11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

MPJ e Shqipërisë reagon për situatën në veri: Serbia të tërheq forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit të Kosovës

Më të lexuarat

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit me targa.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë është shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në veri të Republikës së Kosovës dhe dënon fuqimisht aktet vandale të kryera sot, ku disa individë i vunë zjarrin zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe dëmtuan një zyrë të ngjashme në Zveçan”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Shqipërisë.

MPJ e Shqipërisë në reagimin e saj ka thënë se asgjë nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike dhe mungesën e respektit ndaj ligjit.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën thirrje që këta vandalë të sillen para drejtësisë. Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtarë, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit”, thuhet në reagim.

MPJ e Shqipërisë i ka bërë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për ç ‘tensionim të menjëhershëm të situatës.

“Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt ç’tensionimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit