17.5 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Toleranca ndërfetare: xhehinnomi, hadesi dhe xhehennemi (II)

Më të lexuarat

Nga Amir B. AHMETI
Toleranca ndërfetare është me interes të përgjithshëm, mbarëbotëror. Edhe për ne shqiptarët është e rëndësishme. Madje ne lirisht mund të themi se jemi ndër kultivuesit kryesorë të kësaj tolerance ndërfetare. Besoj nuk e teprojmë që vazhdimisht e kujtojmë këtë fakt. Unë besoj në këtë perspektivë dhe besoj se do t’ia dalim mbanë, por gjithherë me frymën e të parëve tanë që e ndërtuan dhe kultivuan këtë tolerancë, dhe jo me frymën përçarëse së cilës po i fryjnë sot disa antiteistë shqiptarë.

Derisa për tolerancën kemi thënë herën e kaluar se është të jesh i drejtë e i paanshëm në mendimet, sjelljet, veprimet e besimet e të tjerëve…, intolerancë do të thotë e kundërta e saj, pra, të mos pranosh opinionet e njerëzve të tjerë, të mos pajtohesh me ta dhe të jesh i gatshëm për konflikt me njeriun i cili nuk mendon njëlloj si ti.

Ndërsa, për të arritur tolerancën e mirëfilltë, sociologët numërojnë disa faktorë të rëndësishëm që duhet të posedojë njeriu:

  1. Respektin për të tjerët që mendojnë dhe duken ndryshe,
  2. Guximin për ta pranuar këtë realitet të diversitetit,
  3. Gjakftohtësinë për të arritur qetësinë e mendjes për të gjykuar drejt.

Sot, në kohët moderne, kur interneti është pjesë e përditshme e jetës dhe aktivitetit tonë, kur qasja në informata është mjaft e lehtë, madje qëllimisht e pakufizuar, ku lajmet e rreme nga ato të vërtetat është vështirë t’i filtrosh, po ndryshojnë botën, dhe fatkeqësisht bota po ndryshon për të keq.

As ne, shqiptarët, nuk bëjmë përjashtim nga kjo gjendje kaotike informative që bota po e vuan, madje dikush kujdestaron duke u munduar të gjejë gabimet e tjetrit për të nxitur përçarjen.

Derisa ne, të tri besimet, kemi bashkëjetuar pa asnjë konflikt ndërfetar për gjashtë shekuj me radhë, pse kjo qenka e pamundshme sot? Jo se është e pamundshme, por se dikush po mundohet të paraqes një fajtor kujdestar për intolerancën, dhe kjo zakonisht lidhet me besimin islam, duke e paraqitur si besim konfliktuoz dhe intolerant, edhe pse e vërteta është krejt ndryshe.

Një herë mundohen të gjejnë fajtorin se pse xheneti i myslimanëve nuk i pranon edhe besimet e tjera, e tani akuzojnë besimin islam si intolerant për faktin e parimit fetar se jomyslimanët janë të determinuar për xhehennem..!

Herën e kaluar shpjeguam për parajsën e secilit besim, e për të mos i mbetur borxh lexuesit dhe për të kompletuar anën tjetër të kuptimit dhe bindjes fetare, kësaj radhe po kujtojmë edhe ferrin sipas secilit besim, me dëshirën e largimit të diferencave dhe keqkuptimeve, për të ngritur vetëdijen dhe mirëkuptimin e tolerancën ndërfetare.

Kështu, nëse sipas hebrenjve, të krishterët dhe myslimanët në botën e ardhshme do të jenë në xhehinnom, e në anën tjetër, sipas të krishterëve, hebrenjtë dhe myslimanët do të jenë në hades, atëherë pse qenka jotolerante që edhe sipas myslimanëve, hebrenjtë dhe të krishterët do të jenë në xhehennem.

Këto janë bindje fetare të secilit konfeksion, dhe nuk kanë të bëjnë aspak me liritë dhe të drejtat e njeriut në këtë botë. Kjo është edhe arsyeja se pse këto bindje fetare për botën e ardhshme nuk janë të sanksionuara me ligj në asnjë vend të botës, as si bindje të lejuara e as si të ndaluara, sepse ato nuk bëjnë pjesë askund në juridiksionin e të drejtës aplikative.

Si rezultat, ata që mundohen të ndjellin përçarje ndërfetare duke i shtruar këto bindje për botën e ardhshme si intolerante, janë dashakeqës dhe nuk i kontribuojnë bashkëjetesës dhe diversitetit.

Të tillëve ndoshta nuk mund t’ua ndalim gojën, por ne mund dhe duhet të përcaktohemi për t’i respektuar të tjerët, edhe nëse mendojnë ndryshe, për guximin që të flasim rreth dallimeve tona, të cilat kurrsesi nuk duhet të na ndajnë, përkundrazi, të guxojmë ta pranojmë këtë diversitet, dhe për gjakftohtësinë që të gjykojmë drejt. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit