“Nëse njerëzit gëzohen me dynjanë (botën), atëherë gëzohu ti me Allahun.”

Më të lexuarat

Kjo sepse parimi i përgjithshëm në këtë çështje është se sa më e madhe të jetë dashuria për një gjë, aq më i madh është gëzimi me të; dhe sa më shumë të rritet dashuria, aq më shumë zgjerohet gëzimi. Shumica e njerëzve gëzohen me dynjanë sepse kanë shijuar kënaqësitë e saj, ose kanë dëgjuar për to, ose kanë imagjinuar se ajo ka përsosmëri; kështu u zgjuan dëshirat e tyre dhe zemrat e tyre u lidhën me të. Por disa prej tyre, në këtë zhytje të lidhjes, e kanë penguar veten nga një gëzim më i madh, sepse nuk e kanë shijuar ende dhe nuk e kanë njohur me një njohje të afërt e shpirtërore.

Ndërsa ata që e kanë njohur Allahun, gëzohen me Të dhe e duan më shumë se sa ata të tjerët e duan dynjanë. Gëzimi për ta nuk është më diçka e përkohshme, por është bërë një gjendje e vazhdueshme, sepse dashuria e tyre është e drejtuar te Ai prej të cilit varen, prej të cilit jetojnë dhe prej të cilit merr kuptim i gjithë ekzistenca e tyre. “Ata që besojnë janë më të fortë në dashurinë për Allahun.” Me këtë lloj gëzimi, zemra kalon nga lidhja me atë që zhduket te lidhja me atë që nuk zhduket; nga një gëzim kalimtar që prek sipërfaqen e ndjenjave, në një gëzim të qëndrueshëm që rrënjoset në thellësinë e shpirtit.

Gëzimi është themeli i shëndetit mendor, psikologjik dhe fizik. Kur shpirti gëzohet, ai zgjerohet; kur zgjerohet, forcohet; dhe kur forcohet, i largon nga vetja gjendjet e thyerjes si trishtimi, brenga, ankthi dhe frika. Këto gjendje, në shumicën e rasteve, janë vetëm simptoma të një shpirti që është ngushtuar rreth vetes ose është lidhur me diçka të paqëndrueshme. Por kur shpirti lidhet me burimin e përsosmërisë dhe gëzimit, ai merr prej Tij një qëndrueshmëri të palëkundur, dhe gëzimi shndërrohet nga një gjendje kalimtare në një gjendje të brendshme besimi dhe nga një reagim i përkohshëm në një pozitë të qëndrueshme. Ibn Tejmije ka thënë: “Kur shpirti gëzohet, lumturohet dhe forcohet natyra, ai e largon sëmundjen.”

Gëzimi i shpirtrave është gëzimi i vërtetë, i cili jo vetëm që prek zemrën, por e përfshin atë dhe bëhet dritë në të. Ky gëzim nuk vjen veçse përmes besimit, sepse e gjithë materia e botës nuk mund ta krijojë këtë gëzim në zemër; ajo vetëm e nxit shpirtin për disa çaste, pastaj shuhet dhe zhduket.

Si mund t’i largojë njeriu nga vetja sëmundjet dhe gjendjet si trishtimi, mërzia, depresioni i përkohshëm, ankthi apo frika?

Përgjigjja: jo duke ikur prej tyre, por duke forcuar atë që i kundërvihet atyre. Natyra psikologjike nuk forcohet veçse me gëzim, dhe gëzimi nuk qëndron veçse kur gjen diçka që ia vlen të gëzohesh vazhdimisht me të. Prandaj, ndër shkaqet më të mëdha janë: ta njohësh Allahun derisa ta duash, ta përmendësh derisa të mësohesh me Të, të meditosh mbi mirësitë e Tij derisa të mbushesh me mirënjohje ndaj Tij, të zgjedhësh shoqëri që të kujton për Të, dhe të zgjedhësh vepra që të zgjojnë jetën brenda teje e jo ato që të shterojnë. Kur forcohet natyra psikologjike dhe gëzimi i shpirtit, ajo largon atë që e kundërshton si trishtimi dhe ankthi. Një nga shkaqet më të mëdha për ta arritur këtë është gëzimi me Allahun dhe angazhimi me Të, larg shqetësimeve dhe atyre që i shkaktojnë ato. Nëse të vijnë (dhe patjetër do të vijnë), mos qëndro gjatë në to dhe mos u thello në to, por largoju shpejt duke u angazhuar me shkaqet e gëzimit dhe lumturisë që u përmendën.

Dije se natyra e gëzimit të njeriut me gjërat dhe njerëzit është e kufizuar nga vetë natyra e mangët njerëzore; ajo ndryshon për arsye të vogla dhe mbaron për shkaqe të lehta. Është një gëzim i kufizuar dhe shpesh prishet nga njëra palë për arsye të parëndësishme. Shpesh ky lloj gëzimi kthehet në ankth nga frika e humbjes, ose në trishtim nga zhdukja e tij. Ndërsa gëzimi me Allahun nuk ka kufij dhe nuk ndërpritet, përveç nëse vetë njeriu e ndërpret për shkak të neglizhencës së tij. Dora bujare e Allahut është gjithmonë e shtrirë me mirësi dhe dhunti, por njeriu ndonjëherë ia mohon vetes këtë dhe largohet. Pra, është një gëzim që nuk mbaron; nëse ndalet, nuk është sepse burimi është shteruar, por sepse zemra është larguar.

Ibn Kajjim el-Xheuzijje thotë: “E pashë Ibn Tejmijen në ëndërr një natë pas vdekjes së tij, dhe i përmenda disa vepra të zemrës. Ai tha: Sa për mua, rruga ime është gëzimi dhe lumturia me Të [me Allahun].”

Gëzimi me Allahun e përfshin, e mbulon dhe e rrethon të gjithë qenien e njeriut. Ai jetohet si realitet, por nuk mund të përshkruhet e as të krahasohet me asnjë gëzim tjetër. Çdo gëzim tjetër të vjen për disa çaste dhe largohet shpejt, sikur ti të jesh vetëm një urë ku kalojnë momentet e gëzimit si shkëndija që ndizen dhe shuhen. Ndërsa i përhershëm është ai gëzim shpirtëror që jeton me ty për sa kohë je i lidhur me të; një gëzim që nuk mund ta përshkruash, me të cilin harron gjithçka dhe zhdukesh në dashurinë për të Dashurin tënd – ky është gëzimi me Allahun.

Këtu shfaqet dallimi midis dy llojeve të asaj që njerëzit e quajnë gëzim:
Një gëzim i kushtëzuar, i brishtë nga natyra e tij; i bazuar në zotërim material dhe dëshirë për më shumë, që zhduket me humbjen dhe lind e vdes jashtë njeriut.
Dhe një gëzim besimi (= lumturia e vërtetë), i lartë; që nuk bazohet domosdoshmërisht në atë që zotëron, por në atë që njeh; nuk matet me shumësinë e mirësive, por me thellësinë e lidhjes me Dhuruesin. Lloji i parë të prek sipërfaqësisht, ndërsa i dyti banon brenda teje, zë vend në zemrën tënde dhe e mbush shpirtin tënd me jetë.
Dr. Aid Ed-Deuserij

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit