7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Muslimanët në përkushtimin fetar janë të niveleve të ndryshme.

Më të lexuarat

Muslimanët në përkushtimin fetar janë të niveleve të ndryshme.

Dr. Aid el Karni
Muslimani duhet të jetë i drejtë, i mëshirshëm, të mos paragjykojë, të mos sillet vrazhdë, por t’i pranojë të gjithë muslimanët, pavarësisht niveleve të tyre të përkushtimit.
Përsa i përket çështjes së përkushtimit fetar, ne muslimanët jemi si nxënësit e universitetit, dikush është i nivelit pranueshëm, dikush mirë dhe dikush shkëlqyeshëm. Kurani i ka ndarë besimtarët në tre nivele dhe që të gjithëve u premtoi mëshirë dhe falje, Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj Ne ua trashëguam Librin robërve Tanë të zgjedhur; prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej tyre që me ndihmën e Allahut, janë të parët në punë të mira…” [Fatir: 32]; pra ndër muslimanët gjendet dijetari teolog i përkushtuar dhe i udhëzuar me udhëzimin hyjnor; gjendet adhuruesi i bindur, i devotshëm, i angazhuar me obligimet fetare dhe bojkotues i mëkateve të mëdha, si dhe gjendet muslimani që i ka hyrë në hak vetvetes, përmes disa harameve-ndalesave që ka kryer dhe lënies së disa obligimeve.
Kësisoj, muslimanët janë në grada të ndryshme, përsa i përket përkushtimit të tyre fetar, prandaj ata kanë nevojë për dikë, që i fton në përmirësimin e tyre, me mëshirë dhe i trajton me butësi, duke pasur parasysh ndryshimin e mentaliteteve dhe kapaciteteve logjike të tyre, mendimet e tyre kontroverse, dilemat e tyre të shumta, pasionet e tyre, dobësinë e mbushjes së mendjes së tyre dhe brishtësinë e durimit të tyre.
Nuk është korrekte të thuhet në shoqërinë muslimane: grupi shoqëror i fetarëve apo personat fetarë; pasi që të gjithë ne muslimanët jemi persona fetarë. Këtu hyjnë të gjithë dijetarët dhe qeveritarët, doktorët dhe inxhinierët, shkrimtarët, ushtarët, tregtarët etj. Pra muslimanit i del për detyrë t’i komunikojë dhe t’i pranojë vëllezërit e tij muslimanë, pavarësisht niveleve të tyre të përkushtimit.
I Dërguari i Allahut i trajtonte të gjithë muslimanët, madje edhe masën e gjerë të popullit, me drejtësi, urtësi dhe butësi. Në kuvendin e tij prezantonin sahabët (shokët) e tij më të mëdhenj, por prezantonin edhe nomadët, poetët, të pasurit dhe të varfrit, madje edhe hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët ai i ushqeu dhe i ftoi butësisht në fenë e tij madhështore. Edhe ndër sahabët (shokët) e Profetit a.s. do t’i gjesh princin, dijetarin, adhuruesin, poetin, ligjëruesin, të mobilizuarin në përkushtim dhe neglizhuesin. Pra edhe sahabët ishin në nivele të ndryshme.
Ajo që kam për qëllim me këtë, është që të mos ia ulim vlerën një grupi shoqëror brenda shoqërisë muslimane, për shkakun se ata nuk janë preokupuar me diturinë e Sheriatit (Ligjit Islam); pasi edhe ky grup shoqëror islam gëzon të drejtën islame, shenjtërinë e fesë dhe vëllazërinë, ku urdhëron dhe udhëzon “La ilahe il Allah-S’ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut”.
Kësisoj pra, nuk bën të thuhet: fetarët, matematikanët, shkrimtarët, etj, duke synuar përvijimin  e fesë tek një grup i vetëm, por që të gjithë grupet shoqërore të shoqërisë muslimane janë muslimanë; duhet të themi: nxënësit e dijes fetare islame, matematikanët muslimanë, shkrimtarët muslimanë e kështu me radhë; pasi ngritja e barrierave midis bijve të së njëjtës fe, pa shkak legjitim islam, nuk është metodë e saktë.
Janë ekstremistët e çdo grupi shoqëror, ata që i provokojnë rivalët e tyre dhe irritojnë këdo që u kundërvihet atyre, nga ku vjen reagimi i anasjellë, provokues, irritues, teprues dhe cytës i palës tjetër, përmes nofkave, sharjes dhe shpotisë.
Disa prej të përkushtuarve në fe i mëshojnë mendësisë, se muslimanët duhet ta pasojnë medoemos këndvështrimin e tyre. Kjo gjë ndodh për shkak të mangësisë së furnizimit të tyre me dituri fetare, deficit ky që i bën ata të futen në konflikt me çdo musliman që u kundërvihet, madje edhe në çështjet degëzuese të fesë. Gjithashtu, do të gjesh disa shkrimtarë ekstremistë, që i kundërvihen të përkushtuarve në fe, me përshkrimet më fyese dhe fjalët më të shëmtuara. Këto gjëra, padyshim që e përçajnë shoqërinë dhe provokojnë armiqësi dhe urrejtje në shpirtrat e individëve.
Nëse kraharorët tanë do zgjeroheshin dhe zelli ynë do ngrihej, atëherë ne do u drejtoheshim vëllezërve tanë muslimanë me shprehjet më të lezetshme dhe metodat më të bukura; pasi mendimet nuk korrektohen duke sharë dhe shpotitur, ndërsa faktet nuk paraqiten përmes kërcënimit dhe kanosjes, por argumenti i çiltër dhe i kulluar është i vetëmjaftueshëm në verifikimin e të vërtetës.
Dëshira ime që dua të shpreh, është t’i pranojmë nivelet e ndryshme të përkushtimit fetar të pranishme në mesin e muslimanëve, t’i pranojmë njerëzit me të metat e tyre dhe të mos pretendojmë pagabueshmërinë tonë, pasi Ai që i di më mirë të devotshmit është Allahu i Lartësuar. Ne nuk jemi gjykatësit e njerëzve, mëshira ose ndëshkimi i tyre nuk është lënë në dorën tonë, çelësat e Xhenetit nuk janë në xhepat tanë, nuk i kemi krijuar dhe as i furnizojmë ne njerëzit, por ne jemi robër sikurse ata.
Ka të ngjarë që dikush nga njerëzit e drejtë, kah i cili nuk shënjojnë gishtat admirues, të jetë më i mirë tek Allahu sesa personat publik fetar, ose për shkak të brendisë së tij të dëlirë, ose për një punë specifike që i është pranuar, ose si rezultat i përfundimit të tij të mirë.
Thirrini krijesat me butësi, trajtojini ata me drejtësi dhe përfshijini ata me mëshirë, duke marrë si shembull, shkëlqesinë e njerëzisë, Muhamedin a.s., të cilit Zoti i tij i tha: “Ngase Allahu të dhuroi mëshirë, ti ishe i butë me ta, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, prandaj ti fali ata, kërko ndjesë për ta dhe konsultohu me ta në të gjitha çështjet…” [Ali Imran: 159]

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit