Izraeli përshpejton dëbimin e arabëve etnikë përreth xhamisë Al-Aksa
Pas tetorit të vitit 2023, Izraeli ka nisur një ofensivë të pashembullt mbi lagjet palestineze të Jerusalemit Lindor, duke shfrytëzuar vëmendjen globale ndaj Gazës për të krijuar fakte të kryera në terren.
Lagjja Silwan, e cila kufizohet me muret jugore të Xhamisë Al-Aksa, po përballet me një fushatë sistematike dëbimesh dhe shkatërrimesh që banorët e cilësojnë si një “Nakba të re”.
Që nga fillimi i konfliktit, të paktën pesëdhjetë shtëpi janë rrafshuar vetëm në sektorin Al-Bustan, duke lënë qindra familje pa strehë dhe duke kërcënuar ekzistencën e një komuniteti që ka rezistuar për dekada.
Fakhri Abu Diab, një aktivist i njohur vendas, qëndron mes rrënojave të shtëpisë së tij, ku autoritetet izraelite rrafshuan jo vetëm muret, por edhe kujtimet e fëmijërisë së tij. Historia e tij është pasqyra e asaj që po ndodh në të gjithë Jerusalemin Lindor.
Rreth njëzet mijë shtëpi palestineze janë aktualisht nën urdhra prishjeje. Palestinezët thonë se Izraeli po përdor pandëshkueshmërinë e kohës së luftës për të përshpejtuar planet e kolonëve, të cilat dikur ngadalësoheshin nga presioni ndërkombëtar dhe rezistenca lokale.
Strategjia izraelite në Silwan nuk është thjesht çështje planifikimi urban. Organizatat e kolonëve si Ateret Cohanim dhe Elad, të mbështetura fuqishëm nga shteti, synojnë të krijojnë një vazhdimësi territoriale mes enklavave hebraike dhe Jerusalemit Perëndimor.
Duke zbrazur lagjen Al-Bustan, autoritetet synojnë të hapin hapësirë për projekte turistike me temë biblike, si “Kopshti i Mbretit” dhe “Qyteti i Davidit”. Ky transformim kërkon zhvendosjen me forcë të rreth 1.500 banorëve palestinezë, për t’i zëvendësuar ata me parqe arkeologjike dhe komplekse kolonësh.
Studiuesit e organizatës Ir Amim ,vërejnë se ritmi i prishjeve është rritur në mënyrë dramatike. Nëse nga viti 2006 deri në vitin 2023 shkatërroheshin mesatarisht një deri në dy shtëpi në vit, por gjatë muajve të fundit ky numër ka shkuar në mbi pesëdhjetë.
Bashkia e Jerusalemit i justifikon këto masa me mungesën e lejeve të ndërtimit, por për palestinezët, marrja e këtyre lejeve është praktikisht e pamundur. Ligji zbatohet në mënyrë selektive.
Ndërsa shtëpitë palestineze rrafshohen, objekteve të kolonëve u lejohet të zgjerohen, madje edhe kur shkelin rregullat e planifikimit.
Për banorët e Silwan-it, kjo fushatë nuk po shkatërron vetëm pronat, por të gjithë strukturën shoqërore. Familjet e zgjeruara po shpërndahen, duke humbur sistemin e tyre të mbështetjes dhe lidhjen historike me tokën.
Abu Diab paralajmëron se nëse bashkësia ndërkombëtare nuk ndërhyn, peizazhi demografik rreth xhamisë Al-Aksa do të ndryshojë përgjithmonë.
Izolimi i xhamisë nga lagjet palestineze do të lehtësonte kontrollin e plotë izraelit mbi vendet e shenjta, duke e shndërruar Silwanin në një zgjatim të Jerusalemit Perëndimor nën narrativën e historisë biblike.
Në dëshpërim e sipër, banorët kanë hartuar plane urbane alternative për të rehabilituar lagjen, por bashkia i ka refuzuar ato, duke konfirmuar se qëllimi i vërtetë nuk është rregullimi i ndërtimeve, por spastrimi etnik. \tesheshi.com\
