Në kohë krizash | Mesazh për zemrën tënde

Më të lexuarat

Zemra ndien një bindje që realiteti mezi e kundërshton: se këto vite po ecin në rrugën e pastrimit dhe sprovës, duke mos lënë askënd jashtë fushës së provimit. Sepse kjo botë është vend prove dhe ligji i Allahut në të është i pandryshueshëm: Ai sprovon për të pastruar dhe pastron për të dalluar,

﴿لِيَمِيزَ اللَّهُ الْخَبِيثَ مِنَ الطَّيِّبِ﴾
“Që Allahu të dallojë të keqin nga i miri.”
📖 (Surja El-Enfal, 8:37)

Ai që ende nuk është goditur nga sprova, le ta përgatisë zemrën para se të përgatisë mjetet, dhe le të shtojë furnizimin me durim. Sepse kur sprova vjen, nuk pret; dhe qëndron vetëm ai që e ka forcuar veten para saj. Pejgamberi ﷺ ka thënë:

«تُعْرَضُ الفِتَنُ عَلَى القُلُوبِ كَالْحَصِيرِ عُودًا عُودًا، فَأَيُّ قَلْبٍ أُشْرِبَهَا نُكِتَ فِيهِ نُكْتَةٌ سَوْدَاءُ، وَأَيُّ قَلْبٍ أَنْكَرَهَا نُكِتَ فِيهِ نُكْتَةٌ بَيْضَاءُ…»
“Sprovat i paraqiten zemrave si fijet e një hasre, një nga një; çdo zemër që i përthith, në të vendoset një njollë e zezë, ndërsa çdo zemër që i refuzon, në të vendoset një njollë e bardhë…”
📚 (Transmeton Muslimi, nr. 144)

Pra, zemra është fusha e fitores ose humbjes, jo pamja e jashtme.

Sa për atë që është goditur nga sprova dhe ka duruar, e ka kaluar provimin dhe ka dalë me sukses — kjo është vend falënderimi, jo pakujdesie. Sepse qetësia pas sprovës është dhuratë, dhe qëndrueshmëria është një begati që ruhet me falënderim. Pejgamberi ﷺ ka thënë:

«عَجَبًا لِأَمْرِ المُؤْمِنِ، إِنَّ أَمْرَهُ كُلَّهُ لَهُ خَيْرٌ، وَلَيْسَ ذَاكَ لِأَحَدٍ إِلَّا لِلْمُؤْمِنِ؛ إِنْ أَصَابَتْهُ سَرَّاءُ شَكَرَ فَكَانَ خَيْرًا لَهُ، وَإِنْ أَصَابَتْهُ ضَرَّاءُ صَبَرَ فَكَانَ خَيْرًا لَهُ».
“E çuditshme është çështja e besimtarit: çdo gjë për të është e mirë… nëse i ndodh diçka e mirë, falënderon dhe kjo është mirë për të; nëse i ndodh diçka e vështirë, duron dhe kjo është mirë për të.”
📚 (Transmeton Muslimi, nr. 2999)

Sa për atë që sheh njerëz duke rënë në humnerat e sprovave, le të ruhet që rrëzimi i tyre të mos bëhet shkak për përqeshje, por shkallë për mësim dhe reflektim. Sepse zemrat janë mes dy gishtave të të Gjithëmëshirshmit dhe Ai i kthen si të dojë. Pejgamberi ﷺ shpesh lutej:

«يَا مُقَلِّبَ القُلُوبِ، ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ»
“O Ti që i kthen zemrat, forcoje zemrën time në fenë Tënde.”
📚 (Transmeton Tirmidhiu, nr. 2140 – hadith sahih)

Sa shumë të qëndrueshëm kanë rrëshqitur, dhe sa shumë të rrëshqitur janë kthyer — fundi është i fshehur.

Këto janë ditë pastrimi dhe filtrimi, pa dyshim; që rrëzojnë maskat dhe zbulojnë thelbin e njerëzve. Lum ai që e vëzhgon Zotin e tij në fshehtësi dhe në publik, përgatitet për ditën kur sekretet do të zbulohen, dhe merret me përmirësimin e vetes në vend që të ndjekë gabimet e të tjerëve.

I lutemi Allahut për qëndrueshmëri që nuk lëkundet, për një zemër që nuk devijon, dhe për një mëshirë që na arrin para se të na arrijnë sprovat.

Muhamed Mustafa

Solli në shqip për Kohën Islame
Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit