Nga leximet e mia gjatë luftës (“Heqja e fajësimit nga imamët e mëdhenj” nga Ibën Tejmiu)

Më të lexuarat

Nga fatkeqësitë që ka pësuar umeti në këtë kohë: guximi i të paditurve dhe të vegjëlve për të fyer imamët e mëdhenj. Kjo është një sëmundje e vjetër që u shfaq për herë të parë tek harixhinjtë dhe grupet e tjera të humbura, e më pas u përhap ndër të paditurit dhe devijuesit; derisa sot, një njeri i pavlerë që nuk di të lexojë si duhet as një ajet nga Kurani dhe nuk arrin të formulojë një fjali të saktë, e guxon të përgojojë Imam Ebu Hanifen, Imam Neveviun dhe imamë të tjerë të Islamit.

Kjo sëmundje ka qenë gjithmonë e paralajmëruar nga dijetarët, dhe fjalët e tyre për këtë çështje janë përhapur në lindje e perëndim.
Madje, Imami Tahavi përfshiu, në traktatin e tij të famshëm, mbi besimin fjalët:
“Dijetarët e selefit, nga të parët dhe ata që erdhën pas tyre nga tabi’inët, njerëzit e së mirës dhe trasmetimit, të jurisprudencës dhe arsyetimit – nuk përmenden veçse me të mirë. Kush i përmend ata me të keqe, është jashtë rrugës së drejtë.”

Dhe sa bukur ka thënë Imami Ibën Asakir:
“Dije, o vëlla – Allahu na udhëzoftë neve dhe ty drejt kënaqësisë së Tij dhe na bëftë prej atyre që e kanë frikë Atë me një frikë të vërtetë – se mishrat e dijetarëve janë të helmuara, dhe zakoni i Allahut për të zbuluar turpet e atyre që i përgojojnë ata është i njohur; sepse të flasësh keq për ta pa të drejtë është gjë e rëndë, të sulmosh nderin e tyre me shpifje e gënjeshtra është një fushe e shkatërrimit, dhe trillimi kundër atyre që Zoti i ka zgjedhur për ta mbajtur gjallë dijen është sjellje e neveritshme.”
(Të sqaruarit e gënjeshtrës së shpifësit, fq. 120)

Dhe sa të ëmbla janë fjalët e Imam Dhehebiut (Allah e mëshiroftë):
”…Nëse një nga dijetarët e mëdhenj ka shumë të vërteta, dihet se ai ka qenë i përkushtuar ndaj së vërtetës, ka pasur dije të gjerë, ka treguar zgjuarsi, drejtësi dhe përkushtim në fe – atëherë ia falim gabimin e tij. Nuk e konsiderojmë të humbur, nuk e hedhim poshtë dhe nuk i harrojmë veprat e tij të mira. Sigurisht, nuk ndjekim bidatin dhe gabimin e tij, por shpresojmë që të pendohet për to.”
(Sijar A’lâm en-Nubelâ’, 5/271)

Dijetarët kanë shkruar libra për të justifikuar gabimet e dijetarëve dhe për t’i mbrojtur ata me nder dhe respekt. Ndër më të mirët nga këta libra është ky libër që kisha në duar këto ditë; sepse, ndonëse i shkurtër në përmasa, përmban dije dhe parime të mëdha që çdo nxënës i dijes duhet t’i mësojë dhe t’i ndjekë.

Sa bukur e nisi Ibn Tejmije këtë libër me fjalët:
“Duhet ditur se asnjëri nga imamët – që janë të pranuar gjerësisht nga umeti – nuk e kundërshton qëllimisht të Dërguarin e Allahut ﷺ në asnjë çështje të sunetit të tij, as në të voglën e as në të madhen. Të gjithë janë të pajtuar, me bindje të plotë, se është e detyrueshme të ndiqet i Dërguari ﷺ, dhe se çdo njeri – përveç të Dërguarit ﷺ – mund të pranosh ose të refuzosh fjalën e tij. Por, nëse ndonjë imam ka thënë një fjalë që bie ndesh me një hadith të saktë, atëherë patjetër ka një arsye përse ai nuk e ka ndjekur atë hadith.”

Më pas përmendi se arsyet kryesore për këtë ndahen në tre kategori:
1. Nuk e ka besuar se Profeti ﷺ e ka thënë atë fjalë.
2. Nuk ka besuar se fjala e Profetit ﷺ ka të bëjë me atë çështje.
3. Ka besuar se gjykimi në atë hadith është abroguar.

Pastaj zhvilloi këto në dhjetë shkaqe të tjera, të cilat përbëjnë thelbin e librit.

Në fund të librit, ai shpjegoi metodologjinë e Ehli Sunetit në çështjet e kërcënimeve hyjnore (el-ua’id), dhe përmendi tema të rëndësishme si: nëse një dijetar vepron një gjë të ndaluar sipas hadithit, por e ka bërë me interpretimin e tij, nuk përfshihet në kërcënimin e atij hadithi. Madje, përmendi edhe konsensusin mbi këtë dhe kundërshtoi ata që nuk pajtohen, duke përfshirë në diskutim parime dhe rregulla madhështore.

Ibën Tejmije ishte një njeri i madh në dituri dhe vepra; ai ishte një shenjë e Allahut në justifikimin dhe respektimin e dijetarëve, si në teori ashtu edhe në praktikë. Edhe ata që e kundërshtuan, dhanë fetva për burgosjen e tij, madje e quajtën jobesimtar dhe komplotuan kundër tij – ai nuk u përgjigj në të njëjtën mënyrë ndaj tyre, por pati frikë Allahun në lidhje me ta dhe ua fali shumicës së atyre që i bënë keq. Rrëfimet për këtë janë të shumta dhe të përhapura.

Pra, nëse ky ishte qëndrimi i tij ndaj atyre që e kundërshtuan dhe e dëmtuan, si duhet të jetë ndaj imamëve të Islamit, të cilët e dhanë jetën, kohën dhe përpjekjet për hir të Allahut, na përcollën fenë, e ndihmuan sheriatin dhe, nëse bënë ndonjë gabim, e bënë pa qëllim dhe janë të justifikuar për të?

Justifikimi është cilësi e shpirtrave fisnikë dhe të mëdhenj; ndërsa ashpërsia dhe guximi për të fyer të mëdhenjtë është sjellje e të paditurve dhe të vrazhdëve që nuk njohin vlerën e vetvetes, e si do të njohin vlerën e të tjerëve?

– Bassam ibën Halil es-Safadi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit