Muhamed Nasiruddin Al-Albani
(Kështu paraqitet figura edhe roli i Shejhut Muhadithit Shqiptar ne Anciklopedia Islame e botuar nga Dijaneti i Turqise)
Ai lindi në qytetin Shkodër të Shqipërisë. Babai i tij, Nuh Nexhati, ishte një dijetar që kishte përfunduar arsimimin fetar në Stamboll. Pas vitit 1924, kur Mbreti shqiptar Ahmet Zogu mori plotësisht kontrollin e vendit dhe filloi të ushtrojë presion mbi myslimanët, familja e tij emigroi në Sham. Nasirudin Al-Albani e mori arsimin bazë nga familja dhe shkollimin fillor e kreu në Sham. Prej babait mësoi Kur’anin, mori njohuri mbi sarf, nahiv dhe belagat, ndërsa nga dijetari i njohur i Shamit, Muhamed Said el-Burhani, mësoi fikh dhe përvetësoi arabishten e pastër. Gjithashtu ndoqi mësimet e Muhamed Behxhet el-Bejtarit. Për një kohë u mor me tregti, punoi në zanatin e babait të tij si sahatçi, ndërsa në kohën e lirë lexonte libra. Në moshën rreth njëzetvjeçare, disa shkrime që lexoi në revistën El-Menar, të cilën e nxirrte Muhamed Reshid Rida, e orientuan drejt përqafimit të mendimit selefij dhe angazhimit me shkencën e hadithit.
Albani studioi dorëshkrimet e rralla të haditheve në bibliotekën “Darul-Kutub edh-Dhahirijje”. Edhe pse nuk e shihte të domosdoshëm metodin tradicional të transmetimit përmes ixhazetit, ai megjithatë mori ixhazet për transmetimin e hadithit nga Muhamed Ragib et-Tabbah. Përgatiti katalogë të dorëshkrimeve në fusha të ndryshme, ndër ta edhe Fihrisu’l-Mahtutati’dh-Dhahirijje fi ilmi’l-hadith (Damask, 1970). Ai evidentoi edhe dorëshkrime të shumta në biblioteka private, për të cilat bota shkencore nuk ishte në dijeni. Përveç kësaj, jepte mësime dy herë në javë ku shpjegonte veprat e Buhariut, Ibn Haxher el-Askalani, Ibn Kajjim el-Xheuzijje, Sıddik Hasan Han, Ahmed Muhamed Shakir, Neveviut, Mundhiriut dhe Ibn Dakik el-‘Idit. Në vitet 1961–1963 dha mësim në Universitetin Islamik të Medinës. Pas kthimit në Damask, vazhdoi punimet e tij shkencore. Metodën e tij të hulumtimit dhe kritikës e përvetësuan shumë studiues, si Muhamed Zuhejr esh-Shavish, Muhamed Ibrahim Shakra, Omer Sulejman el-Eshkar, Abdurrahman Abdulhalik, Mahmud Mehdi el-Istanbuli, Hajrudin Vanli dhe Hamdi Abdulmexhid es-Selefi. Gjithashtu, muhakkikë si Muhamed Mexhub et-Tartusi, Abdul Kadir el-Arnaut, Shuajb el-Arnaut, Abdurrahman el-Bani dhe Isam el-Attar përfituan nga metoda e tij.
Albani mori pjesë në veprimtari të ndryshme shkencore. Gjatë bashkimit të Egjiptit me Sirinë, u përzgjodh në komisionin e hadithit që merrej me botimin dhe verifikimin e librave të hadithit. Iu ofrua të merrte drejtimin e “Meshjehatil hadith” në Universitetin Selefi në Indi, por refuzoi për shkak të luftës Indi–Pakistan. Në vitin 1968 refuzoi edhe ofertën për të qenë kryetar i degës së studimeve islame në Universitetin Ummu’l-Kura në Mekë. Në vitet 1975–1977 ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Universitetit Islamik të Medinës. Udhëtoi në vendet e Gjirit, në Kajro, Aleksandri, Kudës, Bejrut, Marok, si dhe në Spanjë, Angli e Holandë, ku mbajti konferenca për hadithin. Në vitin 1999 u nderua me çmimin Mbret Fejsal për studime islame, për kontributin e tij në shkencën e hadithit. Që nga korriku i vitit 1980 u vendos në Aman dhe aty jetoi deri në fund të jetës. Pak para vdekjes, arriti të vazhdonte me ndihmën e fëmijëve dhe nipërve të tij hartimin e veprës Silsiletul-Ehadithid-Daife. Vdiq më 2 tetor 1999 në Aman. Me testamentin e tij, biblioteka dhe dorëshkrimet e papërfunduara iu dhuruan Bibliotekës së Universitetit Islamik në Medinë. I quajtur “muhaddithi dhe muxhedditi i shekullit”, Albani synonte jo thjesht punë akademike, por ndërtimin e jetës së përditshme sipas Sunetit dhe pastrimin e Islamit nga bidatet.
Ndikim të madh mbi të patën Ibn Tejmije, Ibn Kajjim el-Xheuzijje dhe Muhamed ibn Abdulvehhab. Nga ta mori frymëzimin për të mos u lidhur ngushtë me një medhheb, për të theksuar drejtpërdrejt Kuranin dhe Sunetin, si dhe për t’iu kundërvënë bidateve dhe bestytnive. Megjithatë, herë pas here i kritikoi edhe ata. Për shkak të qëndrimeve të tij, u kritikua nga shumë dijetarë. Veçanërisht, ndarja e haditheve të burimeve klasike në “sahih” dhe “daif” dhe botimi i tyre në vepra të ndryshme shkaktoi kundërshti dhe u shkruan shumë refuzime kundër tij. Disa prej tyre janë: El-Elbani shudhudhuhu ve ahatauh i Habiburrahman el-Azamit, El-Kavlul-mukni‘ fi’r-red ‘ale’l-Elbani el-mubtedi‘ i Ebu’l-Fadl Ibnus-Sıddik, Tenbihul-muslim ila te‘addil-Elbani ‘ala Sahih Muslim i Mahmud Said Memduhut, Tenaqudatul-Elbani el-vadihat i Hasan ibn Ali es-Sekkafit, dhe të tjera. Elbani mori parasysh disa prej kritikave dhe iu përgjigj disa prej tyre. Megjithatë, përhapja e ideve të tij shpesh hasi në kundërshtim të fortë nga populli, autoritetet dhe tarikate, dhe kjo bëri që disa herë të përfundojë në burg ose të dëbohej.
Veprat
Sipas Ibrahim Muhamed el-Alit, Albani shkroi rreth 221 vepra, ndërsa Omer Ebu Bekri përmend 217. Veprat e tij ndahen kryesisht në tre kategori:
- A) Vepra për vlerësimin e haditheve sipas saktësisë
- Silsiletul-Ehadithis-Sahiha
- Silsiletul-Ehadithid-Daife vel-Mevdua
- Mukhtasaru Sahih el-Buhari
- Sahihut-Terghib vet-Terhib, Daifut-Terghib vet-Terhib, etj.
(Këtu përfshihen edhe botime kritike për librat e Ebu Daudit, Tirmidhiut, Nesaiut dhe Ibn Maxhes.)
- B) Vepra të bazuara në hadithe
- El-Hadith hujxhetun bi-nefsihi fil-akaid vel-ahkam
- Es-Semerul-mustetab fi fikhis-sunneh vel-kitab
- Menziletus-sunne fil-Islam
- Sifatus-salatin-nebijj (Namazi i Profetit)
- Ahkamil-xhenaz
- Adabul-zifaf (Etika e martesës sipas haditheve)
- Hixhabul-mer’atil-muslime, dhe të tjera.
- C) Punime të tahkikut dhe komentimit të librave klasikë
Ai bëri verifikim, komentim dhe indeksim të dhjetëra veprave klasike, si Menarus-sebili Ibn Duvejjânit, Kitab-ul-Imani Ebu Ubejd Kasim ibn Sellam, Kitabus-Sunne i Ibn Ebu Asimit, Rijadus-Salihin i Neveviut, Mishkatul-Mesabih i Hatib Tebrizit, Sherhul-Akidetit-Tahavijje i Ibn Ebu’l-Izit, El-Kalimut-Tajjib i Ibn Tejmijes, dhe shumë të tjera.
Burimet dhe Bibliografia
- Muhammed el-Meczûb,ʿUlemâʾ ve müfekkirûn ʿaraftühüm, Kajro, ts. (Dârü’l-i‘tisâm), I, 287-326.
- Muhammed b. İbrâhim eş-Şeybânî,Ḥayâtü’l-Elbânî ve âs̱âruhû ve s̱enâʾü’l-ʿulemâʾ ʿaleyh, Kuvajt 1407/1987, I-II.
- Ebû Ubeyde Meşhûr b. Hasan b. Selmân,Kütübün ḥaẕẕere minhe’l-ʿulemâʾ, Bejrut 1415/1995, I, 288-307.
- İbrâhim Muhammed el-Ali,Muḥammed Nâṣırüddîn el-Elbânî muḥaddis̱ü’l-ʿaṣr ve nâṣırü’s-sünne, Damask 1422/2001.
- İsâm Mûsâ Hâdî,Ḥayâtü’l-ʿallâme el-Elbânî raḥimehullāh bi-ḳalemihî, Aman 1422.
- i njëjti autor,Muḥaddis̱ü’l-ʿaṣr el-İmâm Muḥammed Nâṣırüddîn el-Elbânî kemâ ʿaraftü, [pa vend botimi] 1423/2003 (Dârü’s-Sıddîk).
- Ömer Ebû Bekir,el-İmâmü’l-müceddid el-ʿallâmetü’l-muḥaddis̱ Muḥammed Nâṣırüddîn el-Elbânî, Aman, ts. (Beytü’l-efkâri’d-devlijje).
- Isuf Ahmeti, “Muhammed Nasrudin al-Albani”,Studime Orientale, I, Prishtinë 2001, fq. 239-241.
- İbrahim Hatiboğlu, “Muhammed Nâsırüddin el-Elbânî (1332-1420/1914-1999)”,Hadis Tetkikleri Dergisi, I/2, Stamboll 2003, fq. 219-223.
- Kamaruddin Amin, “Nâṣiruddîn al-Albânî on Muslim’s Ṣaḥîḥ: A Critical Study of his Method”,Islamic Law and Society, XI/2, Leiden 2004, fq. 149-176.
Marur nga Anciklopedia Islame
Solli ne gjuhen Shqipe Koha Islame
