9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Mulla Sadri Prestreshi (1917-2002)

Më të lexuarat

Mulla Sadri Prestreshi ishte një figurë e shquar fetare e kombëtare, ishte hoxhë, mësues, predikues, atdhetar e luftëtar…

Lindi më 17 Tetor 1917, në katundin Mazgit, në rrethin e Prishtinës. Mësimet fillestare i kreu në Obiliq, që tani quhet Kastriot, ku ishte ndër nxënësit më të shquar…

Në vitin 1930 u regjistrue në Medresenë “Pirinaz” të Prishtinës, pranë dijetarëve të njohur të asaj kohe, Mulla Hamdi ef. Gërçina dhe Mulla Ahmed ef. Mardoçi, të cilët dalloheshin edhe për ndjenjat e zjarrta atdhetare…

Pas diplomimit, në vitin 1944, u emërue imam në xhaminë e katundit Dobrajë e Madhe në rrethin e Lypjanit, kurse më vonë shërbeu edhe si mësues…

Në fillim të vitit 1946, kur forcat partizane-çetnike sa e kishin marrë pushtetin e ndaj popullit shqiptar silleshin me egërsi, Mulla Sadriu u inkuadrue në organizatën ilegale NDSH, (Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar) që përpiqej për çlirimin e Kosovës e bashkimin me Shqipni.

Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, ku kishte shumë veprimtarë hoxhallarë, përpiqej për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Kjo organizatë politike-ushtarake u krijua si një imperativ kohe në ndërgjegjen e atdhetarëve anti-komunistë shqiptarë, për të penguar ricopëtimin e trungut etnik shqiptar dhe njëkohësisht krijimin e një shteti etnik kombëtar…

Mulla Sadri Prestreshi, si veprimtar në këtë organizatë, ishte në rrethin e personaliteteve të shquara atdhetare, deri sa u zbulue nga oficerët e OZN-ës jugosllave…

Me 15 Prill të vitit 1947, Gjyqi Ushtarak i Divizionit të Prishtinës, pas hetimeve, maltretimeve, e dënoi hoxhën, Mulla Sadriun, me katër vjet burg…

Burgun e filloi në Prishtinë, nga Prishtina e dërguen në Mitrovicë, nga Mitrovica në Nish, nga Nishi në Pozharevac…

Edhe nga burgu kur lirohet, për një kohë, nuk e lejuen të punësohet…Nuk e lejuan të shërbejë as hoxhë në ndonjë xhami, as mësues në ndonjë shkollë, të edukoi brezin e ri…!

Më vonë e pranuen, e emëruen mësues në Shkollën Fillore të Obiliqit, nga Obiliqi e caktuen të shërbej si mësues në Shkollën Fillore të katundit Karraticë, të Drenicës…Kudo që shërbeu në arsim, shërbeu me përkushtim…

Në vitin 1962, Mulla Sadri Prestreshi, mbas disa viteve shërbimesh, transferimesh, emërohet hoxhë, imam, predikues, në xhaminë kryesore të Prishtinës, në Xhaminë e Madhe, në Xhaminë e Mbretit, xhamia kryesore e kryeqytetit…

Mulla Sadriu, në xhaminë kryesore të kryeqytetit, me këshillat e tij, me predikimet e tij, nga burimet hyjnore, frymëzonte për çdo ditë zemrat njerëzore…

Kjo veprimtari, të cilën hoxha e kryente me shumë devotshmëri, nuk iu pëlqente organeve të pushtetit, prandaj me një vendim, si të papërshtatshëm, për interesat e hyqymetit, Mulla Sadriun e larguen nga Xhamia e Madhe e kryeqytetit…

Rreth vitit 1970, Mulla Sadriu u pranue si professor në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë, kur shërbeu deri sa doli në pension, në vitin 1983.

Përveç mësimdhënies, në lëndët e Ahlakut e Fikhut, Mulla Sadriu përgatiti edhe tekstet shkollore për vitin e parë dhe të dytë të medresesë, për lëndët që mësonte…

Në moshën e pleqërisë, kur ishte 82 vjeçar, forcat pushtuese serbe, në vitin 1999, Mulla Sadriun, për shërbimet që i bëri popullit e Zotit, Islamit e Vatanit, e larguen me dhunë nga shtëpia, të cilën ia dogjën…

Mulla Sadri Prestreshi ndrroi jetë-kaloi në jetën e vërtetë, me 16 Janar 2002, në moshën 85 vjeçare. Siç ishte madhështor në jetë, ashtu ishte edhe në vdekje.

Në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, ku kishte shërbye, predikue, por që pushteti komunist e kishte largue, mijëra qytetarë ishin tubue në faljen e namazit të xhenazës, nën udhëheqjen e Myftiut të Kosovës, dr.Rexhep Boja…

Në katundin Magzit të Kastriotit, ku lindi me 17 Tetor 1917, Mulla Sadriu u varros me nderime, me 16 Janar 2002…

Mexhid YVEJSI, Gjakovë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit