20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Në Shqipëri u mbajt konferenca për mbrojtjen e fëmijëve në mediat audiovizive

Më të lexuarat

Në konferencën njëditore të organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive i Republikës Shqipërisë(AMA) ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Këshilli Suprem i Radio dhe Televizionit të Turqisë (RTÜK)

Në Shqipëri është mbajtur konferenca ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve rregullatore nga disa vende, të organizatave ndërkombëtare, ekspertëve dhe studiuesve të mediave, raporton Anadolu Agency (AA)

Në konferencën njëditore të organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive i Republikës Shqipërisë (AMA) ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Këshilli Suprem i Radio dhe Televizionit të Turqisë (RTÜK), ndërsa konferenca u vlerësua si një moment i mirë reflektimi për mediat dhe shoqërinë mbi rolin e tyre në edukimin e të miturve.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, gjatë fjalës në konferencë tha se kontributi për mbrojtjen e fëmijëve është kontributi më thelbësor që mund të jepet për një shoqëri dhe të ardhmen e saj.

“Në një kohë kur zhvillimi teknologjik po na përball me sfida shumë-dimensionale, detyra e medias është mbi të gjitha mbrojtja e interesave më të larta shoqërore përmes edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, u shpreh Krasniqi.

Ajo tha se institucioni që ajo drejton do të vijojë monitorimin e mediave, bashkëpunimin intensiv me institucionet, shoqatat dhe mediat që sipas saj fëmijëve t’u ofrohen programe cilësore dhe edukative.

Yusuf Demirtaş, ekspert nga Këshilli Suprem i Radio dhe Televizionit të Turqisë(RTÜK) foli për institucionin që ai përfaqëson dhe për përvojën e edukimit mediatik në Turqi. Ai u shpreh se RTÜK është një organ rregullator i pavarur që ka autonomi administrative dhe financiare.

Demirtaş shtoi se ka një përkufizim të ndryshëm në vende të ndryshme mbi edukimin mediatik dhe theksoi se në Turqi edukimi mediatik përshkruhet si aksesi në analizimin dhe komunikimin e mesazheve duke krijuar sensibilizim në formate të ndryshme.

“Edukimi mediati është në fakt një përkufizim që ne e përdorim shpesh në Turqi dhe e kemi këtë përkufizim të parashikuar në kuadrin tonë legjislativ. Një nga gjërat e tjera të parashikuara është dhe bashkëpunimi me agjencitë dhe institucionet e tjera duke e bërë kështu edukimin mediatik një nga masat kryesore për kulturën e shoqërisë sonë”, tha Demirtaş.

Duke folur për përvojën e edukimit mediatik në Turqi, ai tha se “Kemi një përvojë shumë të gjerë për edukimin mediatik e cila filloi në vitin 2006 duke ngritur njësi të ndryshme. Falë këtyre njësive të ngritura ne kemi pasur një përfaqësim shumë të gjerë në të gjithë autoritetet audivizule”.

Përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, tha se fëmijët kanë të drejtën të marrin informacionet e duhura pavarësisht kufijve.

“Jam e lumtur që ndodhem në Shqipëri për të vijuar dialogun me autoritetet, parlamentin dhe me aktorë të tjerë për të identifikuar se si mund të bashkëpunojmë më mirë në mënyrë që të përballemi me sfida për të përmirësuar mjedisin e lirisë së medias për fëmijët”, u shpreh Ribeiro.

Në kuadër të konferencës, në Shqipëri qëndroi për vizitë delegacioni nga Këshilli Suprem i Radio dhe Televizionit të Turqisë(RTÜK) i përbërë nga Orhan Karataş, İbrahim Uslu, Taha Yücel dhe Yusuf Demirtaş, i cili vizitoi edhe institucionet turke në Shqipëri, si Institutin “Yunus Emre” Tiranë, Institutin “Yunus Emre” Shkodër dhe institucionet arsimore të Fondacionit Maarif.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit