9.6 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Mund të fabrikojmë çdo gjë, po jo jetën!

Më të lexuarat

Shpesh na ndodh që ata të cilët na kanë lënë shije jo të mira për një arsye apo për një tjetër, të jenë njerëz me të cilët nuk të lidh asgjë në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, por në të njëjtën kohë me apo pa dashje si ata dhe ti jo rrallë ndodh të influencohesh apo të prekesh e të përkufizohesh nga zgjedhjet, veprimtaritë dhe politikat e personave apo grupimeve të cilët nuk i njeh dhe nuk të njohin.
Ne jemi një popull kultura e të cilit ngrihet mbi disa themele e vlera të cilat sigurisht që në këto vite tranzicioni politik, kulturor dhe identitar, janë cënuar herë pa dashje e shpesh me dashje.herë si pasojë e nevojës së natyrshme të shoqërive për hapje, lëvizje dhe integrim e zhvillim, herë si pasojë e migrimit dhe emigrimit dhe e shpesh si pasojë e nevojës për mbijetese. Ne vazhdojmë të jemi një shoqëri e cila vuan në thelb krizën për mbijetesë.
Dhe kjo nuk mund të jetë asnjëherë e rastësishme. Ashtu si nuk është i rastësishëm një paradë trupash diplomatike të huaja në një vend të varfër, të zhvatur, të shfrytëzuar, të zhveshur nga e drejta e pasurive që i rrethojnë.

 

Jemi një popull i bekuar me një natyrë të mrekullueshme,por që nuk arrijmë të gëzojmë frytet e sajë pasi organizma të huaja diktojnë, projektojnë dhe korrin këto pasuri dhe së bashku me to, dhe mundin e njerëzve të këtij vendi.
Jemi një popull i bekuar me zakone, gjuhë e tradita të çmuara, por që përtej kësaj, kemi turp të kthejmë kokën mbrapa të diktojmë me krenari historinë nëpër të cilën kemi nxjerrë figura të shquara, burra e gra që punuan e sakrifikuan për këtë vend, por që rrjeteve dhe trupave të ndryshme diplomatike të ditëve të sotshme nuk ju shkojnë përshtat sepse nuk mund të finalizohen qëllimet mbi vlerat për të cilat punuan dhe sakrifikuan të parët e këtij vendi. Ndaj dhe fabrikojmë vazhdimisht. Fabrikojmë histori, fabrikojmë mite, fabrikojmë kulte, fabrikojmë fe, qëndrime, kufij, miqësi dhe armiqësi, festa dhe trishtime, fabrikojmë mendësi dhe qëndrime, fabrikojmë idhuj, Zota, frikëra, besëtytni, fabrikojmë dhe fabrikojmë pafund sepse ky lloj investimi ecën dhe shitet, e mbi të gjitha, është ai investim i cili nën petkun e “tranzicionit ekonomik” bën të mundur ndryshimin e shinave të orientimit të një shoqërie në boshtin kulturor, fetar, gjuhësor, kombëtar. Thënë ndryshe; në rendin e shinave globale të zhvillimit, besimet, frikërat dhe kufijtë e tua, nuk kanë asnjë vlerë. Ato marrin vlerë vetëm në një rast; atëherë kur pikëpyetjet e tua si shtet-komb bëhen të unifikuara me pikëpyetjet e termave që këto politika të globalizmit diktojnë .

 

Ndaj shqiptarët sot të mos habiten nëse shohin eskorta trupash diplomatike të cilat dalin kolektivisht në shëtitje për të marrë ca diell në bulevard, e për të pirë nga një kafe turke me grupime të cilët filxhanët e kafesë i marrin falas nga treni i radhës që vjen nga perëndimi.
Në fakt, në këtë prag Ramazani kisha bërë nijet të fal me zemër këdo me të cilët më ka pjekur jeta në rrugëtimin tim dhe përpjekjet e mia modeste për të dhënë një model të mirë, një alternativë pozitive dhe ndryshe vlerash në shoqëri dhe komunitetin tim, aty ku u linda rrita dhe zhvillova.
Mirëpo ka diçka me të cilën nuk bëj dot paqe me veten. Ndoshta dhe si sëmundje profesionale, por nuk mundem të mos deklaroj se: të mohosh realitetin është vërtet një mekanizëm mbrojtës i dobishëm, e është i rëndësishëm për mirëqenien psikike e emocionale , por, nuk do të isha e ndershme nëse nuk do të thoja anën tjetër të medaljes, se ky në fakt, është dhe më i dëmshmi ndër mekanizmat kur përdoret gjatë. Imagjinoni ç’ndodh kur përveç të tjerave investojmë me forcë në këtë qendrim. Sidoqoftë duhet thënë me zë të lartë e krenari se Zoti na ka bërë në femra e meshkuj, burra e gra, që të dashurojmë, krijojmë familje, të lindim pasardhës, të punojmë me shpirt për ta dhe… dhe kështu vazhdon kjo jetë … secili në shpatullat e veta.

 

E dimë të gjithë se, sot askush nuk ka kuriozitet për jetën e askujt, e jo më për intimitetin, dëshirat e preferencat e tyre seksuale. Por kur këto preference na deklarohen dhe përtej deklarimit na shiten si përvuajtje dhe privime e të konturuara me projektligje, përfitime të majme dhe tarafe elitare e influeca politike e ekonomike, kurioziteti lind, por lind për së mbrapshti. Natyrshëm lind pyetja: Përse kaq shumë frikë, zhurmë dhe imponim me figura autoriteti?! Kur ajo që natyrshëm buron nga ligjësia e Zotit në tokë, nuk bën zhurmë. Ajo thjesht lulëzon, jeton, rigjenerohet. Një buzëqeshje, një e qarë bebeje, aty gjejini përsetë e reagimit qytetar.

 

Secili nga ne ka diçka të cilën e admiron, prej së cilës motivohet. Kam kërkuar shumë për të nxjerrë një përkufizim për admirimin. Më i bukuri që lexova ishte: “Ju e admironi diçka duke adhuruar identitetin, thelbin e sajë”. Qesha me vete dhe mendova: Nuk kishte si të ishte ndryshe. Çfarë mendjeje e bukur dhe e ndritur. Si jo, ndaj Familjen, e dashurojmë dhe admirojmë natyrshëm me gjithë forcën e shpirtit, pasi në të sendërtohet thelbi i ligjësisë së Zotit, JETA. Se Zoti na ka mbjellur thellë në qeniet tona dashurinë për të vazhduar. Kjo është ligjësi hyjnore.

 

“Dhe prej argumenteve të Zotit ndaj jush, është se ju bëri për njëri tjetrin burra dhe gra, në mënyrë që të gjeni te njëri tjetri prehje dhe mes jush hodhi dashuri dhe mëshirë” (Kuran, 30:21)

 

Ditë të bukur kalofshi!
|Edlira Dyrmishaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit