9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

MOS U PAJTO ME GENJESHTARÊT

Më të lexuarat

Allahu i lartësuar thotë: “Prandaj, ti mos u pajto me gënjeshtarët! Ata do të dëshironin që ti të bësh lëshime, që edhe ata të bëjnë lëshime. Mos e respekto asnjë që betohet shumë dhe është i poshtëruar, që është përgojues e përhap fjalë ngatërrestare ndër njerëz, që është pengues i mirësive, armiqësor e gjynahqar i madh, shumë i vrazhdë dhe, përveç këtyre, nuk i dihet baba, Vetëm pse ka pasuri e djem! Kur atij i lexohen ajetet Tona, ai thotë: “Legjenda të të parëve.” Ne do ta damkosim atë në hundë.” [Kalem 8 – 16]

Shpjegimi i ajeteve Allahu i Lartësuar i thotë profetit të Tij:

  • “Prandaj, ti mos u pajto me gënjeshta-rët!” – Kuptimi: Mos iu bind atyre që të mohuan dhe të refuzuan armiqësisht dhe padrejtësisht, sepse ata nuk e meritojnë. Ata kërkojnë veçse gjëra që iu përshtaten epsheve dhe pasioneve të tyre. Ata synojnë dhe dëshirojnë veçse të kotën. Kush iu bindet atyre shkon me këmbët e veta drejt rrugës që e dëmton. Kjo është një ndalesë që përfshin bindjen ndaj çdo lloj gënjeshtari dhe mohuesi të profetëve. Ajo përfshin, gjithashtu, çdo bindje ndaj së kotës dhe mashtrimit, edhe pse shkaku i ajetit është një rast i veçantë. Idhujtarët i kërkuan Profetit që ai të heshtte dhe të mos vinte në dukje të metat e idhujve të tyre dhe, në këmbim të kësaj, ata do të heshtnin ndaj tij, siç thotë i Lartësuari:
  • “Ata do të dëshironin që ti të bësh lëshime, që edhe ata të bëjnë lëshime.” – Kuptimi: Idhujtarët do të dëshironin shumë sikur ti ”tud’hinu”, pra, të heshtësh, të mbyllësh sytë, t’i miratosh ata në të kotën e tyre, qoftë me fjalë apo me vepra, apo qoftë edhe me heshtjen tënde, për rastet kur është detyrë qartësimi i së vërtetës. Nëse do të bëje një gjë të tillë, edhe ata do të uleshin dhe do të të miratonin. Kështu, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin që të mos u bindej atyre, por të zbatonte vetëm urdhrat e Tij, duke shfaqur hapur dhe me krenari fenë e të Lartësuarit. Sigurisht, shfaqja e së vërtetës nënkupton edhe qartësimin e së kotës dhe hedhjen poshtë të çdo gjëje që është në kundërshtim me të vërtetën.
  • “Mos e respekto asnjë që betohet shumë dhe është i poshtëruar …” – Mos i dëgjo ata që përbetohen shumë, sepse e bëjnë këtë vetëm ngaqë janë mashtrues të mëdhenj. Si të tillë, ata janë të poshtër dhe me qëllime të ulëta. Ata nuk kanë ndonjë synim për vepra të mira, por vetëm për të plotësuar epshet dhe dëshirat e tyre kafshërore.
  • “… që është përgojues e përhap fjalë ngatërrestare ndër njerëz …” – Mos dëgjo as ata që janë fyes e ofendues të mëdhenj, duke mbajtur nëpër gojë të tjerët dhe duke i tallur ata. As ata që përhapin fjalë ngatërrestare mes njerëzve, domethënë, me qëllim për të futur armiqësi dhe urrejtje mes tyre.
  • “… që është pengues i mirësive, armiqësor e gjynahqar i madh, …” – Mos iu bind as atyre që janë dorështrënguar me të mirën, domethënë, që nuk japin atë gjë që e kanë për detyrë ta japin, siç janë shpenzimet e domosdoshme për jetesë, kompensimet e detyrueshme ligjore e fetare, zekati etj. Mos iu bind as atyre që janë armiqësorë e agresivë, të cilët, me padrejtësitë e tyre ndaj krije-save, i tejkalojnë kufijtë, duke shkelur mbi gjakun, pasurinë dhe nderin e tyre. Të tillët janë edhe ‘ethîm’, njerëz që bëjnë shumë gjynahe kundrejt Allahut të Lartësuar. Pra, me gjynahet e tyre, ata shkelin edhe të drejtat e Krijuesit.
  • “… shumë i vrazhdë dhe, përveç këtyre, nuk i dihet baba, …” – Ata janë të ashpër dhe shumë të egër ndaj krijesave. Ata nuk i nënshtrohen kurrë të vërtetës dhe të drejtës. Veç kësaj, janë edhe kopilë, domethënë, që nuk iu njihen baballarët. Prej këtyre njerëzve nuk pritet asnjë e mirë, asnjë sukses dhe shpëtim, sepse cilësitë e tyre janë tipike të poshtra. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar na ndalon që t’i bindemi çdokujt që bart të tilla cilësi, pra, që betohet shumë dhe është gjynahqar i madh, i poshtër dhe i ulët, sidomos kur është nga ata që i pëlqen vetja e është mendjemadh, që nuk pra-non të vërtetën dhe kërkon të qëndrojë mbi të tjerët, që përbuz dhe përqesh njerëzit, që hap fjalë ngatërrestare, që bën padrejtësi të shumta ndaj krijesave dhe gjynahe ndaj Allahut të Lartësuar.

Në fakt, edhe pse janë shpallur për njerëz të veçantë mes idhujtarëve të kohës së Profetit, si Ibn Mugira e të tjerë si ai, këto ajete janë të përgjithshme dhe vlejnë për këdo që ka të tilla cilësi, sepse Kur’ani u shpall si udhëzim dhe këshillë për të gjithë njerëzimin, nga i pari deri tek i fundit. Shpesh ajetet janë shpallur për shkak të ndonjë personi apo çështjeje të veçantë, por qëllimi i tyre është që të nxirret dhe caktohet një rregull i përgjithshëm, për raste që janë të ngjashme. Thotë i Lartësuari:

  • “Vetëm pse ka pasuri e djem!” – Ai tejkalon kufijtë dhe tregohet mendje-madh ndaj së vërtetës, për shkak të pasurisë dhe pasardhësve të shumtë që ka. Ai e refuzon të vërtetën, edhe pse ajo i paraqitet shumë e qartë. Madje, me paturpësi, ai e konsideron atë si përrallë të hershme:
  • “Kur atij i lexohen ajetet Tona, ai thotë: “Legjenda të të parëve!”” – Ai i trajton ajetet e Allahut si të ishin trillime, që mund të pranohen apo të refuzohen. Por Allahu i Lartësuar e kërcënon këdo që ka të tilla cilësi, duke thënë:
  • “Ne do ta damkosim atë në hundë!” – Allahu i Lartësuar do t’i japë një ndëshkim të dukshëm, në vendin më të vështirë të trupit, pra, në fytyrën e tij.

/TEFSIRI I SA’DIT – Othman Agolli/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit