6.7 C
Pristina
Wednesday, October 16, 2024

“Mua më shpërblen vetëm Allahu”

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Të Dërguarit e Allahut kishin përgjegjësinë e komunikimit të mesazhit të Tij duke i ftuar njerëzimin në besimin e vetëm islam dhe largimin nga politeizmi, siç pohojnë fjalët e Allahut të Lartësuar:

وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولاً أَنِ اعْبُدُواْ اللّهَ وَاجْتَنِبُواْ الطَّاغُوتَ

“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!”1

Të Dërguarit e Allahut kanë ardhur vetëm për të mirën e njerëzimit:

كُنتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ

“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.”2

Të jesh thirrës në rrugën e Allahut është nder dhe privilegj. Besimtari këtë detyrë duhet ta ndiejë dhe pa u lodhur ta përhapë fjalën e Allahut dhe të fitojë shpërblimin njëlloj si ata që e ndjekin, pa iu pakësuar atyre shpërblimi. Muhamedi alejhis-selam thotë:

مَنْ دَعَا إِلَى هُدًى كَانَ لَهُ مِنْ الْأَجْرِ مِثْلُ أُجُورِ مَنْ تَبِعَهُ لَا يَنْقُصُ ذَلِكَ مِنْ أُجُورِهِمْ شَيْئًا

“Kush thërret për në udhëzim (në rrugën e drejtë), ai ka shpërblimin e njëlloj sikur ata që e ndjekin, pa u pakësuar atyre shpërblimi.”3

Të nderuar besimtarë!

Në vazhdim do të shohim disa aspekte të thirrjes së Nuhit alejhis-selam.
Pa dyshim që Nuhu alejhis-selam ishte lajmëtar i qartë i së vërtetës, i cili përdori të gjitha mjetet në thirrjen e popullit të vet në fenë e Allahut të Lartësuar. Ai qëndroi tek ata një mijë pa pesëdhjetë vjet, megjithatë besuan vetëm një numër i vogël. Populli i tij u tall me atë dhe bëri shumë akuza ndaj tij. Askush nga populli i tij nuk e çmoi detyrën që kishte për çlirimin e njerëzimit nga politeizmi.

Së pari: Sinqeriteti i plotë në Allahun e Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë:

يَا قَوْمِ لا أَسْأَلُكُمْ عَلَيْهِ مَالاً إِنْ أَجْرِيَ إِلاَّ عَلَى اللّهِ

“O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu.”4

Kështu duhet të jenë thirrësit islamë, të mos synojnë asgjë nga të mirat e kësaj bote, por halli dhe shqetësimi i tyre të jetë udhëzimi i njerëzve dhe sinqeriteti i njëmend në Allahun e Lartësuar.

Së dyti: Formimi i bindjes te njerëzit, se ata duhen të krijojnë lidhje varësie me Allahun, Zotin, Krijuesin e çdo gjëje. Kjo gjë vërehet qartë në suren Nuh në ajete si:

مَّا لَكُمْ لَا تَرْجُونَ لِلَّهِ وَقَاراً

“Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë)…”5

وللَّهُ أَنبَتَكُم مِّنَ الْأَرْضِ نَبَاتاً

“Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët…”6

وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ بِسَاطاً

“Allahu për ju e ka bërë Tokën shtrojë të gjerë…”7

وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ بِسَاطاً

“…e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh…”8

Thirrësi në rrugën e Allahut të Lartësuar duhet ta forcojë dhe ta kultivojë këtë varësi në mënyrë të vazhdueshme me Allahun Fuqiplotë në radhë të parë dhe më pas  të ketë kujdes që të rrënjosë e të zhvillojë ndjenjën, mendimin, idenë, qëndrimin dhe dashurinë e krijimit të lidhjes së vazhdueshme dhe të pandërprerë me Allahun e Lartësuar.

Së treti: Nuhu alejhis-selam shfrytëzoi të gjitha mjetet e mundshme në dispozicion, si:
– Koha; natën dhe ditën. Allahu i Lartësuar thotë:

قالَ رَبِّ إِنِّي دَعَوْتُ قَوْمِي لَيْلاً وَنَهَاراً

“Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë…”9

– Rrethanat; fshehtas dhe haptas. Allahu i Lartësuar thotë:

ثُمَّ إِنِّي دَعَوْتُهُمْ جِهَاراً

“Pastaj i thirra me zë të lartë.”10

– Ardhmëria; duke iu ndërmendur privilegjet që mund të përfitojnë. Allahu i Lartësuar thotë:

فَقُلْتُ اسْتَغْفِرُوا رَبَّكُمْ إِنَّهُ كَانَ غَفَّاراً. يُرْسِلِ السَّمَاء عَلَيْكُم مِّدْرَاراً. وَيُمْدِدْكُمْ بِأَمْوَالٍ وَبَنِينَ وَيَجْعَل لَّكُمْ جَنَّاتٍ وَيَجْعَل لَّكُمْ أَنْهَارا

“E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!”11

Së katërti: Sjellja ndërmend e të mirave, dobive, komoditetit, etj. Nuhu alejhis-selam ia kujtoi popullit të vet të mirat e shumta që Allahu i dhuroi. Allahu i Lartësuar në suren Nuh na tregon:

وَقَدْ خَلَقَكُمْ أَطْوَاراً.  أَلَمْ تَرَوْا كَيْفَ خَلَقَ اللَّهُ سَبْعَ سَمَاوَاتٍ طِبَاقاً.  وَجَعَلَ الْقَمَرَ فِيهِنَّ نُوراً وَجَعَلَ الشَّمْسَ سِرَاجاً.
وَاللَّهُ أَنبَتَكُم مِّنَ الْأَرْضِ نَبَاتاً.

“…ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)?”12

“A nuk e shihni se si Allahu i ka krijuar shtatë qiejt njëri mbi tjetrin…”13

“…dhe në ta e ka bërë Hënën dritë, kurse Diellin e ka bërë fener?”14

“Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët…”15

Pa dyshim që rikujtimi i të mirave të shumta dhe përmendja e tyre është metodë kuranore dhe profetike që shërben si mënyrë veprimi për t’ia arritur një qëllimi të caktuar, duke ia tërhequr vëmendjen thirrësit në realitetin e besimit islam.

Së pesti: Larg dëshpërimit dhe thyerjes shpirtërore. Nuhu alejhis-selam qëndroi një mijë pa pesëdhjetë vjet dhe vetëm një numër i vogël besuan. Allahu i Lartësuar thotë:

وَأُوحِيَ إِلَى نُوحٍ أَنَّهُ لَن يُؤْمِنَ مِن قَوْمِكَ إِلاَّ مَن قَدْ آمَنَ فَلاَ تَبْتَئِسْ بِمَا كَانُواْ يَفْعَلُونَ

“Dhe Nuhut iu shpall: “Nga populli yt askush nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata!”16

Thirrësi (daiu) ka për detyrë vetëm komunikimin dhe prezantimin e denjë të mesazhit islam me dituri dhe urtësi, në këtë mënyrë ka arritur të përfitojë nga shpërblimi i Allahut të Lartësuar, pa marrë parasysh se a është përgjigjur i thirruri pozitivisht apo negativisht. Kurse pesimizmi dhe zhgënjimi nuk kanë vend te thirrësi, që ta shmangin nga thirrja islame.

Të nderuar besimtarë!

Të marrim mësim nga ky i Dërguar i Allahut, i cili veproi me përkushtim afro dhjetë shekuj në thirrjen islame duke u mobilizuar me sinqeritetin e pastër në Allahun e Lartësuar. Ai deshi ta lidhte popullin e vet me Krijuesin, duke i përdorur të gjitha mjetet e mundshme të thirrjes; e ftoi popullin natën, ditën, haptas, fshehtas, ia kujtoi të mirat e Allahut. nuk u mërzit e as nuk u lodh me fjalën e Allahut në rrugën e Tij.

E lus Allahun e Lartësuar të na forcojë në besimin e drejtë islam!
O Allah! Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!

Ulvi Fejzullahu
22.3.2009

1 Nahël, 36.
2Ali Imran, 110.
3 Transmeton Muslimi.
4 Hud, 29.
5 Nuh, 13.
6 Nuh, 17.
7 Nuh, 19.
8 Nuh, 10.
9 Nuh, 5.
10 Nuh, 8.
11 Nuh, 10-12.
12 Nuh, 14.
13 Nuh, 15..
14 Nuh, 16.
15 Nuh, 17.
16 Hud, 36.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit