalli me shokë, të cilët mbiemra, përndryshe popullorë, do të mund të gjenden lehtësisht në Facebook apo në çdo numërator telefonik. I pari dhe i fundit që prishi rregullin, qe mbreti Zog, kur shkurtoi mbiemrin Zogolli e nuk vuajti fare nga kjo, sa kohë që gjesti i tij kuptimplotë ishte pjesë e aksionit kombëtarizues në gjuhësi dhe gjithsesi, paralelja me shpendët përfundonte pa dalje në kafazin e flamurit; (fundja dallimi midis monarkut e subjekteve duhet të jetë kategorik e mitik në rradhë të parë, si ai midis njerëzve, në këtë rast, me krijesa të tjera, qiellore).
Por gjatë periudhës republikane, sidomos në atë më domethënësen socialiste, shoqëruar me rritjen e pandalshme të komunikimit vizual, mbi kafshët u testua gjithë imazheria e ksenofobisë dhe luftës së klasave, në karikatura, fletërrufe, fjalime e teatër kukullash, ndërtuar mbi përvojat e freskëta blegtorale të shumicës së komisarëve të propagandës. Potencialet e përhershme simbolike të kafshëve u kompromentuan edhe më tej në funksione ideologjizimi e poshtërimi për dekada me rradhë dhe me këtë traditë hymë në kapitalizëm e demokraci. Në ligjërimin socialist për shoqërinë kapitalisto-pluraliste, kjo e fundit ishte një “xhungël” ku mbretëronte “ligji i xhunglës” dhe “njeriu për njeriun ishte ujk”; e me këtë skript në dorë shqiptarët nxituan t’u futeshin roleve të reja. (Shkrimtari Bashkim Shehu do ta gjykojë si një lloj profecie vetëpërmbushëse egërsinë e kapitalizmit të sotëm shqiptar, lëvruar rëndshëm nga ish-“komunistët”). Për politikanët e shpurat e tyre gazetareske pak gjë do të ndryshonte nga ditët e vjetra kur armiku dehumanizohej mes brohoritjesh, kur kafshërohej për ta vrarë pa të vrarë ndërgjegja. Për të cituar vetëm rastet më flagrante ku kafshërimit i shkohet deri në skaj, kujtojmë si politikanit e botuesit të njohur Nikollë Lesi me kohë kundërshtarët ia deformuan mbiemrin në “Lehësi” e po ashtu sesi kolegut të tij, Sokol Olldashit, vite më parë ia çaftësuan përkohësisht mbiemrin në “Oll-delja”. Prandaj, për të vijuar pa trauma spektaklin politik partitë protagoniste insistojnë fort në dallimin e qartë midis njeriut e shtazës në rradhët e tyre, duke i mbajtur glosarët të mbyllur për emra problematikë, gjithë duke mos harruar, me dorën tjetër, veterinaren, të provojnë çdo mundësi për të shartuar gjallesa gjithëfarë mbi kundërshtarë. Nëse sot u ka ardhur ora për të emërtuar kundërshtarin ca krijesave jotipike në luftë politike, të investuara maksimalisht me përkëdheli e butësi, (zogu, lep’ri) kjo do lexuar patjetër si rritje e vetëdijes klasore, solidaritetit ndërpartiak; por merita kryesore për këtë rihumanizim të pjesshëm të kundërshtarit i do njohur urbanitetit me qerpiç të Tiranës, qytetit ku ndodh politika, i cili ia heq cepat sa herë i jepet rasti konflikteve, me zhargonin e vet rrumbullak.
Marre nga www.b-logu.com

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit