14.5 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Nexhmije Hoxha: Ish-të përndjekurit, vjedhës lopësh. Në 50 vjet s’u vranë njerëz sa sot!

Më të lexuarat

TIRANE-Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e udhëheqësit komunist rrëfen në një intervistë për gazetarin Janusz Bugajski në “Albanian Screen” vitet në krah të Enverit. “Ndihma e serbëve për themelimin e Partisë Komuniste nuk ia vlejti, se vetëm sa e dëmtoi luftën Nacional-Çlirimtare. Si e njoha Qemal Stafën”, thotë Nexhmije Hoxha.
Gratë kanë luajtur një rol të konsiderueshëm gjatë lëvizjes guerilase. Kjo theu traditat e shoqërisë patriarkale dhe tradicionale. Cili ishte roli i grave në lëvizjen partizane?
Që në 1936 unë kam shkruar dhe në shtyp. Ka dalë që unë e kam shpallur se do të vijë një ditë që ne do ta kalojmë këtë gjë dhe duhet ta kalojmë. Jam njohur me Qemal Stafën me lëvizjen komuniste, jam përfshirë në këto grupet komuniste që në 1937-ën. Pastaj, natyrisht, unë u përfshiva në lëvizjen e rinisë antifashiste, u zgjodha në Komitetin Qendror të kësaj lëvizjeje ku sekretar politik ka qenë Qemal Stafa, i cili ishte një i ri i shkëlqyer, 19 vjeç. Ishte i dalluar në burgje. Për fat të keq, shoku i afërt i Enverit, gjashtë muaj pas themelimit të Partisë, u rrethua në një bazë, që ishte si ilegale dhe u vra.
Cili ishte roli i jugosllavëve në themelimin e partisë?
Në këtë kohë që vendi ishte okupuar dhe plasi dhe Lufta e Dytë Botërore këto grupet tona komuniste ishin nja tre-katër. Unë kam qenë tek grupi i Shkodrës. Enveri ka qenë në grupin e Korçës. Nuk njiheshim. Jemi njohur pikërisht në këtë mbledhjen e rinisë që kemi bërë. Ata donin të bashkoheshin, por grindeshin me njëri-tjetrin, jo jam unë i parë, jo je ti e kështu që u kërkua ndihmë nga Jugosllavia, që të luante një rol arbitri për të bashkuar komunistët. Miladin Popoviçin e kemi çliruar ne vetë se ka qenë në një kamp këtu. E kishin arrestuar fashistët atje se ishte sekretar politik në Prishtinë. Në fakt, këtu ka një problematikë të tërë, se ndihma e tyre nuk ia vlejti, se vetëm sa e dëmtoi luftën tonë Nacional-Çlirimtare. Në ç’pikëpamje? Se akuza nga kundërshtarët tanë, nga pala kundërshtare ishte se Partia Komuniste Shqiptare ishte nën ndikimin e Jugosllavisë.
Nëse s’do kishte qenë kundërshtimi i Stalinit, a do kishte këmbëngulur Tito më shumë për ta aneksuar Shqipërinë në Jugosllavi?
Unë dua të ndalem tek fakti se si u acaruan marrëdhëniet tona dhe që ndryshoi krejt vlerësimi i Stalinit lidhur me Shqipërinë. Ndryshoi komplet. Pse ndodhi kjo? Jugosllavët filluan t’ja kenë Shqipërisë me shumë hile. Gjillasi ka shkuar që në 1944 tek Stalini dhe ai e pyeti: Çfarë është ky popull? Në 1946 ka shkuar Tito dhe ai e pyeti: A e njeh Enver Hoxhën? I tha: Jo. Mirë tha- ata kanë disa kundërshtime, por nuk është problem. Mirëpo, në atë kohë, në 1946, Stalini ishte njoftuar për manovrat dhe gjithë prapaskenat që u organizuan në Berat. Kjo është një histori tjetër tani se çfarë bënë ata në Berat, në prag të çlirimit të Shqipërisë. Erdhën këtu dy vetë: Stojeviç dhe Dizareviç dhe ata morën gjoja një si mision ushtarak që erdhi shumë shumë vonë. P.sh anglezi kishte ardhur, ishin të parët. Por ata erdhën direkt dhe morën dhe Byronë dhe merrnin pjese në mbledhjet e Byrosë. Organizuan edhe 4 veta nga të Byrosë, kundër Enverit dhe rrëzuan tërë vijën që ishte ndjekur deri atje, me shumë kontradikta- është histori tjetër. Merreni me mend, për 2-3 ditë do vinin në Tiranë, ishte çliruar edhe Tirana, qeveria ku ishte zgjedhur Enveri, të gjithë kanë thënë – edhe mendimi im është – edhe studiuesit kanë thënë – edhe Enveri – sidoqoftë kur u rishikuan këto e tregoi që Tito nuk është se donte ta rrëzonte ose ta zëvendësonte, ishte një utopi, absurditet. Ai donte ta frikësonte, ta trembte që pas kësaj ai të ishte një udhëheqës, por i përulur. Në fakt kur ishte Tito dhe e tha këtë fjalë kapërceu Aleksandër Rrankovic. Ky ishte Ministër i Brendshëm, por ishte më i egri që ka bërë kërdinë në 68-tën në Kosovë. Tito dikur tha se të gjithë antarët e Byrosë thonë që nuk është partiak i fortë, prandaj ne i kemi vënë Koçi Xoxën si më të vjetrin. Koçi Xoxe ishte një punëtorë teneqexhi. Ai kishte një aktivitet. Jo injorant, por ishte njeri pa kulturë, po ata e vunë, se ai popullin nuk mund ta zëvëndësonte në asnjë mënyrë, por si parti këta mundoheshin. Ai ishte nga Korça, ishte ortodoks me prirje maqedonase, jo greke se kështu janë ndarë atje, dhe vërtetohet me këto që tha Rankoviçi se edhe Enverin kishin arritur që ta vënë nën kontroll. Kjo njihet edhe në historinë e Partisë që bëri kërdinë në inteligjencën e partisë, bile dhe disa nga shokët e Enverit ai i vrau.
A e dinte Enveri të vërtetën për demonstratat në Jugosllavi në ’81?
Jo. Madje këtu ka një problem që ka mbetur i paqartë, sipas mendimit tim, se janë disa gjëra që kanë dalë pas vdekjes së Enverit. Unë nuk e shpreh dot si e mendonte ai, por konkretisht: E para është pak e çuditshme se si Enver Hoxha nuk kishte dijeni që po ndodhte diçka në Kosovë, jo vetëm kur po përgatitej, por edhe kur plasi. Ai meqë kish kaluar një krizë, shkuam në Vlorë për pushime, në prill kur ndodhën ngjarjet dhe mori në telefon Mehmet Shehu. Natyrisht zbrita unë poshtë dhe fola. Mehmet Shehu më foli me një zë jo të natyrshëm të tij, ngadalë e ngadalë: Ka ngjarë diçka në Kosovë. Atje kanë plasur demonstrata. Madje një delegacion pedagogësh që kishim atje, kishin mbetur të izoluar, mezi kishin marrë leje për të dalë në Kukës. Shkoj shpejt dhe i them Enverit këtë. Enveri në moment thirri makinat dhe tha kthehemi në Tiranë, dhe u kthyem. Tani unë dhe tre ditë të tëra, menjëherë shkoj, jo në shtëpi, por atje ku mblidheshin këto, se kishim një si klub ne, jo zyrë se ishte pasdreke në mbrëmje, në shtëpinë e partisë thuhej. Mblodhi Byronë atje dhe tha çfarë është kjo? Dhe u mobilizuam natë dhe ditë, dhe u shkruajtën tre artikuj mbështetës që kanë mbetur në histori. Nuk kanë firmën e Enverit, por janë pothuaj të shkruajtura nga Enveri dhe ky mobilizim ishte aq i madh saqë në përfundim të kësaj në maj, ata thoshin që e kemi nxitur neve këtë lëvizje. Neve e mohuam këtë, dhe pastaj ai pësoi krizën më të rëndë të zemrës, nga lodhja e madhe. Tani meqë janë botuar këto dhe diskutohen shumë gjëra- atëherë një gjë thoshte Enveri që po sikur të jenë dorëzuar planet operative? Në 1981 kish ndodhur dhe ajo çështja e Mehmet Shehut, pas vetëvrasjes së tij, pra po sikur të jenë dorëzuar planet operative siç thoshin ata? Kështu që unë e vë tani pikëpyetjen se si ishte e mundur që Enver Hoxha nuk ishte në dijeni se çfarë po bëhej andej, kush e ndiqte këtë çështje? Të mos dinte Ministria e Brendshme? Neve dinim edhe mizat që fluturonin lart, ose nuk hynte dot njeri atje, dhe të mos dish që diçka po ndodhte atje dhe të mos e dinte Enver Hoxha? Unë isha në korent dhe dija çdo gjë që i thuhej atij dhe do e merrja vesh sidomos në një gjë të tillë që ishte dhe publike, nuk ishte një gjë tepër sekrete. Pra, nëse ka patur ndërhyrje nga Shqipëria për diçka ka qenë nga grupi agjenturor, që i interesonte, që ishin në shërbim, Kadri Hazbiu sidomos, se Mehmet Shehu ka qenë një çikë më ndryshe. Kadri Hazbiut i tha: “Ke mbaruar ti, vrit veten”. Pra ministri i Brendshëm nuk raportoi them unë. Ka një gjë tjetër pastaj, – kurse për këtë si përgatitje të përgjithshme kanë dalë këto në shesh tashmë, – njëherë e pyeta Enverin sa jemi ne të përgatitur.
Si do ta përshkruanit atë periudhë për sa i përket ndikimit amerikan?
Po ndalem që në fillim lidhur me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj dhe, kështu është e vërteta e përgjithshme, që miqësia më e përhapur, që ligjet më të mira të popullit tonë, në vendin e parë e kanë Shtetet e Bashkuara, historikisht. E para, sepse për Shqipërinë në gjendjen e varfërisë së saj, papunësisë së saj, prapambetjes, Shtetet e Bashkuara ishin toka e premtuar. Kanë ikur emigrant, disa integroheshin atje, dihet kjo. Kanë krijuar ato shoqatat e tyre, Fan Noli, Faik Konica krijuan shtypin e tyre, shumë patriotik. Pastaj delegacione që dolën në mbrojtje të Shqipërisë. D.m.th kjo është kryesorja. Disa nuk u ambientuan dot dhe u kthyen. Për kuriozitet mund t’ju them që në Amerikë në atë kohë para luftës nga 1912-1913 shkuan edhe babai i Enverit bashkë me djalin e madh. Babai punoi në një fabrikë tekstile, pa mjeshtri, duke mbledhur gjëra dhe nuk rezistoi dot, nuk e përballoi dot dhe u kthye. Është për të qeshur se Enveri thoshte që më ka sjellë një xhaketë alla amerikane me katrore kështu të trashë dhe një stilograf të trashë.
Më lejoni t’ju pyes. Ju përmendët rolin e Enver Hoxhës gjatë kësaj periudhe. A ishit ju një këshilluese e afërt?
Mund t’ju them për më vonë në periudhën kur iku Enveri. Nuk kam qenë konservatore në periudhën e tranzicionit siç më konsiderojnë – një konservatore që kam frenuar shokët. Unë nuk kam qenë asnjëherë në Byronë Politike, më kanë propozuar po unë nuk pranova, as Enveri nuk ka qenë dakord. Kam qenë jashtë, nuk kam qenë vendimmarrëse dhe jam akuzuar se frenoja shokët që ishin për një ndryshim. Nuk është e vërtetë. Unë kam aprovuar pjesëmarrjen në Bashkimin Europian, dhe kam pranuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, dhe e kam në një dokument, që deri sot nuk e kam botuar dhe dua t’jua bëj të njohur juve. Kjo është bërë shkas që të ndahen shokë marksist – leninist me mua, pse unë mbështeta NATO-n, d.m.th tradhëtova vijën tonë.
Populli akoma mendonte me të kaluarën, tjetër që jeta i bëri, këtu tashi na kanë harruar, na kanë braktisur, por atëherë nuk ishte ashtu dhe u ngritën ata dhe nga të gjitha rrethet u mblodhën në Gjirokastër, me delegacione. U njoftova që do të vinin në Tiranë të vendosnin monumentin në vendin që ishte. Të vinin ata në Tiranë dhe të vendosnin monumentin do të thoshte që në sheshin Skëndërbej të luftohej, si të thuash të krijohej konflikti, se do të dilnin dhe ata që e rrëzuan. Pra, vetë me popullin do të krijohej një gjakderdhje. Kështu që nuk ka qenë vetëm Ramiz Alia kundër gjakderdhjes. Kam qenë edhe unë dhe po them se kam pasur një rol edhe në gjëra që pastaj mua më kushtuan. Në çfarë pikëpamje, megjithëse unë isha pak e ftohur me Ramizin në atë kohë se nuk më pëlqeu mënyra si u procedua në rrëzimin e monumentit, sidomos nga ministri i Brendshëm ose sekretari ndihmës i Ramizit. Për këtë situatë unë shkova në zyrën e Ramizit. I thashë unë jam shoqe e vjetër, jam bashkëshorte e Enver Hoxhës. I thashë se ky grupi që po mblidhej donte të sulmonte Tiranën, kërkonte edhe dorëhqjen e tij. Unë i thash që do të shkoj në Gjirokastër dhe t’u flas këtyre njerëzve të mi dhe t’i bind që kjo gjë është një aventurë dhe kjo krijon një gjakderdhje, nuk mund ta lejojmë që të derdhet gjak. Dhe Enveri sikur të ishte gjallë nuk do të lejonte që kjo të ndodhte, jo më një monument i bronxtë atje. Mirëpo Ramizi tha, dhe të drejtë kishte – se kjo është një gjë shumë e rrezikshme për ty, nuk mund të udhëtosh. Jo nuk bëhet nuk mund të shkosh – më tha.Në të vërtet ishte gjendja shumë e rëndë, nuk mund të bëheshin udhëtime, të ndalnin në mes të rrugës. Dhe atëherë i thashë le të zgjedhin delegacionin dhe të vijnë në Tiranë. Epo tha shumë mirë, dhe kjo u bë. U zgjodhën 50 vetë nga rrethe të ndryshme, erdhën në Tiranë dhe shkova unë atëherë me Ramizin përkrah. Por, mua atëherë komunistët e vërtetë, se këta ishin vullnetarë të Enverit, ata nuk e pranonin Ramizin kërkonin dorëheqjen dhe atëherë nga ky gjest që bëra unë, se dola, fola atje në mbështetje dhe thashë se nuk është koha tani për dorëheqje – tani kë do vëmë, kujt do t’ia dorëzojmë. Atëherë mua më quajtën tradhtare.
Ju faleminderit.
Më vjen keq që shumë gjëra mbetën jashtë. Për të përndjekurit, them se një masë e madhe 5-6 mijë veta thonë, janë të tëra artificiale sepse vetë këto në 20 vjet nuk e kanë zgjidhur problemin e të përndjekurve, po bashkohen tani me opozitën ata. Opozita që do vota u premton të përndjekurve politikë që nuk janë politikë. Janë ata ordinerët që janë dënuar edhe për vjedhje të lopës atje në fshat, ku di unë ose që ka vrarë siç po ngjasin tani. Në 50 vjet nuk janë vrarë kaq njerëz sa janë vrarë gjatë 20 vjetëve, nuk janë vrarë jo. Do shihet nga historianët kjo.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit