Mos u mashtro nga shfaqjet e dashurisë – Një mësim nga Ibn Xheuziu

Më të lexuarat

Ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:

“Kemi pasur shokë dhe vëllezër te të cilët kam shpresuar, por prej tyre kam parë shembuj të çuditshëm të ashpërsisë dhe braktisjes së kushteve të miqësisë dhe vëllazërisë, prandaj fillova t’i qortoj.

Pastaj u zgjova (vetëdijesova) dhe thashë: ‘Çfarë dobie ka prej qortimit? Edhe nëse përmirësohen, ata përmirësohen për shkak të qortimit, e jo për shkak të sinqeritetit dhe pastërtisë në marrëdhëniet mes nesh.’

Kështu vendosa t’i lë dhe të ndërpres lidhjen me ta, por pastaj mendova dhe pashë se njerëzit përreth nesh janë në dukje të njohur dhe miq, ndërsa vëllezër vetëm në kuptimin e fshehur.

Thashë: ‘Nuk është e drejtë që t’i hedh krejtësisht poshtë, por duhet vetëm t’i kaloj nga regjistri i vëllazërisë në regjistrin e miqësisë së jashtme. Nëse nuk janë të denjë as për këtë, atëherë t’i rendis në mesin e të njohurve të zakonshëm dhe të sillem me ta si me të njohur. Dhe gabim është t’i qortoj.’

Jahja ibn Muadhi ka thënë: ‘Mjerë për atë vëlla të cilit duhet t’i thuash: ‘Më kujto me lutjen tënde.’

Shumica e njerëzve sot janë vetëm të njohur, të rrallë janë ata që janë miq të vërtetë, qoftë edhe në dukje. Sa për vëllazëri dhe miqësi të sinqertë  ajo është një çështje që është zhdukur dhe nuk ka kuptim të shpresohet në të.

Njeriu nuk sheh sinqeritet dhe përkushtim të plotë as nga vëllai i tij i gjakut, as nga fëmija i vet, e as nga bashkëshortja. Prandaj, lëre shpresën për sinqeritet dhe besnikëri të plotë, vendos një distancë me të gjithë dhe silleu me ta si me të huaj.

Dhe ruaju që të mos të mashtrojë ai që të tregon dashuri, sepse koha do të të zbulojë gjendjen e atij që ka treguar dashuri. Ndoshta këtë ta ka treguar për shkak të ndonjë dobie që ka prej teje.

Fudajl ibn ‘Ijadi ka thënë: ‘Nëse dëshiron të lidhësh miqësi me dikë, hidhëroje; e nëse e sheh se sillet mirë  miqësohu me të.’ Por sot kjo është e rrezikshme, sepse nëse e hidhëron dikë menjëherë bëhet armiku yt.

Shkaku i zhdukjes së vëllazërisë së sinqertë është se brezat e parë (selefi) kishin për qëllim vetëm ahiretin, prandaj qëllimet e tyre në vëllazëri dhe shoqëri ishin të sinqerta dhe të pastra, dhe kjo ishte për fenë, e jo për këtë botë (dynjanë). Sot, dashuria për dynjanë ka pushtuar zemrat, kështu që, nëse sheh dikë që tregohet dhe shfaqet në dyert e fesë – njihe mirë, e do ta shohësh gjendjen e tij të vërtetë, dhe menjëherë largoje.”

(Sajdul-hatir, fq. 391)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit