13.8 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Nga Ferdi KAMBERI: Shtetësia e Kosovës dhe rasti Haradinaj

Më të lexuarat

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, me krijimin e një sërë ligjeve, erdhi deri tek konsolidimi i një shteti, me gjithë problemet dhe sfidat e ndryshme. Që nga shpallja e pavarësisë e deri më tani, Kosova ka arritur që të anëtarësohet në 35 organizata rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe është pranuar nga më se 113 shtete, të cilat janë pjesë e organizatave ndërkombëtare me rëndësi dhe ndikim në botë. Përveç kësaj, Kosova ka arritur dukshëm suksese edhe në fushën e infrastrukturës rrugore, ku sipas një shifre thuhet se 96% e rrugëve në Kosovë janë të asfaltuara. Progres vërehet edhe tek krijimi i raporteve bilaterale dhe multilaterale me shumë shtete që kanë sot ndikim. Ndërsa, në anën tjetër, shihet se Kosova, siç thotë profesor Fukuyama, çdo herë është mbajtur dhe vazhdon të mbahet me infuzione nga jashtë, që do të thotë se ende nuk ka një qëndrueshmëri ekonomike sikurse shtetet e tjera, dhe vazhdon të marrë kredi nga bankat ndërkombëtare e donacione të huaja. Sido që të jetë, faktorët si periudha e tranzicionit, problemet politike me Serbinë, mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, mosliberalizimi i vizave (getoizimi i Kosovës), zhvillimi i ulët ekonomik, emigrimi, papunësia e lartë dhe varfëria, si dhe probleme të tjera, kanë bërë që Kosova sot të ketë probleme të mëdha. Ideja se ndërtimi i raporteve me fqinjët i kontribuon zhvillimit të paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë, si duket me shtetin e Serbisë nuk vlen. Kjo për shkak se shteti serb po bën lojëra të dyfishta, pavarësisht faktit që menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka filluar dialogu teknik e më pastaj edhe dialogu për normalizim të marrëdhënieve të mira, me qëllim që të dy shtetet të aderojnë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Madje, pikërisht ky dialog ka bërë që Kosova të fitojë MSA-në, ndërsa Serbia të hapë negociatat për aderim në BE, e që në gjuhën politike kjo i bie se shpeshherë është përdorur për njërën palë shkopi, kurse për tjetrën palë karota. Në anën tjetër, ky dialog Kosovës i ka sjellë edhe disa dobi, por më shumë dëme, të cilat nuk do të mjaftonin që t’i rendisim me pak rreshta. Mosanëtarësimi i Kosovës në organizatat si Europol dhe Interpol, si dhe ndikimi i lartë i Serbisë, bënë që Kosova të ballafaqohet vazhdimisht me sfida të natyrës politike, sidomos me fletë-arrestimet e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së fundi, arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës në Francë, z. Haradinaj, shpërfaqi idetë dhe planet e obskurantizmit serb, se pavarësisht zhvillimit të dialogut me Kosovën, ajo është e interesuar që të njollosë vlerat dhe idealet e popullit shqiptar. Ky rast, në fakt, nxori në pah disa gjëra:

  • Serbia asnjëherë nuk ka pushuar së hartuari plane dhe fletë-arreste për ish-UÇK-në, madje së fundi mediat raportuan për një listë me mbi 150 persona nga Kosova të cilët janë të kërkuar nga Serbia;
  • Dialogu me Serbinë është dashur që të zhvillohet në kushte të barabarta, por pas pranimit të Kosovës si shtet i pavarur;
  • Kosova urgjentisht duhet të anëtarësohet në mekanizmat e sigurisë, siç janë Interpoli dhe Europoli;
  • Duhet të ketë strategji konkrete se a ia vlen të dialogohet me Serbinë pas këtij rasti, apo jo.

Rasti Haradinaj u përcoll me vëmendje edhe nga ana e BE-së, por edhe nga ana e SHBA-së. Në veçanti ishte kongresisti amerikan Elliot Engel që u deklarua kundër kësaj loje politike. Në anën tjetër, pati edhe reagime nga Lunçek, si dhe reagime të tjera vendore dhe ndërkombëtare, madje edhe marshime protestuese në Kosovë, në vende të tjera të rajonit të banuar me shqiptarë, në Francë e në disa shtete të tjera.

Bota akademike ende në gjumë?

Gjatë dialogut me Serbinë, sipas informatave nga burimet mediale, Serbia në hartimin e platformave në raport me Kosovën ka marrë në konsideratë edhe mendimet/leksionet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të këtij shteti. Ndërsa në Kosovë, si duket, ASHAK-u është ende në gjumë. Së fundi ka reaguar akademik Rexhep Qosja, i cili ka folur për këtë problem; ndoshta i vetmi deri më tani që ka reaguar nga ky institucion. Por pyetja konkrete është në duhet ASHAK-u të reagojë apo të jetë pjesë e këtij dialogu? Përgjigjja është se po! Madje, sot janë dy Akademi, një në Shqipëri dhe tjetra në Kosovë, dhe ende nuk kanë një enciklopedi e cila do t’u shërbejë qytetarëve në përgjithësi. Në anën tjetër, ASHA-të e shteteve të rajonit shpeshherë i kanë përvetësuar figurat kombëtare shqiptare. Sido që të jetë, kjo është një temë më vete, por ideja është se ASHAK-u duhet të jetë më konciz dhe konkret, si dhe të përfshihet në dialogje të tilla, ku interesat nacionale janë primare në raport me interesat e tjera.

Rasti Haradinaj mund të ketë kthesa të tjera

Haradinaj edhe më herët në të njëjtin variant ishte arrestuar në Slloveni, por më pas ishte liruar. Mirëpo, së fundi, arrestimi i tij në Francë dhe vonesat e shumta, apo edhe mundësia e ekstradimit të tij për në Serbi, mund të marrë kthesa të tjera. Së pari, mund t’i tensionojë prapë raportet në mes Kosovës dhe Serbisë, madje deri në eskalim të ndonjë situate, për të cilën askush nuk është i interesuar. Së dyti, me rast të ekstradimit të z. Haradinaj për në Serbi, legjitimiteti i BE-së si monitoruese e dialogut dhe e marrëveshjeve të arritura në mes të palëve do të zbehej. Së treti, do të ulej në një masë drastike perceptimi i qytetarëve të Kosovës për kursin properëndimor dhe respektin ndaj Francës. Së katërti, e njëjta metodë do të përdorej për arrestimin e zyrtarëve të lartë të shtetit serb me rastin e vizitave në Kosovë. Së pesti, arrestimi në fjalë është bërë me qëllim që Serbia të nxisë urrejtje më të madhe ndëretnike. Prandaj, rasti i arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës kryekëput është politik dhe nuk është në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, për shkak se GND-ja e ka shpallur të pafajshëm z. Haradinaj, dhe konsiderohet se është personi i parë që është shpallur dy herë i pafajshëm nga kjo gjykatë. Po ashtu, vendimet e GND-së duhet të vlejnë edhe për shtetet e tjera; në këtë rast shihet se shteti francez nuk i respekton këto vendime. Element tjetër i rëndësishëm është edhe fakti se z. Haradinaj ka një pasaportë diplomatike, dhe sipas rregullave do duhej të njoftoheshin autoritetet kosovare para ndalimit të tij dhe autoritetet në fjalë nuk kanë të drejtë të ndalojnë vetëm ashtu, në formën rutinore siç është bërë tani. Në fund, ky fakt shpërfaq edhe një element tjetër të rëndësishëm, se Kosova edhe pse është pranuar nga një pjesë e madhe e shteteve, ato shtete e shohin atë si inferiore dhe se ndikimi i Kosovës në raport me to është shumë i vogël. Në këtë rast, duke marrë parasysh situatën e ndjeshme, institucionet e Kosovës do të duhej që në bashkëpunim me shtetet mike të saj, me përfaqësuesit e diplomacive, si dhe me institucionet e BE-së, të bëjnë më shumë presion që sa më parë të lirohet ish-kryeministri i Kosovës, në mënyrë që gjërat të ecin më tutje në formën e zhvillimeve pozitive për Kosovën. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit