7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Ndërprerja e marrëdhënies së punës për gratë shtatzëna dhe lehona është e ndaluar me ligj

Më të lexuarat

Pushimi i lehonisë dhe pushimi prindëror janë njëri ndër aspektet më të rëndësishme të të drejtave të punëtorëve, të cilat mbrohen me ligj.

Ky pushim nënkupton të drejtën e grave të punësuara që të mos paraqiten në punë me rastin e lindjes në mënyrë që të kujdesen për foshnjën e tyre.

Ligji ia garanton secilës grua të punësuar të drejtën për pushim në kohëzgjatje prej 12 muajve. Shfrytëzimin e kësaj të drejte gratë mund ta kërkojnë 45 ditë para datës kur pritet të lindin.

Gjatë kësaj periudhe ato gëzojnë realizimin e pagës si nga punëdhënësi ashtu edhe nga shteti.

Ligji ka përcaktuar se punëdhënësi është i obliguar të paguaj 70% të pagës së punëtores edhe pse e njëjta nuk paraqitet në punë gjatë kësaj periudhe.

“Gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë”, përcaktohet në pikën 3 të nenit 49 të Ligjit të Punës.

Ndërkaq Qeveria obligohet që për 3 muaj t’ua paguaj gjysmën e pagës mesatare në Kosovë, të gjitha të punësuarave që shfrytëzojnë pushimin e lehonisë.

“Tre (3) muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë”, përcaktohet në Ligjin e Punës.

Për tre muajt e tjerë të cilat Ligji i garanton si pushim, e punësuara nuk merr ndonjë kompensim, ndërkaq të njëjtës i njihet e drejta edhe për 3 muaj pushim shtesë pa pagesë të cilat mund ti kërkojë ti shfrytëzojë.

Çështja më e rëndësishme të cilën e garanton  Ligji i Punës është ndalesa e punëdhënësve për ti larguar nga puna gratë shtatzëna para dhe gjatë pushimit të lehonisë.

Neni 53 i Ligjit të punës ka përcaktuar se punëdhënësi nuk mund t’ia shkëpusë kontratën dhe t’ia ndërrojë vendin e punës të punësuarës gjatë shtatzënisë dhe pushimit të lehonisë.

Përpos tjerash, Ligji i punës ka përcaktuar se pushimin e lehonisë mund ta marrë edhe babai i fëmijës në rastin kur nëna vdes ose e braktis fëmijën para se të përfundojë pushimi i lehonisë.

Ligjvënësi ka përcaktuar të drejtën e pushimit edhe për të punësuarin të cilës i vdes foshnja. Ky lloj pushimi i takon të punësuarës e cila lind fëmijë të vdekur ose nëse fëmija i vdes gjatë pushimit të lehonisë. Ky lloj pushimi caktohet në bazë të konstatimit të mjekut mirëpo nuk mund të jetë më i shkurtër se 45 ditë.

Aspekt tjetër të cilin e mbron Ligji i Punës është edhe ndalesa e punëdhënësit që ta detyrojë të punësuarën shtatzënë ose nënën me fëmijë nën moshën 3 vjeçare të punojë jashtë orarit të punës dhe në ndërrimin e natës.

Ligji përcakton se e punësuara shtatzënë dhe nëna me fëmijën deri në moshën 3 vjeçare nuk mund të detyrohet të punojë më shumë se sa orari i rregullt i punës.

Nocion tjetër i rëndësishëm në Ligjin e Punës është edhe pushimi i atësisë i cili nënkupton të drejtën e babait për të mos u paraqitur në punë me qëllim të përkujdesjes për foshnjën dhe gruan.

Pra edhe babai me rastin e të bërit prind ka të drejtën e shfrytëzimit të pushimit me pagesë dhe atij pa pagesë.

Ligji ka përcaktuar se babait të fëmijës i takojnë dy ditë pushim me pagesë dhe dy javë pushim pa pagesë pas lindjes ose adoptimit të fëmijës.

Pak vite më parë ishte iniciuar një Ligj të ri në Kuvendin e Republikës cili do të rregullonte vetëm çështjen e pushimit të lehonisë dhe pushimit prindëror. Ky projektligj kishte përcaktuar disa të drejta shtesë për gratë lehona ndër të cilat ishte përcaktuar edhe forma e kompensimit dhe pushimit për gratë që lindin binjakë, kompensimi i grave të vetëpunësuara dhe i grave të pa puna.

Ndonëse me rregullim mjaftë të mirë Ligjor, zbatimi i të drejtës së pushimit të lehonisë dhe amësisë ka qenë i vështirë në Kosovë.

Kjo për faktin se vendi ynë akoma përballët me infomalitet të lartë, mos respektim të të drejtave të punëtoreve, mos deklarim të punëtoreve dhe mos pajisje të tyre me kontrata pune.

Statistikat e publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tregojnë se numri i padive të cilat paraqiten për shkelje të të drejtave të punëtoreve është në rritje vit pas viti, përderisa efikasiteti i gjykatave për zgjidhjen e tyre nuk është se ka pasur ndonjë progres të madh.

Sipas të dhënave, brenda 1 viti gjyqësori arrin të zgjidhë vetëm 30% të kontesteve të punës të cilat i ka në punë, përderisa mbi 60% të rasteve të cilat zgjidhen tregojnë për shkelje të të drejtave të punëtoreve. /kallxo/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit